Skip to content Skip to footer

Pesha e pafajësisë së Primos

Patëm kënaqësinë të kishim në sallën e bibliotekës autorin e mirënjohur, Primo Shllaku, i cili promovoi librin e tij më të fundit “Pesha e padurueshme e pafajësisë”. Ky libër është vlerësuar vjet me çmimin “At Gjergj Fishta” si romani më i mirë në konkursin letrar 2023. Marini, personazhi kryesor i librit, nuk e ndan botën në sisteme politike; ai e ndan atë në njerëz të pafajshëm e që të tillë duan të mbesin dhe në njerëz që nuk duan të jenë të tillë. Dhe janë pikërisht këta njerëz që e bëjnë kohën. Ky libër është shkruar konkretisht për Shkodrën dhe për personazhe të qytetit e të rrethinave: gjuha e autorit, përshkrimet, dialoget mes shkodranëve janë në gegnishten letrare dhe të standardizuar në një masë të kënaqshme, gjë që e bën këtë roman unik në llojin e tij dhe e vë në të njëjtën lartësi me autorët shqiptarë në pjedestal të letërsisë kombëtare. Në panel ishin Migena Kapllani dhe Marsela Neni, të cilat me analizën e tyre të imtësishme zbërthyen simbolikën e personazhit kryesor, moralit, frikës, talentit të tij, dinamikave të ngjarjeve, zhvillimit dhe zgjidhjes së konflikteve dhe pikave kyçe në roman. Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit në takim dhe autorit i urojmë suksese të mëtejshme dhe krijimtari të begatë.

Leave a Reply