Në Ditën Botërore të Librit dhe të të Drejtës së Autorit, 23 prill 2026, në sallën e bibliotekës u promovua libri më i fundit i studiuesit z. Agim Leka. I sjellë me një titull që të fton ta lexosh, libri studimor “Mendoj si europian” është rezultat i një pune disa vjeçare të autorit, i cili duke përfshirë tematika sa aktuale dhe problemore të shoqërisë shqiptare sot, e bën atë gati-gati si një udhëzues për zgjidhje aktuale por edhe si polemizues dhe provokues në të njëjtën kohë. Me një eksperiencë të gjatë në fushën e filozofisë dhe të mësimdhënies, autori Leka e sjell këtë libër për breza të ndryshëm e për studentë e studiues të fushave nga më të ndryshmet, sidomos atyre të shkencave shoqërore. Në këtë promovim, ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit lokal, pedagogë, studentë, studiues, intelektualë, miq e të afërm të autorit si dhe drejtuesit e shtëpisë botuese “Toena”, të cilët përgëzuan autorin për këtë botim të rëndësishëm dhe uruan që të pasohej nga të tjerë të po këtij niveli. Dhe ne, i urojmë jetë të gjatë autorit dhe rrugëtim të mbarë librit.
