Takimi përmbyllës i muajit prill, muajit të librit, mblodhi në sallën e bibliotekës individë nga grupmosha të ndryshme, si: nxënës, gjimnazistë, mësues të letërsisë, anëtarë të Klubit të Krijuesve, persona të profesioneve të ndryshme, të cilët, të gjithë kishin pikë të përbashkët, librin dhe leximin. Në diskutime mes tyre, tema që ngjalli debat ishte sfida e librit dhe te lexuarit sot në epokën digjitale dhe sa po ia del libri fizik të mbijetojë dhe të evidentohet në këtë botë virtuale dhe digjitale, ku informacioni kërkohet të vijë shpejt, shkurt dhe menjëherë. Në këtë takim, nderuan me pjesëmarrjen e tyre drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, znj. Alda Bardhyli, drejtori i AKT-së Elbasan, z. Artur Guni, drejtori i Trashëgimisë Kulturore z. Kliton Kapaj, shkrimtari Fatmir Musai etj. Në fund të takimit u ndanë certifikata vlerësimi për 14 lexues, një pjesë e të cilëve janë anëtarë të përhershëm të bibliotekës, dhe të tjerë e sigurojnë librin në mënyra të tjera. Pavarësisht moshës apo profesioneve, ata u promovuan si modele të lexuesit shembullor e të apasionuar të librit.