Robert Bërns (25 janar 1759 – 21 korrik 1796), i konsideruar gjerësisht si poeti kombëtar i Skocisë, shkroi disa nga poezitë skoceze më të njohura dhe më të dashura të të gjitha kohërave. Që në fëmijëri, ai u rrit i rrethuar nga këngë tradicionale skoceze dhe rrëfime gojore, të cilat patën një ndikim të madh në stilin e tij të të shkruarit duke e bërë atë autorin e mbi 100 këngëve tradicionale skoceze. Poezinë e parë e shkroi kur ishte vetëm 15 vjeç. Bërns shkroi me mjeshtëri në gjuhën skoceze, në anglishten standarde dhe dialektin skocez, duke krijuar një urë gjuhësore midis kulturave. Ai e përdori veprën e tij për të mbështetur çështje si drejtësia sociale dhe barazia, shpesh duke mbrojtur klasën punëtore përmes vargjeve të tij. Stili i Bërns karakterizohet nga spontaniteti, drejtpërdrejtshmëria dhe sinqeriteti. Pas Mbretëreshës Viktoria dhe Kristofor Kolombit, Robert Bërns ka më shumë statuja dhe monumente, jofetare, të dedikuara atij sesa çdo personalitet tjetër. Vepra e tij kujtohet në të gjithë botën çdo vit, veçanërisht në datëlindjen e tij, më 25 janar, në të ashtuquajturën “Netët e Bërnsit” (Burn’s Night) si një dëshmi e ndikimit jetëgjatë të krijimtarisë së tij. Klubet Letrare Bërns, (Burn’s Club) të përhapura kudo nëpër botë, janë klube shoqërorë të cilët nëpërmjet veprimtarive të tyre inkurajojnë dhe çmojnë kujtimin e Robert Bërns, nxisin dashurinë për shkrimet e tij si dhe zgjojnë interesin për gjuhën dhe letërsinë skoceze. Në 2009 u përzgjodh si Skocezi më i njohur i të gjtha kohërave.
Në foton ilustruese janë përzgjedhur 9 nga 60 bustet dhe statujat e Bërnsit anembanë botës.
- Memoriali i Robert Bërns 1903, Treasury Gardens, Melbourne
- Statuja e Bërns në Parkun Qendror, New York
- Statuja e Bërns në qendër të qytetit Dumfries, e përuruar në vitin 1882
- Statuja e Bërns në Sidnej, Australi
- Statuja e Bërns në Vermont, Amerikë
- Statuja e Bërns në Dunedin, New Zeland
- Statuja e Bërns në Parkun Viktoria, Skocia e Re
- Busti i Bërns në Parkun Xhakson, Ontario
- Busti i Bërns në Parkun Springfild, Florida.
Në lidhjen e mëposhtme do të lexoni disa poezi të tij sjellë në shqip nga Dritëro Agolli:
Brilantet e poezisë së Robert Burns
