Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Koha është tani!

Eckhart Tolle, lindur #sisot, 16 shkurt 1948, në Gjermani (emri i plotë Ulrich Leonard Tölle), njihet si një nga mësuesit shpirtërorë më frymëzues dhe vizionarë në botën e sotme. Me  librat e tij, sidomos dy më të spikaturit, Fuqia e së tashmes dhe Një tokë e re, të përkthyer në më shumë se 50 gjuhë, ai u ka prezantuar miliona njerëzve se si mund të arrijnë gëzimin dhe lirinë e të jetuarit të jetës në momentin e tashëm.

Gazeta “The New York Times” e quan atë si “autorin shpirtëror më të njohur në Shtetet e Bashkuara” dhe “personin më me ndikim shpirtëror në botë”. Mësimet e tij përqëndrohen në rëndësinë dhe fuqinë e gjendjes së zgjuar të vetëdijes së njeriut, e cila tejkalon egon dhe të menduarit diskursiv, që do të thotë  të arsyetuarit hap pas hapi, i cili dallon nga kuptimi i menjëhershëm ose intuitiv i ngjarjeve. Eckhart e sheh këtë zgjim si një tjetër hap thelbësor të evolucionit njerëzor.

Mësimet e thella, por të thjeshta të Eckhart kanë ndihmuar njerëz të panumërt në të gjithë globin të përjetojnë një gjendje paqeje të brendshme plot gjallëri në jetën e tyre të përditshme.

Libri “Fuqia e së tashmes”, përkthimin në shqip të të cilit e gjeni në bibliotekën tonë, është libri më përfaqësuses i autorit dhe një nga librat më frymëzues dhe transformues për vetëdijen, paqen e brendshme dhe mënyrën si e përjetojmë jetën.

Disa arsye pse rekomandohet për ta lexuar?
Libri të mëson si të jetosh në momentin e tanishëm. Tolle shpjegon se shumica e njerëzve jetojnë të bllokuar midis së kaluarës (pendesave) dhe së ardhmes (ankthit). Ai të mëson se jeta ndodh vetëm tani dhe lumturia fillon kur e përqafon plotësisht këtë moment.

Të ndihmon të kuptosh mendjen tënde, duke të orientuar të vëresh mendimet pa u identifikuar me to.

Të çliron nga stresi dhe ankthi, sepse shumë nga shqetësimet tona vijnë sepse mendojmë për “çfarë mund të ndodhë?” ose “çfarë ka ndodhur?”. Duke jetuar në të tashmen, stresi zvogëlohet dhe mendja qetësohet në mënyrë natyrale.

Rrit ndjesinë e paqes dhe pranimit. Tolle flet për pranimin e asaj që është apo ndodh, pa gjykim. Kur ndalon së luftuari me realitetin, fillon ta ndjesh një paqë të brendshme që nuk varet nga rrethanat.
Libri ka ndikim praktik në jetën e përditshme, pasi nuk është vetëm filozofi. Mësimet e librit mund t’i përdorësh çdo ditë: në marrëdhënie, në punë, në komunikim me të tjerët dhe në mënyrën si reagon ndaj sfidave.

Autori flet thjesht dhe universalisht. Edhe pse trajton tema shpirtërore, libri është shkruar në një gjuhë të kuptueshme për të gjithë. Nuk kërkon të jesh pjesë e besimeve të caktuara, por synon  dëshirën për të njohur veten më thellë.

Në thelb, “Fuqia e së tashmes” të fton të përjetosh jetën jo si një sërë mendimesh e kujtimesh, por si përvoja e gjallë e vetëdijes që je

 

Fuqia e së tashmes: udhërrëfyes drejt përndritjes shpirtërore/ Eckhart Tolle; përktheu Viola Gjylbegaj. – Prishtinë: Pema, 2016. – 249 f.

Pasazh nga libri “Fuqia e së tashmes”, lexuar në Top Albania Radio 

Leave a Reply