John Galsworthy (14 gusht 1867 – 31 janar 1933), romancier dhe dramaturg i njohur anglez, laureat i çmimit “Nobel”, u shua #sisot 93 vjet më parë dhe dy muaj pasi e fitoi këtë çmim, ceremonia e dorëzimit të të cilit është mbajtur në 10 dhjetor 1932, Stokholm, Suedi.
Pak fjalë mbi përmbajtjen:
Novela “Lulet e mollës” tregon historinë e Migen, një fshatare e thjeshtë 17 vjeçare, e cila bie në dashuri me një djalosh të shtresës së lartë, Frenk Esherstin, një student që kishte ardhur nga Londra dhe qëndron disa ditë në fermën e prindërve të saj. Eshersti i premton se do ta marrë me vete në Londër dhe ajo do të jetë gruaja e tij. Në ëndërrimet e saj, Migen shikonte ikjen nga fshati dhe jetën e lumtur pranë Esherstit. Por këtij i duhet të zgjedhë dikë tjetër për grua, ndërsa Migeni në pritje të përmbushjes së premtimit, të kthimit të Frenkut, shkoi vetë në Londër për t’a kërkuar dhe gjetur atë. Por në fund …
Një libër që të përlot, pasi të ka ofruar fillimisht një botë kaq të pastër ndjenjash. I konsideruar si një nga novelat më të mira të dashurisë. Fundi tragjik i Migen është realiteti i kohës kur është shkruar vepra. Vdekja e saj është një tregim për dashuritë e pamundura, një anglez i sërës së lartë të epokës viktoriane, nuk mund të martohej asnjëherë me një vajzë ferme edhe nëse e donte atë.
Libri është botuar për herë të parë më 1917, me titullin origjinal “The apple tree”. Historia është adoptuar për film, me titullin “A Summer Story”, 1988.
Në Shqipëri, “Lulet e mollës”, është botuar për herë të parë në 1961, pasuar nga një tjetër botim në 1963, përkthim i Nasho Jorgaqit, shtëpia botuese “Naim Frashëri” dhe deri në 2025, nga botues e përkthyes të ndryshëm, është botuar dhe shtatë herë të tjera.
- Shkëputur nga “Lulet e mollës”
”… Ajo rrëshqiti pa zhurmë, pa zhurmë si hije përmes pemëve. E pa kur i erdhi fare pranë, në errësirë trupi i saj u shkri pas trungut të mollës, fytyra e zbehtë humbi mes pemëve të lulëzuara. Rrinte krejt e heshtur, me sytë mbërthyer tek ai.
– Migen! – pëshpëriti ai dhe zgjati duart.
Ajo iu lëshua drejt e në gjoks. Ershesti dëgjoi rrahjet e zemrës së saj pranë vetes, në atë çast i mbërthyen njëherësh pasioni dhe një ndjenjë kalorsiake. Ajo nuk ishte nga rrethi i tij, por ishte aq e thjeshtë, aq e re dhe aq e pastër, aq e dashur e aq e pambrojtur – e si të mos ishte ai mbrojtësi i saj në errësirë? Po, ajo ishte vet natyra me tërë thjeshtësinë dhe bukurinë e saj, ishte pjesë e asaj nate pranverore si këto petale të trandafilta; si të mos pranonte gjithçka që i dhuronte ajo, si të mos i hapte derën pranverës që kishte trokitur në zemrën e tyre? Dhe duke u lëkundur midis këtyre dy ndjenjave, ai e përqafoi fort dhe i puthi flokët. As ai s’e dinte sa qëndruan ashtu pa folur asnjë fjalë. Përroi vazhdonte të gurgullonte, bufi këlthiste si më parë dhe hëna ngjitej përherë e më lart, duke u bërë gjithmonë e më e zbehtë, lulet përreth dhe mbi kokën e tyre shkëlqenin gjithë jetë e me një bukuri të trishtuar. Buzët e tyre kërkuan në heshtje njëra-tjetrën. Sikur të hapnin gojën, çdo gjë u prish. Pranvera nuk ka fjalë, por vetëm shushërima e pëshpëritje. Pranvera ka diçka që është më e bukur se sa fjalët e që gjendet te lulet dhe gjethet që çelin, te gurgullima e përrenjëve të saj, te dëshirat e zjarrta e të ëmbla. Nganjëherë pranvera vjen e të rrethon nga të tëra anët, si dëshmitare e fshehtë, duke i marrë të dashuruarit në krahët e saj, i prek me shkopin e saj magjik, dhe ata, ashtu buzë më buzë, harrojnë gjithçka përveç puthjeve.
Zemra e vajzës rrihte në gjoksin e tij, buzët i dridheshin në buzët e tij dhe Eshtoni nuk mendonte më asgjë tjetër pasi ishte pushtuar i tëri nga një lumturi hyjnore – po! Fati i kishte caktuar atë vajzë dhe ai nuk duhej të tallej me dashurinë. Po kur buzët e tyre u shkëputën me psherëtima, për një çast iu duk sikur s’ishin më të lidhur me njeri-tjetrin. Veçse tani pasioni ishte bërë më i fuqishëm se çdo ndjenjë kalorsie dhe ai iu drejtua duke psherëtirë.
– Oh, Migen! Pse erdhe?
Sytë e saj shprehën habi dhe fyerje.
– Sër, po sikur këtë ma kërkuat ju.
– Mos më thirr sër, shpirti im!
– Po si t’ju thërras ?
– Thjesht Frenk.
– Nuk mundem… Jo, jo…
– Po a më do?
– Si s’ju dua? Dua të jem vetëm me ju… dhe çdo gjë…
– Çdo gjë…
Ajo belbëzoi me një zë aq të ulët sa atij mezi ia kapi veshi.
– Do vdes po s’erdha me ju.
Ershesti mori frymë thellë.
– Atëhere qëndro me mua!
– O-oh!
I emocionuar nga adhurimi dhe habia që i tingëlloi zëri i saj, ai vazhdoi të pëshpërisë.
-Do të ikim në Londër. Do të të fus në mes të njerëzve të sërës sime. Do të kujdesem për ty, të jap fjalën, Migen..Nuk do jem asnjëherë i ashpër me ty..
– Vetëm të jem me ju, vetëm t’ju shoh ju…!
Ai i ledhatoi flokët dhe I foli me zjarr.
– Nesër do të nisem për në Troki të marr ca para, do të të blej fustan që të mos të të njohë njeri dhe do të ikim. Kur të mbërrijmë në Londër, në qoftëse më do vërtet, ne ndoshta, kurorëzohemi në çast.
Në errësirë ndjeu flokët e saj kur ajo tundi kokën.
– Jo, jo. Nuk mundem. Dua vetëm të jem me ju..Më duket sikur nuk jam për ju.
I dehur nga kjo zemërgjerësi, Ershesti e shtrëngoi më fort pas vetes.
– Oh, jo, unë mendoj për ty… Ah, Migen e dashur, më thuaj, kur më dashurove?
– Kur ju pashë në rrugë dhe ju më vështruat. Që natën e parë rashë në dashuri me ju, por as që e shkova ndonjëherë ndërmend se mund të më vlerësonit.
Papritur vajza u ul në gjunjë duke u përpjekur t’i puthte këmbët.
Ershesti u drodh i tmerruar, e kapi për supesh, e ngriti dhe e përqafoi fort. I prekur pa masë nuk thoshte dot asnjë fjalë.
Ajo pëshpëriti.
– Pse s’më lejoni?
– Jo, jam unë ai që duhet t’ju puth këmbët!
Ajo buzëqeshi aq ëmbël saqë atij iu mbushën sytë me lotë.
Fytyra e saj e zbehtë, e ndriçuar nga drita e hënës, ishte fare prenë fytyrës së tij, buzët e trandafilta gjysmë të hapura ishin të mrekullueshme, të gjalla e të ëmbla si lulet e mollës.
Dhe papritmas sytë iu zgurdulluan duke vështruar të tmerruar rreth tij, iu shkëput nga duart dhe pëshpëriti.
– Pa shikoni!
Ershesti dalloi vetëm përroin që vezullonte, zymbylat e praruara nga hëna, shkëlqimin e butë të aheve, kurse pas tyre konturet e turbullta të kodrës së ndriçuar nga hëna.
Te veshi i tij u dëgjua pëshpërima e saj e akullt.
– Fantazma… Cigani i tmerrshëm!
– Ku?
– Aty, te guri nën pemë…
I nxehur ai kaloi përroin, shkoi me vrap te pemët. Ishte vetëm loja e dritës së hënës. Dhe s’kishte asgjë tjeter. Ai vraponte duke u penguar nëpër gurët e kaçubet e murrizit të egër, duke sharë nëpër dhëmbë e, megjithatë, duke ndjerë diçka të ngjashme me frikën. Ç’marrëzi! Ç’përralla! U kthye tek molla. Po Migen s’ishte më aty. Ai dëgjoi vetëm pëshpëritjen, zhurmën e derrave, kërcitjen e deriçkës. Në vend të saj kishte mbetur vetëm molla e vjetër. Mbërtheu me duar trungun e saj. I dukej sikur zëvendësonte trupin elegant të Migen! Myshku i vrazhdë te fytyra e tij ishte në vend të faqeve të saj të buta, ndërsa kundërmimi i yllit dukej sikur ngjante paksa aromës së flokëve të saj..
Ndërkohë mbi kokën e tij dhe përreth shkëlqenin dhe merrnin frymë si të gjalla lulet e mollës, mbi të cilat derdhej edhe më qartë drita e hënës…
* * *
Vërtet kishin kaluar njëzet e gjashtë vjet, apo kjo ishte një ëndërr, nga e cila ai sapo I shte zgjuar, dhe Migeni e priste përsëri te molla e vjetër dhe e lulëzuar?…”
Foto ilustruese nga filmi “A summer story”, ekranizim i novelës “Lulet e mollës.”
© Lulet e mollës / Xhon Gollsuorth, përkthyer nga Jona Zyfi, Tiranë: Nazarko, 2018
