Në sallën e bibliotekës u promovua një libër sa interesant dhe me vlera. Nën autorësinë e dy pedagogeve dhe studiueseve të mirënjohura elbasanase, znj. Natasha Shuteriqi Poroçani dhe znj. Shqipe Shyti Haxhihyseni, ky libër studimor bën bashkë abetaret e botuara nga gjuhëtarët elbasanas. Produkt i një analize të thelluar shteruese, libri paraqet vlerat, përkushtimin dhe botëkuptimin e abetareshkruesve elbasanas, të cilët me devotshmërinë dhe vizionin e tyre prodhonin jo vetëm abetare, por përcillnin dhe vlerat e gjuhës sonë, duke patur një vëmendje ndaj elbasanishtes, si një dialekt mbi dialektet. Autorët elbasanas të abetareve janë emra të spikatur të arsimit kombëtar. Me punën e tyre, sado modeste në pamje, ato transmetuan jo vetëm dijen por dhe vlerat e qytetarisë dhe kulturës. Në takim, të drejtuar me sportivitet dhe profesionalizëm nga Natasha, u shpalosën veçoritë e secilit abetareshkrues, rëndësia e tyre si gurthemeli i arsimit kombëtar si dhe u hapën diskutime në lidhje me problematikat që has sistemi arsimor sot, sidomos në përzgjedhjen e teksteve dhe në unifikimin dhe standartizimin e tyre. Në libër, është përfshirë dhe abetarja më e re e ideuar dhe hartuar nga studiuesja Shyti, e cila është frut i një punë disavjeçare dhe përben risi në lëmë të arsimit pasi përmban një aparat interaktiv dhe e bën atë lehtësisht të kuptueshëm dhe të përdorshëm edhe për fëmijët shqiptarë të lindur dhe rritur jashtë Shqipërisë. “Evolucioni i abetareve në Elbasan” vjen për lexuesin gati-gati si një vazhdim i natyrshëm i abetareve të përfshira në të. Urojmë autoret për këtë punë brilante dhe padiskutim me vlera të jashtëzakonshme, pasi siç u shpreh dhe znj. Poroçani: “Të duash gjuhën tënde është egzistenciale, por të punosh për ta shkruar, formuar dhe për ta përcjellë atë ndër breza është forma më puritane e atdhedashurisë dhe patriotizmit”. Dhe Natasha dhe Shqipja ia dolën ta bëjnë.
