Në 100-vjetorin e lindjes, sjellim sot autoren amerikane Harper Li (Harper Lee ang.) e famshme për romanin e saj “Të vrasësh zogun përqeshës”. Menjëherë sapo u botua, ky roman njohu një sukses të vërtetë dhe vlerësimi me Çmimin Pulizer në vitin 1961 vulosi emrin e Li në historinë e letërsisë botërore. Romani nxori në pah racizmin dhe paragjykimet në Jugun Amerikan. I shitur në më shumë se 40 milionë kopje në të gjithë botën, libri u adaptua në film me të njëjtin sukses. Për kontributin e saj në letërsi, Harper Li u vlerësua me Medaljen Presidenciale të Lirisë si dhe ka marrë shumë diploma nderi. Ajo pati një miqësi të ngushtë me autorin Truman Kapot (Truman Capote ang.) për të cilin thoshte se “I lidh një ankth i përbashkët”. Libri tjetër i saj, i cili u botua në mënyrë kontroverse në vitin 2015, ishte “Shko, vër një roje” (“Go set a watchman” ang.) konsiderohet si vazhdim i romanit të saj të parë.
Shumë kritikë mendojnë se është një rrëfim autobiografik, por Li nuk e ka pranuar asnjëherë duke pohuar se ky libër është një shembull i mirë se si një autor “duhet të shkruajë për atë që di dhe të shkruajë me vërtetësi”. Sipas një ankete të zhvilluar në bibliotekat e Amerikës “Të vrasësh zogun përqeshës” është cilësuar romani më i mirë i shekullit të njëzetë.
“… Zogjtë përqeshës nuk bëjnë ndonjë gjë të keqe, veçse të kënaqin me këngën e tyre të larmishme. Ata nuk i dëmtojnë kopshtet, nuk bëjnë fole nëpër koçekët e misrit, nuk bëjnë asgjë të keqe, veç këndojnë duke shkërbyer me gjithë shpirt zogjtë e tjerë, për të na kënaqur. Prandaj është mëkat ta vrasësh zogun përqeshës…”. (Harper Lee, “Të vrasësh zogun përqeshës”, f.106).
Lidhja e mëposhtme është për të interesuarit që duan ta lexojnë librin në anglisht: https://archive.org/details/dli.bengal.10689.12863/page/n13/mode/2up
