Në ditën e 1 dhjetorit të vitit 1909, në kërthizë të Shqipërisë në Elbasanin e bukur, u hap Shkolla Normale, e para shkollë e mesme në gjuhën shqipe, misioni i së cilës ishte përgatitja e mësuesve për shkollat shqipe. Në shtypin e kohës shumë personalitete si brenda dhe jashtë vendit kanë dhenë vlerësime maksimale për këtë shkollë. Asdreni e quan atë: “… një tempull të ri të arsimit kombëtar. Në këtë tempull shqiptarët do të gjejnë gjithshka që ju duhet për një jetë të re, do të gjejnë qetësinë, prehjen e shpirtit dhe trupit.”
Në kuadrin e 100-vjetorit të Normales, në gazetën “Mësuesi” të datës 1 shkurt 2009, shkruhet: “Rruga 100-vjeçare e kësaj shkolle është pa dyshim një ndër kontributet më të rëndësishme të intelektualëve elbasanas dhe të gjithë Shqipërisë.”
Në kujtesë të kësaj ngjarjeje të rëndësishme, në sallën e bibliotekës janë ekspozuar libra dhe revista të cilët lidhen me veprimtarinë e kësaj shkolle dhe evidentojnë vlerat e saj.