Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Një elegji si asnjë tjetër

Ndalini të gjitha orët

 

Ndalini të gjitha orët, këputeni çdo telefon

qenin që leh për kockën e lëngshme a ka kush e pushon,

heshtni pianot dhe me daulle që mbytur tingëllojnë

silleni arkivolin, vajtojcat le t’vajtojnë.

 

Lërini aeroplanët t’sillen vajtueshëm, mbi re tretur,

dhe ta shkruajnë në qiell mesazhin “Ai ka vdekur”.

N’qafën e bardhë t’pëllumbave fjongo zije le t’ketë

policët e trafikut dorashka t’zeza kanavace t’mbajnë krejt.

 

Atë e kisha Veri, Jug, Lindje, Perëndim,

ditë pune, dhe në ditën e diel lehtësim,

mesditë, mesnatë, fjalë, tingullin tim.

Mendova se dashuria zgjat përgjithmonë: e kisha gabim

 

Yjet nuk kanë më vlerë; shuajini një nga një,

mbështilleni Hënën, çmontojeni Diellin, s’duhen më,

zbrazeni oqeanin, pyllin çrrënjoseni, rrafsh t’jetë;

se tash asgjë të mirë më këtu s’do të ketë.

 

Përktheu: Orjela Stafasani

 

Kjo poezi, ndër më të njohurat e W. H. Auden, u shfaq për herë të parë në botimin poetik “The ascent of F6” (Ngjitja e F6) të vitit 1936. Auden e rishkroi poezinë disa vite më vonë të përshtatur si tekst për një këngë kabareje dhe të dy variantet u instrumentalizuan nga kompozitori Benjamin Britten. Versioni i dytë u botua për herë të parë në vitin 1938 dhe u titullua “Funeral Blues” në veprën “Another time” (Koha tjetër) të Auden.

Pozia fitoi popullaritet të menjëhershëm pasi u recitua në filmin “Katër martesa dhe një funeral” (1994), gjë që çoi gjithashtu në rritjen e vëmendjes ndaj veprave të tjera të Audenit. Që atëherë, kjo poezi, është cituar si një nga poezitë moderne më të njohura në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Në lidhjen e mëposhtme është fragmenti nga filmi “Katër martesa dhe një funeral”, moment ku recitohet poezia e Audenit:

Interpretimi, si pjesë nga filmi, nga aktori britanik John Hanna, shoqëruar poshtë videos me tekstin origjinal në anglisht të poezisë

 

Leave a Reply