Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Kadare në spektrin e bashkëkohorëve

Sado e ndryshme që të jetë Shqipëria nga Suedia apo Franca, ajo ka nxjerrë në dritë një gjeni. Kadareja njihet në të gjithë planetin; të kurorëzosh Kadarenë nuk do të thotë ta emanciposh atë: do të thotë të emancipoheni vetë ju.

Alain Bosquet  (Letër drejtuar jurisë së Çmimit Nobel)

 

“Kadare mundi titanët ndërkombëtarë të letërsisë me çmimin “Booker”. Roth, Grass, Updike, Lessing, Mc Ewan, Spark dhe Garcia Marquez janë titanët e letërsisë moderne, por çminin e parë ndërkombëtar “Booker” e fitoi gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare.”

                                          Gazeta “The Guardian”

 

“Kadare, një poet e romancier shqiptar, disa nga librat e të cilit u ndaluan nga regjimi komunist, mund katër fitues të Çmimit Nobel për të fituar çmimin ndërkombëtar Man Booker International. Ai konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mirë evropianë dhe është krahasuar me Gogolin, Kafkën dhe Orwellin”.

Gazeta “The Times”

 

Ismail Kadare është një shkrimtar që krijon hartën e një kulture të tërë, të historisë, pasionit, folklorit, politikës dhe katastrofat e saj. Ai është një shkrimtar universal, me një traditë narracioni që e ka origjinën që nga Homeri.

John Carey, (kryetari i jurisë të çmimit “Man Booker International”

 

Me njërën këmbë në Shqipërinë e moçme, gojore dhe legjendare, ende në rrëqethjen homerike, dhe, me këmbën tjetër në modernitetin më të spikatur dhe më finok, Kadareja gjendet në kapërcyell të të dy botëve, dhe nga kjo rrethanë e jashtëzakonshme vepra e tij krijon akorde të fuqishme dhe të goditura.

Dominique Fernandez

 

Zëri i tij është unik, ai nuk është fare i ngjashëm me atë që ne e quajmë shkrimtar “bashkëkohor”, megjithëse ai gjithnjë ka reaguar përballë kohës që jeton. Ta lexosh atë të duket sikur sheh pendulin e shekujve të historisë ballkanike, dhe të shkuarën dhe të ardhmen e Evropës që shkon sa para mbrapa.

Julian Evans (kritik letrar anglez)

 

Në vështrim të parë vlerësimi ndërkombëtar i autorit mund të të çudisë, sepse Kadareja shkruan kryekëput vetëm për Shqipërinë. Por ato ngjarje që s’ia vlen t’u hedhësh sytë në anë të botës, ai i shndërron në letërsi botërore.

Anjez Hyfner

 

Asgjë nuk mund të përballet me penën e hidhur të Kadaresë, që vërvit mbi Historinë njerëzore shpërthimin e një të qeshure shekspiriane. Kina e Kadaresë (Koncerti) me figurantët dhe sozitë e saj, është krejt e njëmendtë. Dhe kaq e stërmadhe saqë grotesku fiton përmasa kozmike.

André Clavel

 

Pjesë nga fjalimi i shkrimtarit Ismail Kadare me rastin e marrjes së çmimit “Man Booker International”

“Për një shkrimtar shqiptar nuk mund të kishte vlerësim më të madh. Ishte një mrekulli e ngjashme me ato të shkrimeve të shenjta. Shqipëria e vogël, e harruar, e ndarë nga bota, gati-gati e varrosur, dha një shenjë se ende ishte gjallë. Ajo dha shenjën se, ndonëse tirania e kishte lidhur këmbë e duar, shpirtin nuk ia kishte skllavëruar dot.

Ishte pikërisht kjo shenjë e dhënë nëpërmjet letërsisë dhe e kapur me fisnikëri nga ju, që bëri të mundur të pabesueshmen. Ajo bëri të mundur çmimin që më dhatë sot, ardhjen time në tokën e largët të Skocisë dhe, së fundi, vizitën që do të bëj nesër në shtëpinë e parë të imagjinatës sime, atë që më shumë se çdo ngrehinë tjetër, e ndezi fantazinë dhe pasionin tim për letërsinë, kështjellën e Makbethit, kryezotit të Glamsit.”

 

Leave a Reply