Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

“Shtëpia me dy çati” – romani më i ri në bibliotekë

Në një atmosferë mes miqsh dhe dashamirës të librit, shkrimtari elbasanas Rezart Palluqi, prezantoi romanin e tij më të fundit, “Shtëpia me dy çati”, një vepër që sjell një rrëfim të thellë dhe të ndjerë mbi jetën, kujtesën historike të popullit shqiptar dhe ndarjet – si ato fizike, ashtu edhe ato shpirtërore.Një analizë të imtësishme të romanit, si nga ana përmbajtësore dhe gjuhësore solli Verjon Fasho, i cili vuri theksin në stilin e veçantë të autorit që me një gjuhë të pasur dhe të kursyer njëkohësisht, arrin të prekë thellë lexuesin. Hyqmet Zane dhe Ahmet Mehmeti ndanë mendimet e tyre mbi ngjarjet e romanit, duke ndriçuar aspektet historike dhe sociale që pasqyrohen në libër, dhe duke nënvizuar rëndësinë e shkrimit të tillë si dëshmi dhe reflektim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Në fjalën e tij, Eduart Hoxholli, vlerësoi krijimtarinë e Rezart Palluqit si një zë origjinal në letërsinë shqipe, që arrin të ruajë autenticitetin gjuhësor dhe shpirtëror me të vërtetat e tij të pacensuruara dhe qasjen dhe ndjeshmërinë që ka Rezarti ndaj ngjarjeve kyç të historisë shqiptare.

Shkrimtarja Ildije Xhemali foli për dramën që shoqëron këtë libër, atë të Çamërisë, e cila është sa e pazgjidhur aq edhe e ndjeshme për të gjithë ne. Njëherazi ajo evidentoi gjuhën e larmishme dhe subjektin interesant të përzgjedhur nga Rezarti në librin e tij më të fundit.

Beneta Dhima, referoi mbi rolin e shkrimtarëve të diasporës në ruajtjen e gjuhës shqipe. Ajo vuri në dukje se këta autorë, ndër të cilët është dhe Rezarti, nuk janë vetëm zëra letrarë, por edhe ura lidhëse mes vendeve ku jetojnë dhe Shqipërisë, duke mbajtur të gjallë kulturën dhe identitetin tonë përmes letërsisë. Nxënëset me pyetjet e tyre e bënë akoma më interesant takimin pasi i krijuan mundësinë autorit të shprehte dhe për ato gjëra të cilat nuk janë shkruar në libër por nënkuptohen dhe përcjellin mesazhe. Romani është fitues i çmimit “Azem Shkreli”, që ndahet çdo vit për shkrimtarët e diasporës shqiptare.

Më poshtë gjeni të plotë fjalën e z. Eduart Hoxholli, z. Verjon Fasho dhe znj. Beneta Dhima.

 

Për mikun tim, Rezart Palluqi

Dy fjalë zemre për Rezart Palluqin, rrëfimtar autentik, besnik i vendlindjes, Elbasanit që përjetoi e sfidoi vuejtje në kafazin komunist, njohës i mirëfilltë i jetës me stilin e kandshëm rrëfimtar e me fjalor bujar, jo vetëm më ka imprsionue, por më ka bërë të ripërjetoj vite e copëza jete nga jeta ime.

“Njëqind e nëntëdhjetë e tre kafazet” jetësohet e merr zë nga zëri i veçantë e zgjimor i Rezartit duke i dëshmuar botës letrare jo vetëm ndjeshmërinë e tij të lirë e humane por edhe tue i kujtue shumëkujt: Mos harro!

Sa herë që vetmia ime më rëndon më vijnë si rreze shprese postulatet e papërsëritshme të Rezartit:

“Je skllav i përjetshëm nëse nuk do të bësh dialog!”

“Këpuca e shqyer qepet vetëm me dhëmbët e qenit që e kafshoi!”

“Diktaturat janë të pathyeshme kur ato martohen me artin!”

Miku im, të përgëzoj jo vetëm për romanin tënd, por për qytetarinë tënde, fisnike që i jep frymëmarrje, jetë e liri dinjitetit e vlerave njerëzore. Krejt i thjeshtë, si vala e lehtë që i qaset bregut, proza jote është një qasje lartësuese ndaj njerëzve në histori skalitur me dramat dhe qëndresat e veta të gdhendur bukur me mjeshtëri artistike të rrallë.

Në çartallosjen vjeshtake të kësaj të sotmeje gjetherëne, uroj nga zemra mos ndaltë së rrëfyeri shpirti dhe pena jote e mirësisë.

Zëri i fshehtë i shpirtit tënd të bukur, me dritën e Zotit, u dëgjoftë!

Bëje heshtjen të flasë

bëji kujtime të zgjohen,

harresa, zilia le të plasë

veç zemrat nga e keqja të çlirohen!

Eduart Hoxholli

Elbasan, 8 tetor 2025

 

“Shtëpia me dy çati” – Rezart Palluqi

Romani “Shtëpia me dy çati” i shkrimtarit Rezart Palluqi është një vepër që përzien dramën njerëzore me reflektimin filozofik, ironinë me dhembjen, realen me metaforën. Është historia e një njeriu që, duke u rrekur të ndërtojë një strehë mbi strehën e kahershme, një çati mbi çatinë ekzistuese,  mundi të zbulojë jo vetëm ndarjet e botës përreth, por edhe ndjesitë më të thella të shpirtit të vet. Kjo shtëpi me dy çati nuk është thjesht një ndërtesë fizike; ajo është një metaforë e qenies së ndarë, e njeriut modern që jeton mes besimit dhe dyshimit, mes dashurisë dhe xhelozisë, mes arsyes dhe paranojës.

Në qendër të romanit qëndron rrëfimtari, një intelektual grek me rrënjë helene, studiues i epokës së Mesjetës së hershme, i zhytur në përplasjen midis qytetërimit të lashtë helen dhe atij bizantin. Në dukje, ai është etaloni i njeriut të kulturuar, i dhënë pas librave dhe filozofisë, por në thelb është një shpirt që rënkon nga dyzimet, xhelozia për ato që i konsideron të çmuara dhe përplasja herë me veten e herë me konvencionet sociale. Ai përpiqet më shumë të ruajë “çatinë e parë” për librat e stërgjyshërve helenë sesa “çatinë e dytë” për botën e gruas së tij bizantine, por pas këtij dallimi arkitektonik fshihet një përpjekje gati e dëshpëruar për të ruajtur identitetin e vet përballë rrënimit moral dhe kulturor të shoqërisë.

Ngjarjet që ndodhin (dyshimi për tradhti, përplasjet me arkitekt Andonin, konflikti me të shoqen Kristinën dhe me institucionin e fesë) janë vetëm pasqyra të një lufte më të thellë shpirtërore. Këtu autori na fton të shohim përtej rrëfimit, përtej ndodhive familjare: ai na vë përballë pyetjes së përjetshme “A na shpëton një çati e dytë nga barbaria e një shoqërie qe e ka humbur toruan?” Sepse çdo çati, çdo shtresë, është një mbrojtje ndaj dhimbjes, një përpjekje për të ruajtur diçka nga rrënimi. Por ndërsa njeriu shton çati mbi çati, si mburojë mbi mburoja, shpëton përkohësisht trupin, por ndydh shpirtin; shpirti humb ndriçimin, dhe kjo dritë, në këtë roman, është e vetmja që mund ta shpëtojë atë nga errësira e fajit.

Përmes një stili që përvijohet midis rrëfimit realist dhe ironisë tragjike, autori ndërton një botë ku kufiri midis të shenjtës dhe profanes, midis së vërtetës dhe iluzionit, bëhet gjithnjë e më i paqartë. Protagonisti, hera-herës i pushtuar nga xhelozia, nga ndjenja e humbjes së asaj çka ështe e shtrenjtë dhe e fajit të të qenurit i bobët, zbret ngadalë drejt një gjendjeje që e shpie ne kufijtë e delirit. Dhe ndërsa lexuesi ecën bashkë me të, ndjen se nuk ka të bëjë më me një histori dashurie apo tradhtie, por me një rrëfim për rrënojat e ndërgjegjes njerëzore.

Një nga shtyllat më të forta të romanit është kontrasti i identiteteve: greku dhe bizantini, i lashti dhe i krishteri, racionali dhe mistiku. Nëpërmjet këtij kontrasti, autori trajton një temë që i kapërcen kufijtë kombëtarë: përplasjen midis traditës dhe modernitetit, midis njeriut që kërkon kuptim në rrënjët e veta dhe botës që e tërheq drejt sipërfaqes së zhveshur nga vlerat. Kjo ndarje shfaqet jo vetëm te personazhet, por edhe te gjuhë: rrëfimtari flet me tonin e arsyes, ndërsa bota rreth tij i përgjigjet me zëra shterpë, ritualesh dhe dogmash.

Në thelb, “Shtëpia me dy çati” është historia e njeriut që kërkon të jetojë në një botë më të mirë, më të paqtë, më humane, dhe përfundon tragjikisht i burgosur në shtetin e tij, nga vetë shteti i tij. Kjo burgosje e personazhit kryresor në përfundim të romanit ështe një lloj vrasjeje e rafinuar që ingranazhi shtetëror i bën atij në rrafshin shpirtëror dhe institucional.

Stili i Rezart Palluqit është i veçantë: i pasur me imazhe, me ngjyrime filozofike dhe me një humor të hidhur që shërben si mburojë ndaj tragjedisë. Ai e njeh mirë ironinë e fatit dhe përdor gjuhën si pasqyrë të vetvetes. Fjalia e tij herë rrjedh si lumë i ngadaltë me vale medituese, herë shpërthen me rrëfimet si kratere vullkani. Ka çaste ku proza e tij merr ngjyrime poetike, si në vargjet e brendshme që përshkojnë romanin: “Qysh kur qirinjtë i ndezim bashkë, muret e odës sonë nuk janë sterrosur më…” , një fjali që i përngjan një psalmi dashurie, por që, në kontekstin e veprës, bëhet si një psherëtimë e ndarjes dhe fajit.

Simbolika e dy çative është emblema dhe fryma e gjithë veprës. Njëra çati është streha e mendjes, e arsyes, e trashëgimisë; tjetra, streha e ndjenjave të përçdnuara, e besimit të verbër, e kaosit të një realiteti pa trajtë. Midis tyre qëndron njeriu, që përpiqet t’i ruajë të dyja, por, pas shumë goditjesh të njëpasnjëshme, përfundon duke i rrëzuar të dyja njëherësh. Në këtë kuptim, “shtëpia me dy çati” është edhe metafora e shpirtit njerëzor, që ngre mure për t’u mbrojtur, por harron se çdo mur është destinuar të shembet.

Kështu, ajo që fillon si një ide e thjeshtë arkitekturore shndërrohet në një alegori të thellë ekzistenciale: përpjekja e njeriut për të ndarë të vjetrën nga e reja, të shenjtën nga profanja, e që përfundon duke u flijuar si një Promete .

Në plan më të gjerë, romani ngre pyetje mbi besimin dhe hipokrizinë, mbi moralin shoqëror dhe atë personal, mbi identitetin kulturor dhe humbjen e tij në botën moderne. Autori na tregon se njeriu shpesh ngre çati për t’u mbrojtur nga të tjerët, por e ka të pashmangshme të shpëtojë nga rrathët e ferrit dantekst: rrethi i parë, familja e tij, që janë bashkëshortja dhe i vëllai; rrethi i dytë të afërmit, kumbari, e miq të familjes; rrethi i tretë, njerëzit e atij vendi, Pargws, të mbrujtur me ide të gabuara; rrethi i katërt, konvencionet shtetërore, nacionalizmi grek dhe burokracia; rrethi i pestë, gjithë bota e përgjumur në indiferencën e saj…

Në fund, “Shtëpia me dy çati” mbetet një roman që nuk lexohet vetëm për historinë që rrëfen, por për pyetjet që lë pezull. Ai nuk ofron përgjigje, por pasqyra. Në secilën prej tyre, lexuesi sheh veten, me dyzmet, me dritat, me errësirat e veta. Sepse, në thelb, secili prej nesh ka një shtëpi brenda vetes, të cilës i nevojitet një çati e dytë”: një strehëz ku të ruajë atë çka ka mbetur nga vlerat e pastra morale, ende të papërlyera nga gjirizet e modernes.

Panajoti rrëmbeu dhe valëviti flamurin e së vërtetës. Me këtë akt trimërie ai u bë sivëlla i Mersoit të Kamysë, i Zhanvalzhanit të Hygoit, i doktor Stokmanit të Ibsenit; pra një “armik i popullit”.

Verjon Fasho

Elbasan, 8 tetor 2025

 

Shkrimtarët shqiptarë në diasporë: Ambasadorë të kulturës dhe gjuhës

Letërsia shqiptare nuk njeh vetëm kufijtë gjeografikë të Shqipërisë, por është pasuruar ndjeshëm nga autorë që jetojnë dhe krijojnë në diasporë. Këta autorë jo vetëm që mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgatë, por edhe e pasurojnë atë duke botuar broshura, almanakë, antologji, organizojnë konkurse, panaire dhe kjo gjë është për tu vlerësuar, pasi në këtë mënyrë, veprat e tyre lexohen jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga një audiencë ndërkombëtare, duke ndihmuar në njohjen e historisë dhe përvojës shqiptare në botë. Emra si: Lea Ypi, Angela Kosta, Laura Olldashi, Përparim Kapllani, Anilda Ibrahimi, Elvira Dones, Luljeta Lleshanaku e shumë të tjerë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve të vlerësuar ndërkombëtarisht dhe përkthyer në disa gjuhë, sjellin një pasqyrë të pasur të përvojës shqiptare në mërgim, duke ndërtuar ura kulturore mes vendeve ku jetojnë dhe vendit të tyre të origjinës. Disa prej tyre shkruajnë në gjuhën shqipe, ndërsa të tjerë kanë gjetur jehonë në gjuhë të huaja si italishtja dhe anglishtja. Përmes poezisë, prozës së shkurtër, romaneve apo eseve autobiografike, këta autorë sjellin një pasqyrë të pasur të përvojës shqiptare në mërgim. E solla këtë subjekt këtu, pasi dhe Rezarti është pjesë e autorëve të diasporës, i cili me krijimet e tij mban të gjallë kujtimet për vendin e tij, njerëzit, fqinjët, problematikat që ato kanë, duke i pasqyruar ato qartë dhe pa filtra. Në emër të bibliotekës, i urojmë autorit krijimtari të begatë dhe rrugëtim të mbarë librit!

Beneta Dhima

Elbasan, 8 tetor 2025

 

 

Leave a Reply