Në kuadër të punës që po zhvillohet për hartimin e “Enciklopedisë Shqiptare”, një nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, u zhvillua konferenca e parë shkencore ndërkombëtare me temë: “Enciklopedizmi dhe bota shqiptare”. Kumtesat u mbajtën paralelisht në tri salla të ndryshme. Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u mbajtën seancat me temat: “Një vështrim historik rreth dijes enciklopedike shqiptare” dhe “Tematikat në enciklopedi dhe veçori të enciklopedizmit në botën shqiptare”. Në sallën “Akademikët” (ASHSH) u zhvillua seanca me temën “Standardizimi gramatikor dhe historik i enciklopedizmit shqiptar”, ndërsa në auditorin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë u mbajt seanca “Enciklopedizmi dhe bibliotekonomia. Hartimi i Enciklopedisë shqiptare është një projekt që përfshin studiues dhe akademikë nga e gjithë hapësira shqipfolëse të cilët me kontributet e tyre serioze do të pasurojnë këtë enciklopedi e cila shënon një risi në botën akademike shqiptare. Biblioteka jonë u përfaqësua me kumtesën “Bibliografitë tematike të bibliotekës publike “Qemal Baholli” Elbasan drejt një enciklopedie të trashëgimisë së shkruar lokale dhe kombëtare”.
