Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Mirënjohje rrugëtimit shembullor të Rakipit

Rrugëtimi në krijimtarinë e autorit të dashur Rakip Zhguni, bëri bashkë në sallën e bibliotekës miq të tij, autorë elbasanas, bashkëpunëtorë të bibliotekës, përfaqësues të pushtetit lokal dhe plot dashamirës të librit. Nisur nga ideja e miqve të bibliotekës, z. Bardhul Toda dhe z. Agim Qoku, për të promovuar krijimtarinë disavjeçare të Rakipit, në takim, nëpërmjet fjalës së kumtuesve u evidentua kjo prodhimtari e tij, e cila nuk është thjesht artistike, por kap dhe rrafshin studies, kërkimor e analitik. Rakip Zhgunin, të gjithë miqtë e tij, pjesa më e madhe e të cilëve janë autorë e krijues elbasanas, e njohin si kolegun e urtë, bashkëpunues dhe gjithmonë i gatshëm për t’u ofruar në redaktime e korrektime letrare të krijimtarisë së tyre. Ky altruizëm i Rakipit, është përkthyer si bashkëpunimi më i mirë dhe frytdhënës mes njerëzve të të njëjtës fushë e që ndajnë të njëjtat interesa. Gjithsesi, Rakipi nuk mjaftohet me kaq; ai përveçse krijon letërsi të mirë, kryesisht poezi dhe prozë të shkurtër, ka lënë gjurmë dhe me analizat letrare, shkrimet biografike dhe fjalorët krahinorë të zonës nga ka prejardhjen e ku ka dhënë mësim në pjesën më të madhe të jetës së tij, në zonën aq të pasur në trashëgimi kulturore e natyrore të Shmilit. Krijimet dhe studimet e Rakipit, janë tashmë pjesë e fondit të bibliotekës si dhe e trashëgimisë së shkruar elbasanase dhe për këtë kontribut të tijin, misioni “Kujtesë për vazhdimësi” e nderoi Rakipin me një titull mirënjohjeje me motivacionin: “Për kontributin e shquar si autor i librave shqip, në zhanër dhe tematika të ndryshme, njeriut fisnik, punëshumë e e fjalëpak”. I urojmë Rakipit shëndet, jetë të gjatë dhe krijimtari të bollshme e të vyer.

Më poshtë gjeni bashkëngjitur fjalën e znj. Manola Hatellari, z. Eduart Hoxholli, znj. Beneta Dhima, z. Ahmet Mehmeti dhe z. Bardhul Toda.

_____________________________

Rakip Zhguni – Mbresa

Nga Manola Hatellari

Përshëndetje! Falënderoj organizatorët për këtë event të shumëdëshiruar për ta bërë kohë më parë, mbi krijimtarinë e Rakip Zhgunit.

Rakip Zhguni ka qenë dhe është mik dhe dashamirës i kahershëm i bibliotekës sonë. Personalisht kam patur bashkëpunim me të në organizimet e aktiviteteve të shumta në bibliotekë për promovimin e librave të rinj të autorëve elbasanas dhe jo vetëm. Gjithmonë ka qenë i gatshëm për të bërë analizat kritike, komentet për librat dhe autorët. Në gazetën virtuale “Fjala e lirë” kanë bërë një përcaktim mjaft real, të vërtetë për të dhe unë po e citoj: “Intelektuali që përkëdhel me zemër gjuhën shqipe”. Kjo thënie duket mjaft qartë dhe në librin më të ri të tij: “Rrugëtim, shënime për libra dhe autorë”. Eksperienca e tij shumëvjeçare si mësues në zona të ndryshme të qarkut të Elbasanit, e bëri Rakip Zhgunin të njihte nga afër realitetin shoqëror e kulturor shqiptar. Gjithë këtë përvojë të grumbulluar ai do ta përdorë në krijimet (poezi, prozë, ese etj) dhe studimet e tij gjuhësore. Një nga meritat e tij të veçanta është dhe redaktimi i librave duke i shoqëruar edhe me këshillat e tij në përdorimin e gjuhës. Mund të them se Rakip Zhguni shquhet jo vetëm për krijmtarinë e tii, por edhe për ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore dhe pasurimin e saj. Rakip Zhguni intelektuali i heshtur, pa fjalë, por ka vetem vepra me përkushtim në fushën e arsimit, letërsisë dhe gjuhësisë.

Në këtë sallë, sot, shoh shumë krijues elbasanas dhe përfitoj nga rasti t’i shpreh falënderime dhe mirëniohje të thellë për veprat e tyre që i kane bërë dhuratë bibliotekës dhe sot ato janë një vlerë e shtuar e fondit të librave. Faleminderit!

I uroj Rakipit shëndet, jetë të gjatë e suksese në krijime të tjera!

Manola Hatellari

Biblioteka Publike “Qemal Baholli”

Elbasan, 16 dhjetor 2025

_____________________________

Rakip Zhguni – pena e heshtur, e buzëqeshur dhe prodhimtare

Nga Beneta Dhima

E kam kënaqësi të veçantë të isha pjesë e grupit organizator, bashkë më Bardhi Todën dhe Agim Qokun, pasi në një farë mënyre m’u realizua qëllimi dhe ideja që kisha bashkë me Manolën para pak vjetësh, që t’ja bënim një promovim punës dhe profilit të Rakipit, këtij intelektuali të heshtur, njeriu modest por mik i madh, mësuesi të përkushtuar e krijuesi të palodhur e që më pëlqen ta quaj: Rakip Zhguni; pena e heshtur, e buzëqeshur dhe prodhimtare!

Në rrugëtimin e tij shkrimor, ndonëse nisur relativisht vonë, gjë e cila, mesa duket, ka ndikuar për mirë, pasi formimi intelektual dhe brumi letrar i tij ka arritur pjekjen, Rakipi është shfaqur shumë dimensional. Atë e gjejmë fillimisht një poet të mirë, novelist dhe tregimtar, autor për fëmijë, studiues dhe mbledhës i fjalëve dialektore e krahinore, redaktor dhe kumtues i krijimtarive të miqve të tij dhe për një sërë syresh, ai shfaqet dhe si një shkrues biografie mjaft i zoti.

Duke qenë me profesion mësues, me një përvojë pune afro 40-vjeçare, kryesisht në fshtatrat e Elbasanit, Rakipi tregoi vëmendje ndaj veçorive gjuhësore të zonave ku ai dha mësim me përkushtim të veçantë e të dallueshëm. Për vite me rradhë, ai mbledh dhe përpunon fjalë dhe shprehje kryesisht nga zona e Shmilit, për të cilën duhet thënë që është një zonë që spikat jo vetëm për bukuritë natyrore por edhe për folklorin dhe trashëgiminë kulturore unike dhe të pasur. Duke mos u mjaftuar me botimin e parë të fjalorit krahinor të zonës së Shmilit, Rakipi vijon punën kërkimore e studimore për ta risjellë këtë fjalor më të plotë e të përmirësuar, ku siç shprehet ai: “… asnjëherë nuk pretendoj që kam sjellë një material të punuar shterueshëm, pasi gjuha është në lëvizje të vazhdueshme e në ndryshim, duke e lënë hapur këtë punë për shtesa e përmirësime në të ardhmen”. Çdokush në vend të Rakipit, po të kish bërë të njëjtën punë, do ta trumbetonte atë me krenari e zë-lartë në media, konferenca apo televizione, por ky nuk ishte rasti i Rakipit.

Unë edhe sot e kujtoj Rakipin kur, me drojë, erdhi dhe e dhuroi gati heshturazi dhe pa shumë komente, siç ka bërë për çdo krijim të tijin, fjalorin në bibliotekë, aq sa nuk priti t’i jepnim dhe fletën shoqëruese të falënderimit, siç bëjmë rëndom për çdo dhurues në bibliotekë. Për shkak të profilit tim të punës në bibliotekë, përpunimit bibliografik të librit, m’u desh ta shfletoj fjalorin dhe jam entuziazmuar teksa shikoja një punë të shkëlqyer, që barazohet dhe mund t’i bashkangjitet fjalorëve dhe atlasëve dialektorë të shqipes, pse jo dhe atij të gjuhës shqipe, aq me rigorozitet, seriozitet dhe profesionalizëm ishte realizuar ky punim. Me bindje e them, që ky fjalor do shërbejë si model për të gjithë ata që duan të bëjnë një të ngjashëm për leksikun e zonave dhe trevave përreth, pasi jam e bindur që Elbasani ka pasuri të jashtëzakonshme në këtë lëmë. Më mbetet vetëm, që në emrin tuaj, ta përgëzoj e falënderoj Rakipin për këtë vlerë që i ka lënë qytetit dhe fondit të bibliotekës, gjithashtu.

Të gjithë ne këtu, në sallë, sot, jemi miq të librit, të bibliotekës dhe të Rakipit, të cilin, me disa prej jush e ka lidhur profesioni, me disa miqësia e me disa të tjerë vargu, poezia, teksti, rrëfimi. Sa gjë e bukur dhe e ndjerë është të lexosh komunikimet, mesazhet dhe letërkëmbimet që ai ka me 2 a 3 prej tyre, të cilët janë lidhur nga poezia dhe shkrimi për të mos u ndarë më. Duke përdorur miqësinë e vërtetë me ta, Rakipi gjen rastin të shkruajë, por jo thjesht të shkruajë, por të përshkruajë me fjalë të përzgjedhura me kujdes, jetët dhe krijimet e tyre, sjellë si një biografi e parë në objektivin e një miku që të do, të respekton dhe vlerëson punën tënde.

Me një rrjedhshmëri natyrale, të dhëna të sakta dhe interpretime të zhdërvjella, Rakipi përpiloi biografitë për miqtë e tij specialë, të ndjerin autorin Dhimo Tarusha, poetin Nexhip Ejupi dhe mikun tonë, që e kemi dhe sot mes nesh, Atë Stavri Çipi. Nuk është e lehtë të shkruash biografi, sidomos për dikë që e ke të afërt, sepse dashur pa dashur, do futësh aty nota subjektive që mund të të largojnë nga realja. Por, me Rakipin nuk ndodh kështu, ai e kalon këtë pengesë, pasi ai pozicionohet si një profesionist i vërtetë duke i paraqitur miqtë e tij siç janë, që padyshim janë më të mirët, janë të zgjedhurit e tij.

Serioziteti me të cilin Rakipi e “nis dhe bitis një punë”, vijon në përzgjedhjen e krijimeve të miqve që ai zgjedh për të analizuar në vijim të biografive, ku, për të qenë i hapur dhe distant, ai përfshin dhe shkrime të tjera për “personazhet” e tij në biografitë e tyre. Kjo gjë e kompleton në mënyrë perfekte profilin biografik të miqve të Rakipit. Unë, nuk mund të ndaj dot se kush është vërtet miku më i mirë i tij, por di të them se, të gjithë, ata, janë me fat që e kanë Rakipin shok, padiksutim. Sepse, vetëm një shok si Rakipi mund të të bëjë urimin më të bukur, që e hasim shpesh në fund të analizave kritike të tij: Penë të fortë, miku im!; Penë të mbarë, miku im!; Mos pushoftë kurrë pena juaj! Sa fjalë të bukura për të mbyllur një kumtesë…

Por, akoma më të bukura janë ato që Rakipi shkruan në hyrje të njërës prej këtyre shkrimeve, një frazë që më preku shumë kur e lexova, pasi mendoj që ky është lajtmotivi që e nxit Rakip Zhgunin të shkruajë pambarim: “Kohë për të fjetur do të kemi shumë, por kohë për të shkruar nuk do të kemi më, kur të biem në gjumin e pafundmë!”

Ju faleminderit!

Beneta Dhima

Biblioteka Publike “Qemal Baholli”

Elbasan, 16 dhjetor 2025

_______________________________

Rakip Zhguni, poet, shkrimtar dhe kritik letar

Nga Ahmet Mehmeti

Rakip Zhguni është nga figurat më përfaqësuese të letërsisë dhe mendimit  letrar shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, i njohur si poet, eseist, kritik letrar, shkrimtar e gjuhëtar, me profil të formuar intelektual dhe veprimtari të qëndrueshme kulturore. Deri tani ka botuar 26 vepra të gjinive dhe llojeve nga më të ndryshmet.

Në poezinë e tij vërehet një ndjeshmëri e përmbajtur, e mbështetur mbi reflektimin filozofik, përjetimin ekzistencial, dhe raportin e individit me kohën, gjuhën dhe kujtesën. Ai karakterizohet nga një lirizëm racional, pa patetizëm të tepruar, ku përdorimi i figurave vjen i matur, me simbolikë të qetë dhe metaforë të spikatur. Ai dallohet për tension midis subjektit poetik dhe realitetit shoqëror. Poezia e tij përfaqëson një etikë të rezistencës shpirtërore, ku fjala poetike shërben si mjet vetëdijeje dhe mbijetese kulturore.

Një aspekt shumë i veçantë i krijimtarisë së frutëshme të Rakipit është veprimtaria e larmishme dhe e përherëshme si kritik letrar. Në këtë fushë ai përfaqëson modelin serioz analitik dhe jokonformist ku pozicionohet larg skematizmit dhe kritikës së porositur, ku i përkushtohet analizës së strukturës së veprës letrare, poetikës së saj, botës ideore dhe gjuhës, në një hapsirë kohore nga periudha e Rilindjes Kombnëtare deri në kohën e soitme. Ai ruan me skrupulozitet ekuilibrin mes vlerësimit estetik dhe konteksteve historike, sociale etj. që luan letërsia në përgjithësi si art e si shkencë (funksione antropologjike). Në këtë mënyrë Rakip Zhguni kontribuon me pasion në normalizimin e diskursit kritik shqiptar duke theksuar autonominë e veprës letrare dhe kriterin artistik, duke këmbëngulur në interpretimin e saj me elegancë dhe qartësi.

Si shkrimtar në prozë dhe shkrime refleksive, Zhguni shfaq interes për botën e brendshme të individit, përqëndrim në dilemën morale, kujtesën, përvojën jetësore, me stilt të qetë, analitik, shpesh introspektiv. Proza e tij nuk synon sensacionalen por thellësinë e mendimit dhe qëndrueshmërinë etike.

Rakip Zhguni përfaqëson tipin e intelektualit letrar të përkushtuar dhe formuar, ku krijimtaria dhe mendimi kritik ecin paralelisht. Rëndësia e tij qëndron në ruajtjen e standardeve estetike, në krijimin e një kritike të përgjegjëshme, kontributin për kulturën letrare shqiptare gjithpërfshirëse si hapsirë reflektimi dhe lirie mendore.

Ahmet Mehmeti

Biblioteka Publike “Qemal Baholli”

Elbasan, 16 dhjetor 2025

________________________

Nga Bardhul Toda

E nderuar Drejtore e Bibliotekës Publike “Qemal Baholli” Elbasan, zj. Elisa Janku!

Të nderuar misionarë të Misionit: “Kujtesë për vazhdimësi”!

Të nderuar të gjithë të pranishëm!

Fjalët janë të varfra për të shprehur atë që ndjej, por, për secilin nga JU, përcjell falënderimin me mirënjohjen më të thellë për dashamirësinë dhe gadishmërinë e mbarëvajtjes me sukses të kësaj veprimtarie.

Nuk është aspak e lehtë të rendësh dhe të hulumtosh në hartën e gjerë krijuese dhe studimore tashmë të konsoliduar të autorit, Rakip Zhguni.

Në dekadat krijuese të z. Zhguni, takon qiellin, yjet dhe tokën, takon ajrin, detin dhe diellin, takon dhimbjen, dheun, baltën dhe gurin.

Nisur nga thënia e (Moritz Gottlieb Saphir) Safirit: “Jo çdo qenie njerëzore mund të jetë një shkrimtar, por çdo shkrimtar ka gjasa të jetë një qenie njerëzore.”, për rrugëtimin me emrin Rakip Zhgunin si njeri dhe krijues, është mbivendosur edhe shprehja nga Mario Vargas Llosa: “S’është shkrimtari që zgjedh temat, por temat zgjedhin shkrimtarin.”. Të dyja këto shprehje, kanë një lidhje binjakësie të fortë dhe të qëndrueshme, kur bëhet fjalë për këtë autor.

Rakip Zhguni së pari është njeri me kuptimin më të plotë të kësaj vlere, ndaj temat, studimet apo krijimet e shumta që ka trajtuar, vijnë tek ne, përmes shtëpisë së tyre të rehatisë, me kryefamiljar Rakip Zhgunin.

Në vëllimin poetik “Një plagë më shumë”, botuar në vitin 1999, takohemi me poezinë: “O ju yje”, ku poeti me fjalë të thjeshta përshkruan takimin me galaktikën.

O ju yje sy me zjarre,

falmëni pak xixëllima,

t’i rendis vargje – vargje,

gjerdandritë nëpër rima.

 

Do të eci sy më sy,

nëpër dyer lumturie,

paskam shpirtin sa një qiell,

paskam zemër poezie.

 

Do t’i bie pash më pash,

tokës sime ballëlarë…

Nëpër dritë vetëtimash,

xixa yjesh paskam marrë.

Sikundër yjet, edhe hëna ka gjetur strehë në shtëpinë shpirtërore të Rakip Zhgunit. Në brendi të të njëjtit vëllim poetik, në poezinë “Buzëmbrëmje”, ndeshim një ndërthurje të personifikimit me semantikën frymuese që i dhuron poeti hënës.

Mu në majë të malit farfurit hëna,

sytë i qepalliti tejet luginës.

I qerpiken gjethet muzgut të një arre,

mbrëmjen yjendritur, ia falka luginës.

 

Brigjeve të lumit fshihet pas gëmushës,

jelekun shkopsitka në stërkala vale,

seç i laka sytë tinës pas një xunkthi,

mos ta zërë gjumi, dielli kur të dalë.

Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se jeta e përgjithshme e shoqërisë sonë, nuk ka qenë asnjëherë brenda kufijve normalë të shoqërive të zhvilluara. Kjo diferencë e pa drejtë u thellua më tepër pas viteve ‘1990, të cilën do ta quaja “Pushteti i tranzicionit”.

Gjatë dekadave të këtij “pushteti”, kemi parë e ç’nuk kemi parë, dhe ende nuk e dimë kur do të dalim nga kjo “karantinë” epidemike.

Në vëllimin me esse, me titull: “Tjetërsim”, botim i vitit 2004, nën presionin e rrymës së erës, perdja shpirtërore e Rakip Zhgunit ka prodhuar edhe esenë: “I varfri”, nga i cili do të lexoj disa fragmente:

“Sa larg botës së kafshëve kemi shkuar! Tufa e dinozaurëve, mamuthëve, drerëve, dhive, dhenve, shpendë e zvarranikë, në dhe, në ujë e në ajër as pyesin për pasuri… Homosapiensët e majmunët as e dinin ç’do të thotë imja, jotja… Por ja që u prish rregullsia…

Biologët përpiqen të futen deri në thellësi e hollësi të geneve, të zbulojnë të fshehtat, misteret…

Ah, Adam ç’na bëre!… I varfër. O njeri, ç’deshe që njohe vetveten?… Jemi në shekullin XXI. Kohë moderne. Shihni masat e plehrave. Konsum i jashtëzakonshëm. Edhe mjerimi është bërë aq modern sa Ezopi… Rritet akciza. Sipas cilësisë, sipas oreksit. I varfëri e ha. Ha sapunin për djathë. Prapë ngushëllohu, se korbi nuk ka ngrënë kurrë djathë. As do të hajë pa ngordhur dhelpra. Ule shpinën. Jam unë zoti e robi. Ti je kavia, ku ha, pi, rroj, mbretëroj unë…”.

Në këtë përshkrim të realitetit tragjik, mprehtësia e autorit gjen vend edhe për ironi sarkastike, kur shkruan: “I varfëri e ha. Ha sapunin për djathë. Prapë ngushëllohu, se korbi nuk ka ngrënë kurrë djathë. As do të hajë pa ngordhur dhelpra.”.

Në tërë rrugëtimin e tij si krijues, autori Rakip Zhguni ndalet me vargje malli për vendlindjen, për Shmilin dhe natyrën e tij, për truallin në zemër të Çermenikës me histori brezash.

Në vëllimin poetik: “Gur i vendit tim”, botuar në vitin 2008, është edhe poezia “Malet e vendlindjes”. Mënyra e përshkrimit të autorit, së pari e ndan me një tis fjalën malet nga mallet, sepse, vetë mënyra e trajtimit të vargut të jep ndjesinë që maleve u ligjëron me fjalë malli për krenarinë historike të dikurshme.

Flenë këto male, o ç’male të rënda!

Mbuluar me mjegull, ndezur në legjenda.

 

Gjeto Bash Kreshnikë, Gjer Elez Alij,

Tim për tim me krajlë, me bajlozë të zinj.

 

Verës me blerime, dimrit hedhur guna,

Kokën për rrufetë, zemrën për Ajkuna.

……………………………………………………..

Shkrep më shkrep si stralli, digjen nën rrufe,

Vdekja thyen kokën, zhduket përmbi re.

Të nderuar të pranishëm. Siç e përmenda në fillim të kësaj ligjërate, harta krijuese që ka ndërtuar me qetësi, punë të palodhur, me mendje të zgjuar dhe urtësi fisnike, z. Rakip Zhguni, është tejet e gjerë dhe e larmishme, saqë të krijon ndjesinë se autori, ka rikthyer me anë të vargjeve dhe krijimeve të tij, kufijtë e dikurshëm gjeografikë të Ilirisë sonë.

Përmbajtjet, tematikat në përgjithësi, të ndërlidhura me fjalë të rizgjuara nga folklori si: hepoheshin rrapat, lëbardhë, lëfyt, mitan, tragë, traks apo lëmazhda (për lëmazë) në rastin e novelës “Mali i Vashës” dhe jo vetëm, nga vëllimi me ese dhe novela, me titull: “Sytë e saj”, duke shtuar këtu figuracionin e pasur dhe fjalëformime, kanë dhuruar për lexuesit atë bukuri të trajtuar me finesë letrare dhe pa bujë, ashtu siç është realisht vetë babai i këtyre krijimeve, z. Rakip Zhguni.

Në të njëjtën kohë, e gjithë krijimtaria e z. Zhguni, leksikografia e pasur, trajtimi realist i anës sociale dhe i zhvillimeve shoqërore mbarë shqiptare, si dhe “sonda” kërkuese në thellësi të historisë dhe eposeve kombëtare, janë një nga testamentet e çmuar që ky autor i ka dhuruar jo vetëm artit letrar, por do të thoja të gjithë arealit krijues, studiues dhe dokumentativ kombëtar.

Me plot gojën do të pohoj se në këtë areal, Rakip Zhguni nuk ka lënë thjeshtë një gjurmë, por ka lënë tragën me emrin e tij.

Të falënderojmë që ekziston mik i mirë Rakip Zhguni!

Qoftë i pashtershëm burimi yt krijues!

Shëndeti të qoftë i mbarë në vazhdim, për vete, për familjen, për shoqërinë!

Faleminderit të gjithëve për vëmendjen!

Bardhul Toda

Biblioteka Publike “Qemal Baholli” Elbasan

E martë, 16 dhjetor 2025, ora 17.30

 

 

Leave a Reply