Skip to content Skip to footer

“Dr. Dashuria”

Leo Buscaglia (31 mars 1924 – 12 qershor 1998), i njohur gjithashtu si “Dr. Dashuria”, ishte i pari që deklaroi dhe promovoi konceptin e nevojës së njerëzimit për përqafime: 5 për të mbijetuar, 8 për të vazhduar dhe 12 për të lulëzuar.
Buscaglia jepte mësim në Departamentin e Edukimit Special në Universitetin e Kalifornisë Jugore në fund të viteve 60-të, kur një nga studentët e tij kreu vetëvrasje. Ky incident e shtyu atë të formonte një lëndë të re të titulluar “Dashuria 1A”. Kjo ishte një lëndë pa kredite dhe pa nota, sepse sipas Buscaglias ishte e pamundur “të ngelje” dikë në këtë lëndë. Gjatë zhvillimit të leksioneve, materialet e përgatitura prej tij dhe gjithçka referohej aty, u përmblodhën në një dorëshkrim që më pas pa dritën e botimit si një libër jashtëzakonisht i suksesshëm nën titullin e thjeshtë dhe kuptimplotë “Dashuria”.
Orët e leksioneve të tij, u bënë aq interesante, saqë ato transmetoheshin në televizion duke prekur zemrat e shikuesve nëpërmjet prezantimeve bindëse dhe të ngrohta të Leos. Mesazhi i tij i thjeshtë i dhënë në një stil dinamik e bëri atë mysafir të njohur në emisionet televizive, si dhe në qarkun e leksioneve. Për këtë influencë që pati ai në vitet ’70-’80, Leo konsiderohet si “babai i folësve motivues” në televizion. Ndërkohë, librat e tij ishin në listën e “bestseller” të New York Times.
Buscaglia ishte i lidhur më së shumti me temën e dashurisë dhe marrëdhënieve njerëzore, duke theksuar vlerën e prekjes pozitive njerëzore, veçanërisht përqafimeve. Ky shoqërim me përqafimin u bë marka e tij në leksione, ku mijëra njerëz qëndronin me durim në pritje për ta përqafuar pas çdo prezantimi. Nuk ishte e pazakontë që ai të mbante një fjalim për rreth një orë, e më pas të qëndronte duke nënshkruar libra dhe duke u përqafuar me këdo që pristë në rradhë për të. Ndonjëherë, kur koha nuk mjaftonte, shumë njerëz zgjidhnin të merrnin përqafimin në vend të një autografi prej tij.
Librat e Buscaglias janë thesar frymëzues për ata që janë të gatshëm të pranojnë sfidën e jetës dhe të përfitojnë nga mrekullia e dashurisë. Mesazhet optimiste që ky autor i jashtëzakonshëm përcjell në librat e tij, kanë bërë që ai të fitojë zemrat e gjithë botës me besimin e tij mbi jetën, dashurinë dhe vëllazërinë.
“Jeta është pasuria jonë më e madhe dhe dashuria pohimi i saj më i madh. Të jetosh duke dashuruar veten dhe të tjerët përfaqëson sfidën më të madhe, aventurën më ngazëlluese dhe krijuese të ekzistencës sonë”.

Leave a Reply