Në ditët e lindjes së dy piktorëve më të spikatur të epokës së tyre, Francisko Goja (30 mars 1746) dhe Vinsent van Gog (30 mars 1853), sjellim romanet biografikë kushtuar jetëve të tyre të vështira, plot sakrifica, varfëri, vetmi dhe luftë të brendshme, por plot pasion të jashtëzakonshëm për artin dhe jetën.
“Etja për jetë”, i autorit amerikan Irving Stone është romani që rrëfen jetën dhe shpirtin krijues të piktorit të madh Vincent van Gog. Botuar për herë të parë në 1934, kjo biografi e letrarizuar bazohet kryesisht në koleksionin e letrave midis Vincent van Gog dhe vëllait të tij më të vogël, tregtarit të artit Teo van Gog. Stone përshkruan me ndjeshmëri dhe thellësi psikologjike betejat emocionale të Van Gogut, marrëdhënien e tij të fortë me vëllanë Teo, si dhe përpjekjet e pareshtura për të gjetur kuptim dhe pranim në një botë që shpesh e refuzoi. Romani sjell në mënyrë të gjallë periudhën artistike të shekullit XIX, duke e bërë lexuesin të ndjejë ankthin, shpresën dhe dhimbjen që shoqëruan krijimin e veprave të pavdekshme. Përkthimi me mjeshtëri i Petro Zhejit ia shton edhe më shumë vlerat botimit në shqip të librit. Romani u adaptua në një film të vitit 1956 me të njëjtin emër me protagonist Kirk Daglas, i cili u nominua për katër çmime Oskar, dhe fitoi një.
* * *
Lion Fojhtvanger punoi rreth katër vjet për romanin biografik “Rruga e mundimshme drejt njohjes” duke e publikuar atë në 1950. Ai e quajti romanin si të përfunduar në vetvete, e ndërkohë mendonte të shkruante më vonë edhe një roman tjetër të dytë për jetën e piktorit Francisko Goja, gjë të cilën nuk arriti ta realizonte. Në këtë roman përshkruhet rruga e mundimshme drejt njohjes që përshkoi njëri prej më të mëdhenjve piktorë të Spanjës dhe, pa dyshim, më realisti prej tyre Francisko Gojas. Kur në fund, Goja arrin të gjejë rrugën e vet në art dhe në jetë, ai njëherazi arrin në përfundimin e madh dhe logjik se nuk mund të ketë kurrë art jashtë historisë. Përkthimi brilant i Robert Shvarcit e ruan të pastër mendimin dhe fuqinë e vargut të autorit. Në vitin 1971, romani u ekranizua dhe në Festivalin e Shtatë Ndërkombëtar të Filmit në Moskë fitoi një çmim special.
