Në rubrikën “Biblioteka e nobelistëve”, sjellim autorin, tregimtarin, skenaristin dhe gazetarin, Gabriel Garsia Markez, lindur #sisot, më 6 mars 1927. Ai është një nga përfaqsuesit kryesorë të realizmit magjik në letërsi, një zhanër në të cilin narrativa kornizë vendoset në një vend dhe kohë reale, por elementë të mbinatyrshëm dhe ëndërrimtarë janë pjesë e portretizimit. Romanet “Vjeshta e Patriarkut” (1975), “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” (1981) dhe “Dashuria në kohën e kolerës ” (1985) e pozicionuan si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Amerikës Latine të të gjitha kohërave. Por suksesi ndërkombëtar i Garsia Markezit erdhi me romanin “Njëqind vjet vetmi” (1967). Në vitin 1982 i jepet çmimi Nobel në letërsi me motivacionin: “për romanet dhe tregimet e tij të shkurtra, në të cilat fantastikja dhe realiteti kombinohen në një botë të pasur imagjinate, që pasqyron jetën dhe konfliktet e një kontinenti”. Pothuajse e gjithë krijimtaria e tij është sjellë në shqip dhe është pjesë e fondit të bibliotekës sonë.