Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Qyteti nderon normalistin maratonomak Rudolf Deliana

Në rrjedhë të viteve, qyteti i Elbasanit është cilësuar vazhdimisht si djepi i dijes dhe arsimit, traditë kjo që i ka rrënjët që në fillesat kur u kristalizuan përpjekjet e patriotëve, intelektualëve, arsimtarëve apo studiuesve me çeljen e shkollave, të cilat sollën si domosdoshmëri hartimin e abetareve, teksteve shkollore, materialeve didaktike, udhëzuesve në ndihmë të mësuesve etj. Ngjarja më e rëndësishme e shekullit të kaluar, që pati jehonë dhe ndikim edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, ishte padyshim hapja e Normales në Elbasan. Kjo Normale, e dalë nga vendimet e Kongresit të Elbasanit, e çoi lëvizjen kombëtare në tjetër nivel; ishte hera e parë që hapej një shkollë e mesme prej së cilës do të dilnin mësues që do të përhapnin dije dhe arsim anembanë Shqipërisë dhe jashtë saj, në Maqedoni e Kosovë. Ky kontribut i normalistëve, e bën këtë shkollë dhe rrugëtimin e saj dhjetëra vjeçar rastin unik në gjithë historinë e arsimit shqiptar. Nxënësit e dalë nga bankat e kësaj shkolle, të paisur me kulturë, disiplinë dhe aftësi të shkëlqyera, u shndërruan në personazhet model të qytetit ku jetuan e punuan me devotshmëri. Natyrisht, Elbasani kishte privilegjin që, duke e patur Normalen në gjirin e vet, të kishte shumë nxënës (në të ardhmen mësues) të këtij modeli qytetarie, siç dinte shkolla Normale të prodhonte. Mes shumë e shumë emrash, një njeri fisnik, një pinjoll i një familjeje me tradita të Kalasë dhe gjithë qytetit të Elbasanit, ishte profesor Rudolf Deliana. Profili i tij është padyshim ndër më elitarët e qytetit. Ndër metodistët më të mirë të mësimdhënies së matematikës, bekuar me një kujtesë brilante, me repertor shumë të gjerë njohurish, njohës i thellë i historisë së Elbasanit, me një të folur të qetë dhe diktuese, zotërues i një arkive të pasur të trashëguar në familje, profesor Rudolfi konsiderohej si memorja e qytetit. Kontribues kryesor në revistën “Albanon” dhe në Arkivën Digjitale Elbasan, ai ka sjellë foto e materiale, të gjitha këto të shoqëruara me sqarime përkatëse dhe me një kaligrafi perfekte, si e çdo normalisti. Përgjatë gjithë jetës së tij, ai punoi me përkushtim në profesionin e tij, duke nxjerrë dhjetëra breza dhe bashkëpunoi më një sërë kolegësh, të cilët i janë mirënjohës pasi për një pjesë të mirë të tyre, modeli i tij i mësimdhënies dhe dashuria për matematikën, ishte etalon për ta. Profesor Rudolfi ka qenë jo vetëm një dashamirës, por edhe një bashkëpunëtor i ngushtë i bibliotekës sonë, duke marrë pjesë në një sërë aktivitetesh të organizuara në bibliotekë. Me rastin e 80-vjetorit të themelimit të bibliotekës, profesor Rudolfi i bëri dhuratë bibliotekës gazetën e parë të shtetit shqiptar “Përlindja e Shqipnisë” (1913), revistën “Normalisti” (nr. 1, 2 dhe 3) si dhe disa libra në gjuhën italiane. Përmes shoqatës “Normalisti”, të cilën e drejtoi për disa vjet e deri në fund të jetës së tij, profesor Rudolfi përpiqej që të mos harroheshin vlerat e institucioneve historike, sidomos të Normales, duke kërkuar që t’i rikthehej roli, ose të ruhej si trashëgimi për brezat e ardhshëm. Për të gjithë kontributin e vyer të tij, Bashkia e qytetit i akordoi titullin “Qytetar nderi” (pas vdekjes) me motivacionin “Për kontributin, pasionin dhe përkushtimin e tij në formimin e brezave të rinj dhe zhvillimin e kulturës, arsimit në qytetin e Elbasanit”. Titulli i’u dorëzua vajzave të profesorit, në një ceremoni të ngrohtë, organizuar nga një grup i shoqatës “Normalisti” dhe mësues në pension, mes miqsh, familjarësh, bashkëpunëtorësh, pedagogë dhe drejtues të institucioneve më të rëndësishme të qytetit.

https://www.facebook.com/share/p/14PDi9UwZpV/

 

 

Leave a Reply