Festa e Ditës së Verës është për elbasanasit pjesë e kulturës së tyre shpirtërore. Një festë popullore, trashëguar brez pas brezi prej kushedi sa shekujsh, kjo ditë simbolizon manifestimin që i bëhet ringjalljes së natyrës, përtëritjes së jetës dhe shpresës për ardhmëri të mbarë e të begatë. Festimet për këtë ditë nisnin që në vigjiljen e datës 13 mars, me shtrimin e Sofrës së Madhe, përgatitjen e hiseve, zbukurimin e shtëpisë, nxjerrjen e zaireve të ruajtura që nga dimri, shijimit të ballakumeve dhe revanisë, ushqimeve të larmishme, etj. Data 14 nis herët në mëngjes, ku secili i madh e vogël buzagaz urojnë njëri-tjetrin për një verë të mbarë e të shëndetshme, vendosjen e verores, veshjen e rrobave më të bukura të përgatitura enkas për këtë rast, shkëmbimin e hiseve, bërjen e “kâmës”, shëtitjet dhe piknikët në natyrë të shoqëruara me këngë, valle e hare. Këto tradita dhe të tjera, tashmë janë ngulitur në memorjen kolektive të elbasanasve, të cilët ndjehen krenarë që kjo festë lidhet direkt me qytetin e tyre, pasi, edhe pse ardhja e pranverës festohet në shumë krahina të vendit, në Elbasan ajo ruajti ritet thuajse me fanatizëm, edhe gjatë viteve të komunizmit kur ishin të ndaluara të gjitha format e adhurimit dhe manifestimit fetar apo pagan. Pas viteve ’90, kjo festë rimori përmasat e dikurshme popullore, por tashmë ne shohim që pushteti dhe drejtuesit lokalë kishin një vëmendje të shtuar ndaj eventeve enkas për të. Në këtë punim, është sjellë një paraqitje lineare dhe kronologjike e festimeve dhe aktiviteteve që Bashkia organizonte me këtë rast në qytetin e Elbasanit të pasqyruara në shtypin lokal në periudhën që përfshin vitet 1990 – 2015.
#ditaeverës #elbasanibukur #ruajmëtraditën #bibliotekapublikeelbasan
