Në tërësinë e çmimeve të fituara nga Kadare përgjatë jetës për krijimtarinë e tij, një ndër më të rëndësishmit është “Man Booker International, 2005”, si një vlerësim për të gjithë punën e tij. Ky çmim, prej vitit 2005 jepet çdo dy vjet me kushtin që një autor mund ta fitojë vetëm një herë atë dhe ishte pikërisht Kadareja që e fitoi në edicionin e parë. Në lupën e tre anëtarëve të jurisë skrupuloze, atë vit kaluan 95 autorë nga 35 vende të ndryshme të botës, krijimtaria e të cilëve duhej të ishte e përkthyer në gjuhën angleze. Në atë kohë, Kadare ishte përkthyer në 35 gjuhë të botës, nga ku 14 tituj ishin të përkthyer në gjuhën angleze. Në këtë konkurs ndërkombëtar, dukej sikur Kadare i kishte shanset e pakta për ta rrëmbyer çmimin e madh, pasi, ai garonte me emra të mëdhenj si: Kundera, Markez, Lessing, Oe, McEwan e të tjerë të cilët ishin tashmë të afirmuar gjerësisht. Por kryetari i jurisë, kritiku letrar më i njohur në Britaninë e Madhe, John Carey, i cili e njihte mjaft mirë stilin e të shkruarit të Kadaresë, u shpreh me konsiderata të larta për të, duke thënë konkretisht:
“Ismail Kadare është një shkrimtar që krijon hartën e një kulture të tërë, të historisë, pasionit, folklorit, politikës dhe katastrofat e saj. Ai është një shkrimtar universal, me një traditë narracioni që e ka origjinën të Homeri”.
Natyrisht, konsiderata të tilla ndanë dhe anëtarët e tjerë të jurisë dhe dhënia e çmimit Kadaresë pati jehonë dhe u pasqyrua në shtypin prestigjioz botëror e mediat më të njohura, duke e krahasuar me Kafkën, Gogol dhe Orwell si dhe duke i atribuar atij privilegjin për të qenë ikona e letërsisë moderne shqipe në mbarë botën. Dhe mesa duket, Kadare do ta mbajë për një kohë të gjatë këtë titull.
