Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

1 prilli festohet në shumë vënde anembanë botës si Dita e Gënjeshtrave dhe njerëzit bëjnë rrengje dhe shaka me njëri-tjetrin. Edhe pse nuk dihet saktësisht se si lindi kjo festë dhe kur e ka zanafillën, mund të themi se fëmijët sidomos por edhe të rriturrit që ia lejojnë vetës të argëtohen në këtë ditë, përfshihen duke bërë humor me të pavërteta, rrengje dhe shaka që u bëjnë të afërmve të tyre. Në letërsi, një personazh që gënjeshtrën e kishte pjesë të karakterit të tij si një reagim për të mbetur gjithmonë fëminor, naiv dhe gati-gati i papërgjegjshëm, është Pinoku, një figurë ikonike e krijimtarisë për fëmijë. Pinoku, një kukull që fiton mençuri përmes një sërë aventurash të këqija që e çojnë atë drejt shndërrimit në një njeri të vërtetë si shpërblim për veprat e tij të mira, kujtohet më shumë për fragmentet komike kur i rritet hunda sa herë ai thotë një gënjeshtër.

“Aventurat e Pinokut” u botua fillimisht në formë seriale si “Historia e një Kukulle” (italisht: La storia di un burattino) në “Giornale per i bambini” (Gazeta për fëmijë) midis 7 korrikut 1881 dhe 25 janarit 1883, dhe më pas u botua në formë libri në shkurt 1883, me ilustrime nga Enrico Mazzanti. Që atëherë, Pinoku ka qenë një nga librat më të njohur për fëmijë dhe është vlerësuar nga kritika. “Pinoku” ose njohur ndryshe si “Aventurat e Pinokut” është libri i tretë më i përkthyer në botë (240–260 gjuhë), si dhe vepra e parë e letërsisë italiane për fëmijë që arriti famë ndërkombëtare. Historia e Pinokut është ekranizuar në një sërë filmash të animuar dhe artistikë. Madje edhe në Shqipëri, Pinoku u vu në skenën e Teatrit të Kukullave në vitin 1975 deri në 1990.

Edhe në gjuhën shqipe, Pinoku ka njohur disa botime dhe akoma edhe sot mbetet ndër librat elitarë të letërsisë botërore për fëmijë.

Leave a Reply