Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Java e bibliotekave në Kosovë

Në edicionin i XXI të “Javës së Bibliotekave në Kosovë” (27 maj – 2 qershor 2024) përfaqsuese nga biblioteka publike “Qemal Baholli”, morën pjesë në sesionin e datës 31 maj, organizuar në bibliotekën ndërkomunale të qytetit të Prizrenit, me të cilën tashmë ne kemi një binjakëzim ndërinstitucional disavjeçar. Tematika e takimit të këtij viti  ishte “Transformimi i bibliotekave në Kosovë” dhe me këtë rast, përgjegjësja e bibliotekës Manjola Hatellari, mbajti një kumtesë me titull “Sfidat e Bibliotekës Publike Elbasan dhe transformimet e shërbimeve të saj ndër vite”.

Mbështetur nga Ministria e Kulturës, “Java e Bibliotekave në Kosovë” është kthyer tashmë në një traditë të përvitshme në të cilën përfshihen veprimtari me shumë aktivitete në të gjitha bibliotekat e Kosovës të cilat kanë si synim rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për bibliotekat e Kosovës dhe transformimin e tyre.

Më poshtë gjeni referatin e drejtueses Manola Hatellari në këtë takim.

Sfidat e Bibliotekës Publike “Qemal Baholli” Elbasan dhe transformimet e shërbimeve të saj ndër vite

Biblioteka publike “Qemal Baholli” Elbasan është ndër bibliotekat e para institucionale në Shqipëri e ngritur dhe ideuar si një vepër filantropie e Familjes Baholli. Elbasanit, qytetit tonë, nuk i kanë munguar asnjëherë njerëzit me shpirt të madh, që pasuritë e tyre i vunë në shërbim të arsimit, kulturës dhe zhvillimit; një nga ata ishte dhe Nazif Baholli, i cili në kujtim të të birit Qemalit, që u nda nga jeta në një moshë mjaft të re, i bëri qytetit dhuratën më të bukur BIBLIOTEKËN. Godina e Bibliotekës përfundoi së ndërtuari në korrik të 1934 dhe për një vit u pajis me rafte dhe libra, të cilat ishin po dhuratë nga shumë intelektualë të familjeve elbasanase të cilët dhuruan libra, gazeta, revista, etj. Oborri mbretëror i dhuroi bibliotekës 1000 libra. Në 21 korrik të vitit 1935 biblioteka publike qendrore iu dorëzua Bashkisë duke u bërë një institucion publik në shërbim të zhvillimit kulturor të Elbasanit. Prej datës së inagurimit, biblioteka merr titullin “BIBLIOTEKA PUBLIKE QEMAL BAHOLLI”, emër që e mban dhe sot, në vitin e 90-të të funksionimit të saj.

Në bibliotekën tonë, që në fillimet e saj e deri më sot kanë hyrë rreth 200.000 ekzemplarë libra e periodikë. Pjesën më të madhe të fondit e zenë librat në gjuhën shqipe dhe pjesa tjetër janë botime në gjuhë të huaj si dhe koleksione periodiku. Biblioteka e Elbasanit radhitet ndër bibliotekat e pasura të vendit me literaturën e orientalistikës, me fondin e periodikut të vjetër dhe mbi të gjitha me fondin me vlera të veçanta të Albano-Balkanologjisë.

Gjatë gjithë viteve të ekzistencës së saj, biblioteka jonë është dëshmitare e një historie përpjekjesh e angazhimesh e të gjithë stafit të saj ndër vite, për ruajtjen, pasurimin dhe vënien në përdorim të të gjithë dijes dhe informacionit të grumbulluar, ndaj komunitetit, jo vetëm elbasanas, por edhe më gjerë.  Në vitet 1965-1968, u sistemuan librat dhe materialet bibliotekare sipas shkencës së bibliotekonomisë me rregulla shkencore bazuar në sistemin botëror të klasifikimit KDU, u ngritën skedarët e parë tradicionalë (alfabetik dhe sistematik) si burime informacioni dhe lehtësi kërkimi për komunitetin dhe punonjësit.

Më pas në vitet ’70 domosdoshmëri ishte kualifikimi i punonjësve të cilët ndoqën shkollën 2-vjeçare të Bibliotekonomisë pranë Bibliotekës Kombëtare, shkollë e cila ka vlera të patjetërsueshme dhe të pazëvendësueshme, ku bibliotekarët marrin njohuritë e duhura në shkencën e bibliotekonomisë sipas standarteve bashkëkohore. Kjo shkollë vazhdon edhe sot duke i kualifikuar dhe trajnuar të gjithë punonjësit e bibliotekave në seminare të vazhdueshme për aftësimin në informacion. Risi e këtyre viteve është dhe ngritja e Kartotekës Krahinore, një punë në vazhdimësi edhe sot e kësaj dite.

Në fillim të viteve ’80 u ngritën Bibliotekat Ambulante, gjë që i vinte në ndihmë qarkullimit të librit dhe shtimit të anëtarësisë. Paralel me të, është bërë një punë intensive për propagandimin e librit si dhe një punë metodike për kualifikimin e punonjësve të bibliotekave të shkollave, ndërmarrjeve, shtëpive e vatrave të kulturës. Bibliotekat ambulante janë një praktikë e punës sonë edhe sot, nën moton “Të shkojë libri tek lexuesi”.

Në vitet ’90, vitet e ndryshimeve të mëdha politike, biblioteka përballet me sfida të reja të kohës. Në bashkëpunim me BK, biblioteka jonë u bë pjesë e projektit “Për një Shoqëri të hapur”; një program ky i bibliotekave mbi automatizimin, kompjuterizimin, rolin e saj në një shoqëri demokratike, menaxhimin e projekteve inovatore në biblioteka.

Në vitin 1995, u pajisëm me kompjuterat e parë. Në këto vite u thelluan shumë punimet kërkimore shkencore nga stafi, të cilat kurorëzoheshin nga bibliografitë e ndryshme tematike.

Vitet 2000 janë vite të transformimeve të mëdha si për rikonstruktimin e bibliotekës ashtu dhe për zbatimin e projekteve të ndryshme në përgjigje zhvillimeve globale të marrjes së informacionit. Falë projektit slloven, bibliotekës iu dhuruan kompjutera dhe fotokopje aq të domosdoshme për procesin e punës në bibliotekë. U hodhën hapat e para të digjitalizimit të cilat fillojnë me hedhjen në kompjuter të librave e inventarit, gjë kjo që ishte lehtësi kërkimi për punonjësit. Gjithashtu u skanua periodiku i vjetër lokal, si dhe librat më të hershme të bibliotekës si “Luftrat iliro-romake” nga Appiani – bot i vitit 1526; “Doktrina e Krishterë” e Pjetër Budit botim i vitit 1664 etj.

Vitet që pasojnë janë vite të një zhvillimi të madh të teknologjisë dhe informacionit. Para bibliotekave dalin sfida të reja e të mëdha. Tashmë vizioni për bibliotekat e së ardhmes është “Bibliotekat pa mure”. Përballja me sfidat sot nuk është vetëm e jona, kjo është një sfidë globale. Sot jetojmë në kohën e një zhvillimi të madh teknologjik. Bota po shkon drejt përdorimit dhe shfrytëzimit të inteligjencës artificiale. Qasja ndaj librit ka ndryshuar. Lexuesit kanë ndryshuar; kemi lexues fizikë dhë lexues virtualë. Kurrsesi nuk mund të themi që kemi më pak lexues se më parë.

Pyetja primare që ne si bibliotekarë përballemi sot është: Pse në sallë ka më pak lexues se më parë?

Ç’duhet të bëjmë ne për këtë? Si ta zgjidhim këtë problem? Biblioteka jonë ka ndërmarrë disa hapa të cilët konsistojnë në:

  1. Së pari, duhet të ndryshojmë format dhe duhet të dëgjojmë lexuesit e rinj të shek XXI. Krahas sallës që kemi në bibliotekë, ne kemi zgjedhur dhe forma të tjera të marrëdhënies me librin siç janë:

A – platforma apo rrjetet sociale (biblioteka ka faqen e saj të web-it, facebook, instagram)

B – tryeza e rrumbullakët ku dëgjohet zëri i të rinjve

C – promovime librash të rinj

D – vizitat e nxënësve dhe studentëve në bibliotekë dhe anasjelltas.

  1. Së dyti, duhet të jemi cilësorë në përzgjedhjen e librave. Roli i bibliotekarëve është i pazëvendësueshëm; ne jemi ura lidhëse midis librit dhe lexuesit fizik dhe virtual, se jemi po ne që pasqyrojmë librat në internet, i bëjmë ata lehtësisht të kërkueshëm nëpërmjet hedhjes së bazës së të dhënave, skedarëve elektronikë, etj. Kushdo që vjen për studime të thelluara në bibliotekë, jemi po ne që do u sygjerojmë bibliografitë tematike, burimet referative, informacionin korrelativ që ato të orientohen dhe të kenë lehtësi në studimet e tyre. Pavarësisht gjithë këtyre zhvillimeve teknologjike dhe inteligjencës artificiale theksoj përsëri se, roli i punonjësit të bibliotekës do të jetë i pazevendësueshëm. Ai duhet të jetë avangardë, në pararojë të teknologjisë në dobi të përdoruesit.
  2. Së treti, digjitalizimi dhe puna që po bëhet për krijimjin e bazës virtuale të të dhënave.

A – Digjitalizimi online i librave të albanologjisë. Deri më tani në faqen tonë të web-it janë të aksesueshme; 47 libra, 176 gazeta, 58 revista. Në lidhje me këtë fond, ne kemi një vëmendje të veçantë duke punuar për evidentimin e vlerave të rralla që ka ky fond duke bërë bibliografi të ndryshme tematike, ekspozita tematike, fletëpalosje, etj.

B – Krijimi i skedës elektronike në sitemin ndërkombëtar Cobiss. Që prej dy vitesh, tashmë biblioteka është pjesë e këtij sistemi me të drejta të plota, duke dhënë dhe marrë informacione dhe të dhëna në mënyrë periodike dhe progresive, duke kualifikuar vazhdimisht punonjësit, duke marrë asistencë etj. Aktualisht, po punohet me përpilimn e skedës për hyrjet e reja në bibliotekë, pasi pasqyrimi retrospektiv kërkon kohë dhe do bëhet në vazhdimësi.

Në bibliotekën tone ecim me parimin “Life Long Learning” që do të thotë “Të mësuarit gjatë gjithë jetës”, dhe këtë mundësi ta jep vetë biblioteka. Pra, që ne t’i përgjigjemi kërkesave të lexuesit duhet të ecim me hapin e kohës.

Sot mund të themi që transformimi i bibliotekave, synon rritjen e shërbimeve bibliotekare dhe zhvillimin e të gjitha llojeve të koleksioneve të saj, duke synuar njëkohësisht promovimin e bibliotekave dhe të shërbimeve të tyre, si dhe rritjen e numrit të përdoruesve.

 

 

 

Leave a Reply