Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Roland Gjini – albanologu elbasanas mbarëshqiptar

Në rubrikën Elbasani në shkrim dhe shpirt, sjellim sot një personalitet të spikatur në rradhët e pedagogëve, historianëve dhe studiuesve elbasanas, profesorin e nderuar, njeriun zemërgjerë Roland Gjini. Karriera e tij, e nisur si pedagog, që në 1990 e deri më sot karakterizohet nga një punë serioze, kërkime shkencore të vazhdueshme, frymë bashkëpunimi me kolegë dhe prurje idesh të reja dhe novatore në lëmë të pedagogjisë, studimit të historisë dhe trajtimit të temave të ndjeshme të historiografisë shqiptare. Për një periudhë disavjeçare, prof. Gjini ka drejtuar Fakultetin e Shkencave Humave dhe studentët që kanë ndjekur auditorët e tij e kujtojnë atë veçanërisht për kulturën e tij të gjerë, mirëkuptimin dhe krijimin e marrëdhënieve të veçanta dhe komunikimin empatik mes tyre. Me prakticitetin e tij të natyrshëm, profesori krijoi një figurë të dashur, miqësore dhe të besueshme tek qindra studentë të profilit Histori – Gjeografi, të cilët edhe sot ruajnë një konsideratë të lartë për të. Prof. Rolandi i përket atij brezi pedagogësh që përjetuan ndryshimet e mëdha politike dhe historike në Shqipëri, ndryshime të cilat u reflektuan dhe në mënyrën e mësimdhënies, qasjes në dije, transmetimit të saj dhe të qënit i drejtë dhe asnjëanës ndaj të vërtetave historike. Natyrisht, vlera e tij si pedagog, përtej njerëzores, mbështetet fort dhe në profesionalizmin dhe seriozitetin e tij sidomos në kërkimet e vazhdueshme dhe të thelluara. Prof. Rolandi ka kontribuar shumë jo vetëm në dokumentimin e historisë së Elbasanit, por edhe në aspekte më të gjera historike dhe albanologjike mbarëshqiptare duke i kaluar kështu përmasat e një historiani lokal. Ai është autor i mbi 25 librave si: monografi, libra universitarë, libra për nxënësit e për mësuesit, etj. Ka drejtuar redaksinë e Historisë dhe të Arkeologjisë për hartimin e “Elbasani – Enciklopedi”, ku bashkë me kolegë të tjerë të nderuar përpiluan mbi 500 zëra të fushës së historisë e arkelogjisë së Elbasanit dhe trevave të tij. Monografia më e rëndësishme e prof. Gjinit është “Elbasani: Personalitete, ngjarje e dukuri historike”. Me një bibliografi të pasur, libri përmban studime, artikuj biografikë, kumtesa, intervista televizive të profesorit të realizuar në 30 vitet e fundit. Monografia është ndarë në tri pjesë ku në fillim janë renditur disa figura dhe personalitete të Elbasanit të cilët me kontributet e tyre kanë formësuar historikun identitar të qytetit dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Një vend të veçantë në libër zenë ngjarje dhe zhvillime historike të trevës së Elbasanit që nga Kongresi i Elbasanit, Hapja e Normales, Pavarësia, Lufta e Dytë Botërore e deri te ngjarjet e dhjetorit të 1990. Në pjesën e tretë të librit, janë tri intervista të profesorit dhënë gazetarëve të televizionit Top Channel në lidhje me harmoninë fetare brenda kalasë së Elbasanit dhe më gjerë, promovimin e Elbasanit si dhe zbardhjen e një figure gati të panjohur, atë të elbasanasit Sali Hida, mikut personal të Ismail Qemalit.
Si drejtues për disa vjet i Qendrës për Studime Albanologjike dhe Ballkanologjike ai e konsideron kërkimin si pjesën më të rëndësishme të punës së pedagogëve të historisë. Për të gjithë kërkuesit, hulumtuesit, studentët profili i prof. Rolandit duhet të shërbejë si model frymëzimi, për më tepër komenti i tij kur sa herë e pyesin për Elbasanin, ai me një krenari modeste shprehet: “Të shkruash për historinë e Elbasanit duhet të jesh i përgatitur që do dalë një enciklopedi 100 vëllimëshe!!!”. Dhe ashtu u bëftë!

Leave a Reply