Edicioni i 22-të i Javës së bibliotekave në Kosovë, shoqërohet me aktivitete të larmishme në të gjitha bibliotekat e Kosovës, duke filluar nga ajo kombëtare, komunale, universitare, shkollore, speciale, etj. Biblioteka simotër jona, ajo e Prizrenit, organizoi në datë 9 tetor një sërë aktivitetesh me tematikë: “Roli i bibliotekave në shoqëri – bibliotekat si qendra komunitare” duke përfshirë jo vetëm mosha të ndryshme por edhe persona me veprimtari të spikatur në disa fusha të jetës. Në përgjigje të ftesës së drejtueses së bibliotekës ndërkomunale të Prizrenit, zonjës së nderuar Sahadete Sadiku-Kukaj, biblioteka jonë u përfaqësua nga klasifikatorja Beneta Dhima me kumtesën e përgatitur prej saj, me titull “Klubi i leximit – biblioteka – autorët elbasanas”. Kjo kumtesë ngjalli interes tek të pranishmit, pasi duke qenë të dyja biblioteka publike, ne ndajmë problematika dhe ofrojmë qasje të ngjashme në përditshmërinë tonë në punën me librin, leximin, kërkesat e lexuesve, afrimin e tyre drejt bibliotekës, etj. Në këtë takim mes kolegësh, merrnin pjesë mësues dhe padagogë, nxënës dhe studentë, punonjës të bibliotekave të komunës Prizren dhe rrethinat, specialistë të bibliotekave nga Shqipëria, përfaqësues nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, Prishtinë, etj.
Vlen për t’u përmendur që në takimin e sotëm, nderoi me praninë e tij ish drejtuesi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, studiuesi Sali Bashota, i cili në bisedë të lirë me nxënës nga gjimnazet e qytetit dhe universiteti, nxorri në pah rëndësinë e bibliotekave, leximit, librit dhe inkurajoi nxënësit të shkruajnë si një mënyrë për të identifikuar veten dhe lartësuar shpirtëroren e tyre.
Pjesëmarrja e bibliotekës sonë aty është fryt dhe rezultat i një binjakëzimi të sukseshëm, prej 22 vitesh tashmë, i cili premton të vijojë në vazhdimësi, duke transmetuar tek njëri-tjetri përvoja të mira dhe objeksione vizionare për të ardhmen e bibliotekave.
Më poshtë gjeni referatën e klasifikatores, Beneta Dhima mbajtur në këtë takim.
Klubi i leximit – biblioteka – pasditja e autorëve elbasanas
Lidhja e këtyre tri subjekteve në një trinom, lindi si një domosdoshmëri për të promovuar autorët elbasanas në mjedisin kulturor të bibliotekës e sidomos prezantimi i tyre tek të rinjtë e qytetit. U përdor Klubi i Leximit, pasi ai, i konceptuar si një mekanizëm intim, personal, ndërveprues dhe që të mban larg internetit, celularëve dhe rrjeteve teknologjike, ishte thuajse mënyra ideale për të krijuar një grupim ku të gjithë janë të barabartë e me interesa të njëjta. Nga ana tjetër, biblioteka, si institucion që nxit të lexuarit përgjatë gjithë jetës, gjë që e bën nëpërmjet propagandimit të librit dhe autorëve jo vetëm në mënyrën tradicionale, por tashmë edhe nëpërmjet platformës së vet elektronike si në fb, instagram dhe web-in e saj.
Në përzgjedhjen e autorëve protagonistë, u mendua të ishin ata që kishin ditëlindjet në muajt e verës, dhe, në këtë mënyrë, këto takime të Klubit të Leximit do të shërbenin si një kartolinë urimi për shkrimtarët, si për ata që i festojnë bashkë me ne ditëlindjet, ashtu dhe për ata që nuk jetojnë më mes nesh, pasi për shkrimtarët ka vetëm ditëlindje. Rasti e deshi që autorët e përzgjedhur t’i përkisnin profileve të ndryshme letrare, duke filluar me Flutura Açkën, një romanciere bashkëkohore, Astirit Bishqemin, autorin e dashur të letërsisë për fëmijë, poeti dhe publicisti Musa Vyshka, Mustafa Bodini, tekstshkrues dhe krijues këngësh popullore qytetare të Shqipërisë së Mesme dhe Leksi i Vinit, mbledhës i traditave zakonore të qytetit të Elbasanit.
Secili nga takimet e Klubit, kishte të veçantën dhe dinamikat e tij. Flutura Açka, e emocionuar nga ideja, por dhe organizimi, në pamundësi për të qenë fizikisht në bibliotekë, përshëndeti anëtaret e Klubit me një video mesazh me anë të cilit përgëzonte për nismën anëtarët e klubit dhe bibliotekën. Atë pasdite, të pranishmit të cilët e njihnin shumë mirë krijimtarinë e Açkës, sollën ndjesitë e tyre që kishin përjetuar gjatë leximit të prozës dhe poezisë së saj, dhe evidentuan fjalorin e saj të pasur, rrjedhshmërinë në të shkruar, vërtetësinë dhe autenticitetin e shkrimeve të saj si dhe forcën që tregon Flutura për të qenë optimiste pavarësisht humbjeve në jetën e saj.
Në takimin për Musa Vyshkën, përveç përjetimeve dhe diskutimeve të thelluara mbi veprat e tij, duke sjellë në vëmendje ndjeshmërinë artistike dhe përkushtimin ndaj fjalës së shkruar që e karakterizonte, familjarëve të pranishëm, iu dorëzua nga specialistet e bibliotekës një bibliografi që mban të gjitha shkrimet e Musait si publicist si dhe titujt e librave të tij që ndodhen në fondin e bibliotekës.
Muaji korrik, iu kushtua autorit Astrit Bishqemi, i cili njihet gjerësisht jo vetëm për krijimet e tij për fëmijë, por edhe në studimet e thelluara për këtë zhanër letrar. Klubi i Leximit organizoi dy takime për Astritin: në njërin, i mbajtur nën kujdesin e specialistes së sektorit të bibliotekës së fëmijëve, ishin vetë fëmijët protagonistë, të cilët gjallëruan pasditen me leximet dhe interpretimet e krijimeve të profesor Astritit. Ndërsa, në takimin tjetër, ku ishin të pranishëm ish kolegë të tij, pedagogë, shkrimtarë, studiues, bashkëpunëtorë e miq, familjarëve të Astritit iu dorëzua një certifikatë mirënjohjeje me motivacionin: “Për kontributin e vyer i cili me penën dhe përkushtimin e tij u bë zë i dashurisë për dijen, fëmijët dhe qytetin”.
Një takim i pasdites, që i kaloi të gjitha pritshmëritë në pjesëmarrje dhe jehonë, ishte ai për Mustafa Bodinin, një ndër tri korifejtë e këngës popullore qytetare elbasanase. Për talentin e tij jo vetëm në të shkruar, për ndjeshëmrinë e tekstit dhe melodisë, si dhe rëndësinë që kanë krijimet e tij, pasi ato ruajnë një elbasanishte të pastër, folën të pranishmit, të cilët ishin aty jo më si anëtarët e Klubit, por si përfaqësues të artistëve të qytetit, të çdo dimensioni.
Pasditja e fundit e Klubit, për Leksin e Vinit, ndër të tjera, nxorri në pah rëndësinë që ka ruajtja dhe evidentimi i traditave zakonore të trashëguara brez pas brezi.
Çfarë u vu re?
Gjatë pasditeve të leximit, ajo që ra në sy, ishte pjesëmarrja në Klub, përveç anëtarëve të përhershëm të tij, e personave nga grupmosha të ndryshme, të cilët treguan se dinë të jenë jo vetëm leximtarë të mirë, por dhe rrëfimtarë të mirë.
Autorët lokalë, në këtë rast elbasanas, me krijimtarinë e tyre në çdo gjini të letërsisë, janë të rëndësishëm pasi ata janë shtrati përmbajtësor dhe magma e letërsisë kombëtare.
Libri, pavarësisht arritjeve të teknologjisë, do të mbetet instrumenti më i mirë, jo vetëm në përftimin dhe përhapjen e dijeve, por edhe në kalimin e kohës së lirë në mënyrë cilësore.
Bibliotekat, me punën e tyre të vazhdueshme në përsosjen dhe shumëllojshmërinë e shërbimeve, nuk do ta humbin asnjëherë rëndësinë e tyre, si institucione të ruajtjes dhe përçimit tek brezat e rinj të trashëgimisë së shkruar lokale e më gjerë.
Ç’do të bëhet?
Duke u bazuar në suksesin dhe jehonën pozitive të pasditeve të organizuara nga Klubi i Leximit në Bibliotekën e Elbasanit, lind natyrshëm nevoja për t’a kthyer këtë nismë në një traditë të qëndrueshme kulturore, duke e zgjeruar klubin nëpërmjet krijimit të nëngrupeve tematikë brenda tij (letërsi për fëmijë, poezi, romane bashkëkohore, letërsi dokumentare, etj.), si dhe përfshirjen në të të grupmoshave të ndryshme. Gjtihashtu, krijimi i një arkive digjitale me video, foto dhe përmbledhje për të dokumetuar çdo aktivitet dhe për ta shfaqur atë në youtube apo web-in e bibliotekës, është një mënyrë e shkëlqyer për ta çuar leximin dhe librin më afër komunitetit si dhe për të shpërndarë këtë përvojë më gjerë
Në përfundim mund të themi se kjo nismë, që nisi si një mënyrë për të nderuar autorët elbasanas, ka potencialin të kthehet në një platformë ndërveprimi kulturor për qytetin. Biblioteka dhe Klubi i Leximit, së bashku me lexuesit e pasionuar, po krijojnë një hapësirë ku fjala e shkruar jo vetëm lexohet, por edhe dëgjohet, ndahet, reflektohet dhe vlerësohet.
Beneta Dhima
Klasifikatore
Biblioteka Publike “Qemal Baholli”, Elbasan
Prizren, 9 tetor 2025
