#Sisot, më 20 maj 1609, u botuan për herë të parë nga Thomas Thorpe 154 sonete të Uilliam Shekspir. Thomas Thorpe, që nënshkruante më inicialet T. T., ishte një botues anglez, i njohur për botimin e disa veprave të Kristofer Marlout dhe Ben Xhonsonit dhe shumë të përfolurat Sonetet e Shekspirit.
Pothuajse çdo gjë në lidhje me Sonetet, kompozimi, përkushtimi dhe botimi i tyre, çon në një labirint konfuzioni, spekulimesh dhe mosmarrëveshjesh. Polemika fillon me vetë Thomas Thorpe dhe pyetjen se si dhe ku i mori ai Sonetet (të cilat u shkruan në vitet 1590 dhe u shpërndanë nga vetë Shekspiri midis miqve të tij në formë dorëshkrimi) dhe nëse ai kishte apo jo lejen e Shekspirit për t’i botuar ato që në fillim. Në faqjen e dedikimit, në libër, është e vështirë të ndash nëse është shkruar nga Shekspiri dhe për më tepër, të cilësosh se për kë është bërë dedikimi.
Sidoqoftë, përtej paqartësive në lidhje me botimin, Sonetet e Shekspirit mbeten unike në llojin e tyre, ato trajtojnë dashurinë, bukurinë, kalimin e kohës dhe pavdekësinë e artit. Përmbledhja përmban 154 sonete, të shkruara me 14 vargje dhe me një strukturë të rregullt rimash. Në to, Shekspiri shpreh ndjenja të thella njerëzore, herë me admirim për dashurinë dhe bukurinë, e herë me trishtim për plakjen dhe tradhtinë. Sonetet janë të njohura për gjuhën poetike, emocionin dhe mendimet filozofike që përcjellin. Kanë njohur disa botime në anglisht, janë përkthyer në shumë gjuhë dhe së fundmi edhe në gjuhën shqipe.
Soneti 18 i Shekspirit nuk i kushtohet një gruaje apo “Zonjës së Errët” të emëruar nga kritikët, për të cilën janë shkruar 17 sonetet e para. Soneti 18 është një poemë dashurie kushtuar një djali të ri, që Shekspiri kërkon ta përjetësojë të paktën përmes vargut të tij, pa pasur rrugë tjetër.
Të të krahasoj me një ditë vere?
Por, ti je më e ëmbël, më e bukur.
Erërat shkundin gonxhet e majit
dhe vera ikën kaq e shkurtër.
Syri i parajsës shpesh nxehtë shkëlqen,
por nganjëherë ja sheh arin mbuluar
dhe vrenjtja botës bukurinë ja rrëmben,
rastësisht a nga natyr’ e lodhur, munduar.
Por vera jote kurrë nuk do venitet,
as do humbasë bukurinë që të përket,
s’do krenohet vdekja se ti rend mes hijesh,
në vargun tim përjetësia të pret.
Sa kohë njerëzit rrojnë e syri sheh
Sa herë vargjet të thuhen, ti aty je.
(Përktheu: Dritan Kiçi)
Ndërsa, në këtë lidhje mund të lexoni variantin e plotë të 154 sonetave në gjuhën angleze:
