Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Si sot, 116 vjet më parë, filloi mësimet në Elbasan Normalja, kjo shkollë që do të prodhonte mësues të cilët shërbyen për përhapjen e arsimit, hapjen e shkollave shqipe anembanë Shqipërisë si dhe hartimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Në këtë shkollë, kanë dhënë mësim intelektualë të shkolluar në shkollat më të mira në Europë të cilët të paisur me kulturë dhe botëkuptim perëndimor, u investuan shpirtërisht në mësimdhënie duke krijuar një model shembullor të mësuesit normalist. Përveçse intelektualë të mirë, ata ishin dhe atdhetarë të flaktë, të mbrujtur me ideale të larta atdhedashurie dhe vetëmohimi, gjë që u pasqyrua në gadishmërinë e një pjese të madhe të tyre për të shkuar në Kosovë e Maqedoni ku punuan fort për zhdukjen e analfabetizmit, përhapjen e dijeve dhe ngritjen e shkollave shqipe atje, veprim ky që erdhi si përgjigje e thirrjes së Ministrisë së Arsimit në periudhën 1941-1943 ku vetëm nga Elbasani ishin 130 normalistë. Me krenari ne themi se Normalja e Elbasanit është universiteti i parë shqiptar; të gjithë nxënësit e dalë nga bankat e saj, të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë ishin modeli i mësuesit qytetar dhe vizionar dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë kontribuar në fusha të ndryshme në ngritjen dhe drejtimin e institucioneve më të rëndësishme në vend në shekullin e kaluar. Normalja e Elbasanit është e lidhur organikisht dhe përjetësisht me këtë qytet, ajo i dha emër Elbasanit, këtij qyteti që e krijoi, e mbrojti dhe ridimensionoi tiparet e saj mbështetur thelbësisht në një arsim cilësor dhe bashkëkohor.

Në foto, janë dy botime të bibliotekës të cilat, nën udhëheqjen e profesorit dhe ish-drejtuesit të bibliotekës, z. Kujtim Bevapi, përfshijnë artikuj mbi Normalen, historikun, pedagogët, nxënësit më të mirë, botimet si dhe aktivitetin e saj aq të vyer për shkollat dhe gjuhën shqipe.

Leave a Reply