Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Konceptuar si një vepër filantropie e familjes së nderuar Baholli, që në fillesat e saj, biblioteka krijoi bërthamën e fondit me materialet bibliotekare të cilat dhuroheshin kryesisht nga personalitetet e kohës, familjet e mëdha të qytetit, institucione të ndryshme si dhe persona të cilët kontribuonin vullnetarisht dhe simbolikisht për bibliotekën. Aktivitetin e saj me librin, biblioteka e nisi në vitin 1935, e cila që prej një viti tashmë, me përfundimin e ndërtesës, ishte marrë me pasurimin e fondit të saj. Duhet thënë se, familja Baholli, jo vetëm dhuroi truallin dhe ndërtesën, por ajo caktoi dhe një fond prej 2000 frangash i cili u përdor për blerje librash, gazeta e revista, materiale etj. 1000 titujt e parë të librave janë dhuruar nga Oborri Mbretëror.

“… Dhuronjësit e bibliotekës klasifikohen në: Dhuronjësit e tabllosë së nderit (të cilët i japin një përkrahje të vyer bibliotekës, duke sjellë 50 libra ose 50 franga ari) dhe Dhuronjësit e “librit të artë” (këta dhurojnë 150 libra, ose deri në 200 franga ari).”

Dhuronjësit:

L.M.E Tij Mbreti i Shqiptarëve;

Ministria e Arsimit;

Legacioni Amerikan, Francez, Gjerman, Italian, Japonez, Turk, dhe Rumun.

Familjet e nderuara, si: Nosi, Baholli, Floqi, Shuteriqi, etj.

Shtëpia botuese Albania (Kostancë), dhe ajo Luarasi

Universiteti i Edinburgut, Shkolla shqiptaro-amerikane, Shoqërija Nacionale “Dante Alighieri”, Bashkia Elbasan,

Sh. E tij Rauf Fico (Beograd); Sh. E tij Gen. A. Pariani (Romë); Sh. E tij Dr. Mirash Ivanaj (Tiranë) etj. (marrë nga Hylli i Dritës, 1938)

Ne sot u jemi mirënjohës këtyre e shumë të tjerëve të cilët nuk janë përmendur, pasi prej këtyre materialeve u krijua më vonë në bibliotekë ai që sot quhet “Fondi i ballkano-albanologjisë”, për të cilin themi me krenari që është ndër më të pasurit në vend.

Dhe në vitet në vazhdim, tradita e dhurimit vijon në bibliotekë. Përmendim Familjen Domi, e cila sipas amanetit të akademikut Mahir Domi, dhuroi bibliotekën e tij personale; Familja Deliana, Dakli, Popa, Dodbiba, etj.

Dhurata të shumta në materiale librore dhe serialë, na vijnë edhe nga fondacione, institucione, shoqata e ambasada të ndryshme, ku do të përmendja: Ambasadën Amerikane, Franceze, Iraniane, Japoneze, Ukrainase, etj., Ministrinë e Kulturës, Bibliotekën Kombëtare, Akademia e Shqipërisë, Shtëpia Botuese “Onufri”, Shoqata Alternativa e së ardhmes “ALSAR”, Fondacioni Kulturor Iranian “Saadi Shirazi”, fondacioni “Soros”, fondacioni “Liahona”, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante, Shoqatën e Arumunëve, Universitetin e Elbasanit, shkolla 9-vjeçare “Qamil Guranjaku”, Rotary Club Elbasan,  etj.

Në vitet 2009-2010 në bashkëpunimin me Projektin Slloven “Cobiss.net Faza I”, në kuadër të implementimit të rrjetit Cobiss në të gjithë bibliotekat e Shqipërisë, bibliotekës sonë i’u dhurua një sasi e konsiderueshme librash (një fond prej 10.000 euro) dhe kompjutera të cilët do të shërbenin në ngritjen e rrjetit komjuterik, duke ndihmuar kështu në krijimin e hapësirës digjitale në bibliotekë.

Binjakëzimet që biblioteka jonë ka me Bibliotekën Ndërkomunale të Prizrenit dhe atë të Bellunos në Itali, kanë bërë që ne të shkëmbejmë jo vetëm eksperienca por edhe materiale bibliotekare.

Dhe në fund, një falendërim i veçantë për të gjithë krijuesit elbasanas dhe më gjerë, të cilët nuk hezitojnë të sjellin kopje nga krijimtaria e tyre duke pasuruar vazhdimisht bibliotekën dhe fondin e saj si dhe një falënderim special shkon për të gjithë ata individë të veçantë që dhurojnë pjesë nga bibliotekat e tyre personale.

Në foton ilustruese janë përzgjedhur personalitetet sipas listës së paraqitur në shkrimin e vitit 1938.

 

 

 

Leave a Reply