Skip to content Skip to footer

90 vjet bibliotekë

Në 25 tetor, u zhvillua ceremonia e festimit të 90-vjetorit të themelimit të bibliotekës publike “Qemal Baholli”. Në këtë ngjarje të rëndësishme për kulturën dhe librin, e cila jo rastësisht u festua në muajin tetor, nderuan me pjesëmarrjen dhe fjalën e tyre përshëndetëse Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja i shoqëruar nga z. Arbian Mazniku, pasardhës të Familjes Baholli, zv/drejtorja e bibliotekës Kombëtare njëherazi dhe pinjolle e familjes së nderuar elbasanase, znj. Etleva Domi, drejtues, ish punonjës, arsimtarë dhe miq të bibliotekës. Në ceremoni përshëndeti dhe drejtuesja e Bibliotekës Ndërkomunale Prizren, me të cilën ne prej vitesh kemi një binjakëzim ndërinstitucional. Në këtë vit jubile, u risollën në vëmendje përpjekjet e patriotëve dhe intelektualëve elbasanas të cilët mbështetën nismën e Bahollsve për të ngritur një bibliotekë për qytetin, e cila do të shërbejë si ruajtëse e vlerave dhe e përçimit të dijes. Ato nuk u mjaftuan vetëm me ndërtimin, por vijuan dhe me pasurimin e saj me materiale bibliotekare duke dhuruar libra, periodikë, seriale; gjë që duhet thënë vijon edhe sot e kësaj dite. Që në krye të herës, biblioteka ka shërbyer si transmetuese e vlerave dhe zhvillimit, gjë që mbështetet dhe përkrahet nga Bashkia dhe pushteti lokal. Të pranishmit shfaqën interes për ekspozitën e ngritur enkas për këtë rast e cila konsitonte në librat më të vjetër të fondit të albanologjisë, në materialet personale të Qemal Bahollit, në botime të bibliotekës si dhe foto të bibliotekës ndër vite. Në fund u shpërndanë çertifikata mirënjohjeje për Familjen Baholli, Familjen Domi, Arkivin Digital Elbasan ADE etj.

Leave a Reply