(Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, po sjellim një pjesë nga libri “Natë”, i cilësuar si një nga rrëfimet më klasike të historisë e popullit hebre gjatë Luftës II Botërore, shkruar Eli Vizel, i mbijetuari-dëshmitar i asaj tragjedie. Libri “Natë”, në origjinal është shkruar në gjuhën jidish, që është gjuha e folur historike e hebrenjve të Evropës Qëndrore dhe Lindore, e dokumentuar në shek. XII, si një përzierje e hebraishtes me gjermanishten mesjetare dhe gjuhëve të ndryshme sllave të Evropës Lindore. Libri “Natë”, i përkthyer, është botuar fillimisht në frëngjisht në vitin 1958 dhe në 1960 në anglisht.
Pjesa e përzgjedhur për lexim është parathënia, e shkruar nga vetë autori, posaçërisht, për botimin e ri në anglisht të librit, në 2006, që vjen me përkthim krejtësisht të ri nga origjinali (jidish) nga bashkëshortja e tij, Marion Weisel. Në këtë shkrim, Eli Vizel jep fakte dhe detaje interesante për historinë e botimit dhe përkthimit të librit, për shkak të përmbajtjes së tij, por jo vetëm. Në këtë shkrim ka dhe një autorrëfim therës të ditëve në kampin e përqëndrimit: brenga e një biri që nuk iu përgjigj të atit në çastet kur ai ishte duke dhënë shpirt nga vuajtjet e torturave.)
PARATHËNIA E ELI VIZEL PËR PËRKTHIMIN E RI NË ANGLISHT TË LIBRIT
Nëse gjatë gjithë jetës sime do të më ishte dashur të shkruaja vetëm një libër, atëherë do të kishte qenë ky. Ashtu siç tejzgjatet e kaluara në të tashmen, ashtu edhe tërë shkrimet e mia pas “Natës” duke përfshirë edhe ato që flasin për temat biblike, talmudike apo hasidike, ruajnë thellësisht gjurmën e këtij libri dhe nuk mund të kuptohen nga askush, që nuk ka e lexuar këtë vepër timen, të parën fare.
Pse e shkrova këtë libër?
Mos e shkrova vallë që t’i shpëtoja çmendjes, apo për arsyen krejt të kundërt, që të luaja mendsh më parë në mënyrë që të kuptoja llojin e çmendurisë, atë marrëzi të tmerrshme dhe të pamasë, që shpërtheu në histori dhe në ndërgjegjen e njerëzimit?
Apo mos vallë u shtyva nga ideja për të lënë pas një trashëgimi fjalësh, kujtimesh, për t’i ardhur në ndihmë historisë që të mos përsëritet më?
Apo ishte thjesht për të ruajtur një përvojë të hidhur, të cilën unë e kalova kur isha ende i mitur, në një moshë kur dijet e dikujt për vdekjen dhe të keqen duhet të përqëndrohen vetëm tek ato që mund të mësohen nga librat?
Ka nga ata që përpiqen të ma mbushin mendjen se unë ia dola mbanë të mbijetoja vetëm që të shkruaja më vonë këtë libër, por nuk më bindin dot. S’e di sesi mbijetova: atëherë unë isha një krijesë e dobët, shumë i turpshëm dhe nuk bëra asgjë të veçantë për të shpëtuar veten. Ndoshta mbijetova në saje të një mrekullie? Pa dyshim që jo. Nëse parajsa mundej apo do të bënte të mundur ndonjë mrekulli për të më shpëtuar, pse nuk qe kështu edhe për të tjerët, të cilët e meritonin më tepër se unë? Unë mbijetova vetëm në saje të rastësisë. Sidoqoftë, meqë mbijetova, më duhej gjithashtu që mbijetesës sime ti jepja një kuptim. Mos ishte vallë nevoja për ta mbrojtur këtë kuptim, ajo që më nxiti të hidhja në letër një përvojë, në të cilën asgjë nuk kishte kuptim?
Kur hedh sytë pas dhe mendohem thellë, detyrohem të rrëfej që nuk e di arsyen, ose që nuk e mbaj më mend se çfarë doja të arrija nëpërmjet fjalëve të mia. Di vetëm që pa këtë dëshmi, jeta ime si shkrimtar, -ose vetë jeta ime dhe pikë- s’do të qe kjo që është tani: jeta e një dëshmitari, i cili beson se ka detyrimin moral që të përpiqet me të tëra forcat për ta ndaluar armikun të shijojë edhe një fitore të fundme dhe të fshehë krimet e tij nga kujtesa njerëzore.
Sepse në ditët e sotme, në saje të dokumenteve të zbuluara së fundmi, është provuar që në fillimet e ngjitjes së nazistëve në fuqi në Gjermani, ata kishin në plan të ndërtonin një shoqëri të tillë, në të cilën thjesht nuk do të kishte më vend për hebrenjtë. Aty nga fundi i sundimit te tyre, nazistët e ndryshuan synimin: ata vendosën të linin pas një botë të shndërruar në gërmadhë, ku të dukej sikur hebrenjtë nuk kishin ekzistuar kurrë. Pikërisht për këtë arsye, kudo nëpër Rusi, Ukrainë dhe Lituani skuadrat speciale zbatuan Zgjidhjen Përfundimtare, duke kthyer tytat e automatikëve mbi më tepër se një milion hebrenj, burra, gra e fëmijë e duke i flakur trupat e tyre në varre të mëdha të përbashkëta, të cilat viktimat i patën hapur me duart e veta vetëm pak çaste para fundit të tyre. Më pas njësi të veçanta do t’i zhvarrosnin kufomat dhe do t’u vinin flakën, derisa të bëheshin shkrumb e hi. Kështu që, për të parën herë në histori, hebrenjtë jo vetëm që u vranë së dyti, por atyre iu mohua edhe e drejta për t’u prehur në një varrezë.
Ishte e qartë se lufta që zhvilloi Hitleri, së bashku me bashkëfajtorët e vet, nuk ishte thjesht një luftë kundër burrave, grave dhe fëmijëve hebrenj, por edhe kundër fesë hebreje, kulturës hebreje, traditës hebreje; pra, kundër gjithë kujtesës hebreje.
* * *
Tejet i bindur se ajo periudhë e historisë do të gjykohej dikur, unë u bëra i ndërgjegjshëm që duhej të dëshmoja. E dija gjithashtu që kisha plot gjëra për të rrëfyer, paçka se nuk zotëroja ende të tëra fjalët për t’i treguar ato. I mbushur me dhimbje për shkak të kufizimeve të mia, vura re krejtësisht i pafuqishëm sesi gjuha u kthye në një pengesë. Ishte më se e qartë që ishte e nevojshme të shpikej një gjuhë e re. Por si mundej ndokush të riaftësonte dhe të shndërronte ato fjalë të tradhtuara e të zvetënuara nga armiku? “Uri”, “etje”, “frikë”, shpërngulje”, “përzgjedhje”, “zjarr”, “oxhak”: të gjitha këto fjalë përmbajnë një kuptim të brendshëm, por në ato kohë, ato kishin të tjera kuptime. Tek shkruaja në gjuhën e nënës, gjuhë, e cila atëherë ndodhej në prag të zhdukjes, ndaloja në çdo fjali dhe pastaj ia nisja sërish nga fillimi. Sajoja folje të tjera, përfytyrime të tjera, klithje të tjera pa zë. Por prapë nuk bindesha dot. Çfarë do të thotë tamam-tamam “ajo”? “Ajo” ishte diçka bishtnuese, e rrethuar me terr nga frika se mos e përvetësonin, se mos e përdhosnin. Gjithçka që ofronte falori dukej e varfër, e zbehtë, pa jetë. A kishte ndonjë mënyrë për të përshkruar udhëtimin e fundit nëpër vagona të mbyllur gjedhësh, udhëtimin e fundit drejt së panjohurës?
Apo për të përshkruar zbulimin e një gjithësie të akullt dhe të marrosur ku të tregoheshe çnjerëzor ishte njerëzore, ku burra tê disiplinuar dhe të arsimuar, të veshur me uniforma vinin për të vrarë dhe ku fëmijë të pafajshëm dhe pleq të pafuqishëm vinin për të vdekur? Apo për të përshkruar ndarjet pafund gjatë një nate përvëluese të vetme, shkatërrimin e familjeve të tëra, bashkësive mbarë? Apo, pabesueshmërisht, fshirjen nga faqja e dheut të një vajze të vockël hebreje, të bukur porsi një kukull dhe të sjellshme, me flokë të artë dhe me një buzëqeshje të trishtë, e cila u vra së bashku me nënën e saj qysh natën e parë të mbërritjes së tyre në kamp? Si mund të fliste dikush për ta, pa u dridhur dhe pa iu thyer zemra përjetësisht?
Thellë-thellë, në brendësi të shpirtit të tij, dëshmitari ishte i vetëdijshëm qysh atëherë, siç është edhe tani, se dëshmia e tij nuk do të mirëpritej. Në fund të fundit, kjo dëshmi merret me diçka që buroi nga pjesa më errët e njeriut. Vetëm ata që provuan Aushvicin e dinë se çfarë është. Të tjerët nuk do të munden ta marrin vesh kurrë.
Por të paktën, a do ta kuptojnë vallë?
A munden dot vallë burrat dhe gratë, të cilët e quajnë krejt të natyrshme të ndihmojnë më të dobëtin, të shërojnë të sëmurin, të mbrojnë ferishtet dhe të respektojnë urtësinë e pleqve të tyre, të arrijnë ta kuptojnë se çfarë ndodhi në të vërtetë atje? A do të munden dot vallë ta kuptojnë sesi, brenda asaj gjithësie të nëmur, zotat torturuan të dobëtit dhe masakruan fëmijët, të sëmurët dhe pleqtë?
Prapëseprapë, dikush që e ka kaluar këtë përvojë, nuk mund të rrijë i nemitur, pavarësisht sesa e vështirë, për të mos e thënë e pamundur, është që të flasësh.
Kështu që edhe unë ngulmova deri në fund. Dhe i zura besë heshtjes që mbështjell dhe shkon përtej fjalëve. Duke e ditur fort mirë gjatë gjithë kohës së secila prej fushave plot hi të Birkenaut peshon shumë më tepër, sesa të tëra dëshmitë e Birkenaut të mbledhura bashkë. Sepse, megjithë përpjekjet e mia për të nyjëtuar të pashprehurën, “ajo” prapëseprapë nuk del ashtu siç duhet.
Mos ndoshta kjo ka qenë arsyeja pse, dorëshkrimi im, që u shkrua në jidish, i titulluar “Dhe bota nuk bëri zë”, i përkthyer në fillim në frëngjisht dhe më pas në anglisht, u hodh poshtë nga çdo botues i madh, qoftë francez apo amerikan, paçka se i madhi shkrimtar katolik francez dhe fituesi i Çmimit Nobel, Fransua Moriak, bëri përpjekje të palodhura për ta botuar? Pas muajsh e muajsh të tërë, të mbushur me vizita vetjake, letra, telefonata, më në fund ai ia doli mbanë që ta botonte.
Megjithëse bëra shkurtime të panumërta, varianti orıgjinal në jidish mbeti tepër i gjatë. Xherom Lindon, drejtuesi legjendar i shtëpisë së vogël, por prestigjioze botuese “Editions de Minuit”, e redaktoi dhe e shkurtoi akoma edhe më tepër variantin francez. Unë e pranova vendimin e tij, sepse kisha frikë se mos disa gjëra edhe mund të ishin të tepërta. Ajo që kishte tepër rëndësi ishte përmbajtja. Druhesha më shumë se mos kisha thënë më tepër nga ç’duhej, sesa më pak.
Për shembull: në variantin jidish, rrëfimi hapet me këtë mendim cinik:
“Në fillim ishte feja – diçka fëmijërore; besimi – gjë që është e kotë; dhe shpresa e kotë – që është e rrezikshme.
Ne besonim në Zot, i zinim besë njeriut dhe jetonim me shpresën e kotë se secilit prej nesh i ishte besuar një shkëndijë e shenjtë nga flaka e Shekinahut; se secili prej nesh mbart në sytë dhe në shpirtin e vet një pasqyrim të shëmbëlltyrës së Zotit. I gjithë ky ishte burimi, në mos shkaku i vuajtjeve tona të hidhura”.
Pjesë të tjera nga teksti origjinal në jidish përmbanin shumë më tepër përshkrime rreth vdekjes së tim eti dhe çlirimit. E pse të mos i përfshija edhe ato në këtë perkthim të ri? Mbase ishin shumë vetjake, shumë intime dhe duhej që të mbeteshin të pathëna mes rreshtave. Dhe prapeseprapë…
“Më kujtohet fort mirë ajo natë, më e llahtarshmja e jetës time:
“…Elizer, o biri im, eja këtu…! Dua të të them diçka… Vetëm ty… Eja, eja, mos më ler vetëm…! Elizer..!”
Ia dëgjova mirë zërin dhe e rroka kuptimin e fjalëve të tij dhe përmasën tragjike të çastit, por megjithatë nuk lëviza vendit.
Kishte qenë dëshira e fundit për të më patur pranë gjatë agonisë së tij, në çastin kur shpirti po i shkëputej nga trupi i bërë copë dhe prapëseprapë unë nuk ia plotësova dëshirën.
Kisha frikë.
Isha i friguar nga goditjet.
Prandaj edhe e bëra veshin e shurdhët para përgjërimeve të tij.
Në vend qe ta flijoja jetën time të mjerë dhe të turresha për t’iu gjendur pranë, për t’ia marrë dorën në timen, për t’i dhënë pak zemër duke i treguar se nuk duhej të ndihej i braktisur, që po i gjendesha pranë, që po ia qaja hallin dhe po ndaja brengat me të; në vend të gjithë këtyre gjërave, unë qëndrova i shtrirë në kurriz, duke iu lutur Zotit ta bënte tim atë të pushonte, të mos më thërriste më në emër, të pushonte së përgjëruari e së qari.
Kaq shumë frikë kisha se mos ngjallja tërbimin e esesit. Në të vërtetë, im atë nuk ishte më i ndërgjegjshëm. Dhe prapëseprapë, zëri i tij vajtues dhe i bezdisshëm vazhdonte të tejshponte heshtjen, duke thirrur veç emrin tim dhe askënd tjetër.
– Hë pra? – esesi kishte shpërthyer në tërbim dhe po e godiste tim atë në kokë. – Rri urtë, plakush i dreqit! Mbylle gojën!
Im atë nuk i ndiente më goditjet e dajakut; ato i ndieja unë, e megjithatë nuk luajta as gishtin e vogël. E lejova esesin që ta zhdëpte tim atë në dru. E lashë babanë tim vetëm në kthetrat e vdekjes. Më keq akoma: isha inatosur me të, sepse kishte bërë zhurmë, sepse kishte qarë, sepse kishte provokuar zemërimin e esesit.
– Elizer, eja, Elizer! Eja, mos më ler vetëm…
Zëri i tij kishte mbërritur deri tek unë nga shumë larg dhe, njëkohësisht, nga aq afër. Por unë nuk kisha luajtur vendit.
Kurrë nuk do t’ia fal vetes atë gjë.
Kurrë nuk do t’ia fal as botës, që më kishte vënë me shpatulla për muri, që më kishte shndërruar në një të huaj, që kishte zgjuar brenda meje instinktet më të ulta dhe më primitive.
Fjala e fundit që kishte nxjerrë nga goja kishte qenë emri im. Një thirrje për ndihmë, së cilës unë nuk i isha përgjigjur””.
Në variantin jidish, rrëfimi nuk mbyllet me shëmbëlltyrën në pasqyrë, por me një përsiatje të zymtë rreth së tashmes:
“Dhe tani, gati dhjetë vjet pas çlirimit të Buhenvaldit, unë e kam kuptuar fort mirë që bota harron shumë shpejt. Sot Gjermania është një shtet sovran. Ushtria gjermane është ringjallur. Ilse Kohu, ajo monstra sadiste famëkeqe e Buhenvaldit, u lejua të bënte fëmijë dhe të jetonte e lumtur tash mbas sodit… Kriminelët e luftës vërdallosen nëpër rrugët e Hamburgut dhe Mynihut. E kaluara duket sikur është fshirë, sikur është varrosur në harresë.
Sot ka antisemitë në Gjermani, Francë, madje, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët i tregojnë botës se “përralla” e gjashtë milionë hebrenjve të vrarë s’është gjë tjetër veçse një trillim dhe shumë vetë, ngaqë nuk e dinë punën mirë, edhe mund t’u zënë besë në mos sot, nesër apo pasnesër…
Unë nuk jam aq naiv, saqë të besoj se ky libërth do të ndryshojë rrjedhën e historisë apo do të shkundë ndërgjegjen e mbarë botës.
Librat nuk e kanë më atë forcë që kanë patur dikur.
Ata që nuk bënë zë dje, do të qëndrojnë të heshtur edhe nesër”
* * *
Lexuesi mund të pyesë me të drejtë: Pse ky përkthim i ri tani, meqë përkthimi i mëparshëm ka mbi dyzet e pesë vjet që qarkullon? Nëse ai i mëparshmi nuk i ka qëndruar besnik origjinalit, apo s’ka qenë edhe aq i hairit, atëherë pse kam pritur kaq gjatë për ta zëvendësuar atë me një tjetër më të mirë dhe më të saktë?!
Pergjigjja ime e vetme do të ishte se atëherë, unë isha një shkrimtar krejtësisht i panjohur, i cili sapo kish nisur të shkruante. Atëherë edhe anglishtja ime nuk qe fort e mirë. Kur botuesi im anglez më njoftoi se kishte gjetur një përkthyes, u kënaqa pamasë. Më vonë e lexova përkthimin dhe m’u duk në rregull, por asnjëherë nuk e lexova për së dyti. Qysh nga ajo kohë, shumë prej veprave të mia janë përkthyer nga Merjoni, ime shoqe, e cila ma njeh fort mirë mënyrën e të shprehurit dhe ua përçon të tjerëve më mirë se kushdo tjetër. Kam qëlluar goxha me fat: kur Shtëpia Botuese “Farrar, Shtraus dhe Zhiro” i kërkoi Merjonit që të përgatiste një përkthim të ri, ajo pranoi. Jam i bindur se lexuesit do ta vlerësojnë punën që ka bërë; madje, vetëm në sajë të redaktimit të saj të rreptë, unë munda të korrigjoj dhe të ndreq disa detaje të rëndësishme.
Dhe kështu, tek e rilexova këtë tekst të shkruar shumë kohë më parë, u gëzova që nuk kisha pritur edhe më për ta botuar me një përkthim të ri, megjithatë, prapë e vras mendjen nëse kam arritur të përdor fjalët e duhura, apo jo. Këtu flas për natën time të parë atje; për zbulimin e realitetit brenda telave me gjemba; për paralajmërimet e të burgosurit “veteran”, i cili na këshilloi, mua dhe tim atë, të gënjenim për moshën: tim eti i tha që të hiqej si më i ri, ndërsa mua si më i madh; për përzgjedhjen; për marshimin drejt oxhakut, që na rrinte mbi kokë nga larg nën atë qiell mospërfillës; për foshnjat e flakura nëpër gropa përvëluese… Unë nuk thashë se ata ishin ende gjallë kur i flakën atje, por vetëm që mendova asisoj, por pastaj e binda veten se jo, jo, ata ishin të vdekur, përndryshe do të kisha luajtur mendsh patjetër. Edhe të burgosurit e tjerë panë të njëjtën gjë: ferishtet ishin ende gjallë, kur i hodhën në flakët përvëluese. Historianët, mes tyre edhe Telford Tejlori, e pohojnë këtë gjë, megjithatë, njëfarësoji, unë nuk luajta mendsh.
* * *
Përpara se ta mbyll këtë parathënie, besoj se është e rëndësishme të theksoj se jam shumë i bindur që librat, ashtu si njerëzit, e kanë nga një fatthënë. Disa të ngjallin brenga, disa të tjerë gëzim, kurse disa libra të tjerë të dyja ndjenjat.
Pak më lart, përshkrova vështirësitë e hasura nga romani “Natë” para botimit në frëngjisht dyzet e shtatë vite të shkuara. Megjithëse u prit mirë dhe u lavdërua nga kritika letrare, libri vetë u shit shumë pak. Përmbajtja u konsiderua ngjethëse dhe aspak tërheqëse. Nëse ndodhte që ndonjë rabin e përmendte librin gjatë shërbesës fetare, gjithmonë do të gjendeshin aty njerëz, të cilët do të ankoheshin se nuk kishte kurrfarë kuptimi “t’i rëndojmë më tepër fëmijët tanë me tragjeditë e së kaluarës hebreje”
Qysh atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra. Libri “Natë” është pritur në disa mënyra, të cilat kurrë nuk i kisha përfytyruar. Në ditët e sotme, nënësit e shkollave të mesme dhe studentët e universiteteve amerikane dhe të mbare botës e lexojnë atë, sepse është i përfshirë në kurrikulumin e tyre shkollor.
Ç’emër mund t’i vihet kësaj dukurie? Para së gjithash, ka ndodhur një ndryshim i jashtëzakonshëm në sjelljen e njerëzve. Gjatë viteve gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë, ata të rritur, kishin lindur para apo gjatë Luftës së Dytë Botërore, treguan një mospërfillje të pakujdesshme dhe mosbegenisje karshi asaj që është quajtur aq pamjaftueshmërisht Holokaust. Kjo gjë nuk ndodh më.
Atëherë, shumë pak botues merrnin guximin të botonin libra me përmbajtje të tillë.
Kurse sot vepra të tilla gjenden në shumicën e listave të librave. E njëjta gjë ndodh edhe në mjedisin akademik. Atëherë vetëm disa shkolla ofronin kurse mbi ketë temë, kurse sot ndodh e kundërta. Çuditërisht, këto lloj kursesh janë shumë të kërkuar dhe ndiqen goxha. Tema e Aushvicit ka hyrë në kulturën e rrjedhes së përditshme.
Janë xhiruar filma, janë vënë në skenë drama, janë shkruar romane, janë mbajtur konferenca ndërkombëtare, janë hapur ekspozita dhe organizuar ceremoni të përvitshme me pjesëmarrjen e zyrtarëve të shtetit. Shembulli më i spikatur është Muzeu Përkujtimor i Holokaustit, në kryeqytetin amerikan në Uashington, i cili është vizituar nga më tepër se njëzet milionë vetë qysh nga përurimi i tij nё 1993.
Këto ndodhin, sepse ndoshta publiku është bërë i ndërgjegjshëm që numri i të mbijetuarve po shteron dita-ditës dhe tërhiqet nga ideja për të mësuar më tepër mbi kujtimet, që shumë shpejt mund edhe të humbasin përgjithmonë; sepse në fund të fundit, gjithçka lidhet me kujtimin, me burimin dhe, natyrisht, edhe me pasojat e tij.
Për atë të mbijetuar, i cili ka zgjedhur të dëshmojë, çdo gjë është e qartë: detyra e tij është që të shërbejë si dëshmitar për të vdekurit dhe për të gjallët njëherësh. Ai nuk ka të drejtë t’u mohojë brezave që do të vijnë pas një të kaluar, e cila i përket kujtesës sonë të përbashkët. Të harrosh nuk do të ishte vetëm diçka e rrezikshme, por edhe fyese; të harrosh të vdekurit, do të ishte njësoj sikur t’i vrisje ata për së dyti.
* * *
Nganjëherë qëllon që më pyesin nëse kam një përgjigje për atë ç’ka ndodhi në Aushvic. U përgjigjem se nuk e di, por u them gjithashtu që nuk jam i sigurtë nëse një tragjedi e asaj përmase ka vërtet ndonjë përgjigje. Ajo çka unë di është vetëm që ka “një përgjigje” në formën e përgjegjësisë. Kur flasim për atë periudhë të së keqes dhe të errësirës, që duket aq larg dhe aq pranë njëkohësisht, fjala kyç është “përgjegjësia”.
Dëshmitari e ka detyruar veten që të dëshmojë për të rinjtë e sotëm dhe për foshnjat që do të lindin nesër. Ai nuk ka dëshirë që e shkuara e tij të bëhet edhe e ardhmja e tyre.
© Natë, Eli Vizel; përktheu Edvin Shvarc, Tiranë: ”Nazarko”, 2018
