Karl May (25 shkurt 1842 – 30 mars 1912) është padyshim shkrimtari i romaneve me udhëtime më i lexuar në hapësirën gjermanfolëse dhe vepra e tij vlerësohet, ndoshta, si më e lexuara pas Biblës së Martin Lutherit. Tregimet e tij të udhëtimit dhe aventurave, ishin më së shumti ato që portretizonin arabët e shkretëtirës dhe indianët e Amerikës në Perëndimin e Vjetër, dhe me përshkrimet e gjalla të peizazhit amerikan dhe Orientit, mahnitën breza lexuesish në Gjermani dhe jashtë saj.
Karl May është një figurë interesante dhe e shumanshme në letërsi, megjithatë, jeta e tij personale ishte larg shndritjes, e shënuar nga vështirësi me krimin, burgosjen dhe varfërinë para suksesit të tij të madh si shkrimtar. Kontradiktat personale të jetës së May, e kaluara e tij kriminale, tregimet e tij të shpikura të aventurës dhe fama e tij si shkrimtar i dashur, e shtojnë edhe më shumë mitin për të. Emocionet dhe idetë filozofike që ai iu vishte personazheve të tij, i lejuan lexuesit të besonin në autenticitetin e tregimeve.
Personazhet më të njohur të Karl May përfshijnë Winnetou, Old Shatterhand, Kara ben Nemsi, dhe Hadschi Alef me të cilët vetë autori identifikohej ngushtë. May vizitoi, vetëm në vitet e fundit të jetës së tij, Orientin dhe Azinë, që i kishte përshkruar me aq ngjyra në librat e tij. Megjithatë, ai përdorte rrëfimin në vetën e parë, gjë që i jepte lexuesit një përshtypje të besueshme të përvojës reale. Veprat e May janë përkthyer në mbi 30 gjuhë.
Romani “Udhëtim në trojet shqiptare” është libri i parë prej trashëgimisë së begatë letrare të shkrimtarit gjerman Karl May që botohet në gjuhën shqipe. Siç kuptohet edhe nga titulli, hapësira ku zhvillohen ngjarjet e këtij romani janë trevat e largëta të Shqipërisë së Veriut. Në ndjekje të një bande keqbërësish dhe grabitësish nëpër vendet e Ballkanit, rruga i sjell personazhet e këtij libri pikërisht në këto treva.
Heroi kryesor i romanit, me emër të arabizuar Kara Ben Nemsi, është një gjerman, i cili udhëton nëpër botë për të njohur vende dhe popuj të panjohur, traditat dhe zakonet e tyre. Gjatë udhëtimit të tij ai shoqërohet nga Haxhi Halef Omari, Omar Ben Sadeku dhe Oskoja. Me ta ai është njohur në rrethana aventurash të rrezikshme në vendet orientale, të cilat i kanë lidhur në miqësi të ngushtë. Njerëz me virtyte të larta njerëzore, në udhëtimet e tyre ata udhëhiqen nga synimi për të ndëshkuar të keqen dhe për të marrë në mbrojtje njerëzit që kanë nevojë për ndihmën e tyre. Pra, në ndjekje të bandës të keqbërësve nëpër Ballkan, rruga i çon në malet e Shqipërisë së Veriut. Këtu fillojnë aventurat dhe ndodhitë e çuditshme…
Shqiptarët, për shkrimtarin, në këtë krijim artistik, janë parë si lëndë letrare, imazhi për ta i shërbente atij për të krijuar një letërsi aventureske plot të papritura, rreziqe e peripeci, ku në fund do të fitonte gjithmonë e mira ndaj së keqes.
Veprat e May njohin edhe shumë ekranizime të nisura qysh në vitet ’20 të shekullit të shkuar, e vazhdojnë deri në vitet ’80 në formën e serialeve TV apo të filmave për kinema. Filmat që janë frymëzuar nga tregimet e May, si “Winnetou”, kanë pasur një popullarit të madh në kinemanë evropiane, veçanërisht me western-at e prodhuar në Gjermani dhe Itali, të njohura si Spaghetti Westerns ose Sauerkraut Westerns. Kara Ben Nemsi është shfaqur në serial televiziv me karakter aventuresk në ekranet gjermane në një periudhë dy vjeçare 1973-1975.
Megjithëse Karl May shkroi më shumë se 150 vjet më parë, për gjeneratat e reja, librat e tij vazhdojnë të jenë shumë të dashur. Vdiq në vitin 1912, në Radebeul, pranë qytetit të Dresdenit. Një shoqatë edhe një muze (ngritur qysh në vitin 1927), prej kohësh mbajnë emrin e tij, për të nderuar veprën që ai la pas.
Në këtë link mund të lexoni librin në origjinal në gjermanisht:
Durch das Land der Skipetaren: reiseerzählung. / Karl May, Dresden: Karl-May-Verlag, 1928
Ndërsa në këtë link, në youtube (format HD), mund të shikoni filmin Winnetou – ekranizim kinematografik i romanit me të njëtin titull i shkrimtarit Karl May, film i gjinisë western, prodhim gjermano-italian i vitit 1964:
