Në rubrikën “Elbasani në shkrim dhe shpirt” sjellim sot mësuesin, studiuesin, historianin, hulumtuesin dhe shkruesin e një sërë biografish, intelektualin Hyqmet Kotherja. Në punën e tij dhjetëra vjeçare u dallua për përkushtimin e vazhdueshëm në nxjerrjen në pah të figurave të shquara të qytetit të Elbasanit; si ato intelektuale dhe ato me kontribute në politikë dhe në jetën kulturore e arsimore. Profili i tij si drejtues muzeu, hartues dhe ideator në ngritjen e disa muzeve të qytetit, zgjoi tek ai dëshirën për të evidentuar të vërtetat rreth shumë figurave të ndritura të lëvizjes kombëtare dhe personaliteteve të shekullit të kaluar, që kishin ngelur në hije apo nuk u ishte kushtuar vëmendja e duhur. Në librin e tij të parë “Historiku i Bashkisë së Elbasanit 1912 – 2002”, Hyqmeti përveç se i paraqet kronologjikisht kryebashkiakët, jep në të njëjtën kohë një panoramë të plotë të kohës kur udhëhoqi secili prej tyre, dhe kjo vjen si rezultat i një pune kërkimore disavjeçare në arkivat e Bashkisë, Arkivin Qendror, fondin e albanologjisë së bibliotekës, kujtime e foto të familjarëve, etj. Ky material informues i autorit, në pak kohë distancë, pasohet nga një tjetër monografi me vlerë për historinë e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë. I sjellë në ngjarjen jubile, atë të 100-vjetorit të pavarësisë, libri “Pavarësia e Elbasanit 1912, 35 firmëtarët e aktit të pavarësisë” mblodhi dhe pasqyroi në një vëllim, ato figura dhe intelektualë të kohës, për të cilët, pas viteve 90-të egzistonte aty-këtu ndonjë artikull në gazetat lokale. Akti historik i Elbasanit, si i pari qytet që shpalli pavarësinë më 25 nëntor 1912, si dhe ata që kontribuan për të, u panë nga Hyqmeti si domosdoshmëri për t’i bërë bashkë në një monografi emblematike për historinë e qytetit. Ose siç do shprehej botuesi i tij, Pëllumb Zekthi: “Ky libër vjen të na kujtojë që qytetërimi i njeriut matet në dijet që ai ka për historinë e vet. Dhe kur historia është e ndritshme, pavarësisht dhimbjeve, njeriu e ndjen veten më të denjë dhe më krenar”. Janë këto dy botime të z. Kotherja, si dhe disa broshura e fletëpalosje kushtuar historikut dhe figurave të arsimit që e kanë vendosur emrin e tij në radhën e atyre që e deshën Elbasanin dhe punuan fort për të. Nderim dhe mirënjohje për punën e tij!
Në lidhjet e mëposhtme, do të mund t’i shfletoni të dy këto libra në faqen digjitale të bibliotekës.
