(I lindur dhe rritur në Francë, Stendal shkroi shumë për Italinë, këtë atdhe të qytetërimit europian, siç e quante ai. Përkushtimi ndaj Italisë dhe gjenive që patën lindur në këtë vend, e frymëzuan gjatë gjithë krijimtarisë së tij. Nga seria “Kronikat italiane”, në tregimin “Dukesha e Palianos”, është përzgjedhur një fragment ku përshkruhet, më tepër si një vëzhgim socio-kulturor, jeta shoqërore në Italinë e fillim-shekullit XIX.)
Dukesha e Palianos
Palermo, më 22 korrik 1838
Nuk jam aspak natyralist, nuk di greqisht veçse fare pak; qëllimi im kryesor, duke udhëtuar në Siçili, nuk është që të shoh fenomenet e Etnës, apo të bëj ndonjë sqarim mbi autorët e vjetër grekë që kanë folur për Siçilinë. Pikësëpari kërkoj të sodis sytë mbi ç’ka është e madhërishme në këtë vend të veçantë. Thonë se i përngjan Afrikës; ajo që për mua është më e sigurtë, mbetet fakti se nuk i përngjet Italisë, përveç pasioneve të egra. U takon më mirë siçilianëve thënia: “nuk ka asgjë të pamundur, sidomos për ata që ndizen nga zjarri i dashurisë ose i urrejtjes”. Dhe urrejtja, në këtë vend të bukur, nuk shkaktohet kurrë nga interesi i parasë.
Kam vënë re se në Angli dhe më shumë në Francë, flitet shumë shpesh për pasionin italian, pasionin e papërmbajtur që kishte pllakosur Italinë e shekujve XVI-XVII. Në ditët tona ky pasion ka vdekur, është shuar fare, në klasat e prekura nga përgjasimi i zakoneve frënge ose mënyrat e veprimit të modës në Paris dhe në Londër. E di mirë që mund të thuhej qysh nga koha e Karl Kint (Charle-Quint 1530) Napoli, Firence dhe Roma huazuan dhe i përngjanë zakoneve spanjolle; po këto sjellje shoqërore aq fisnike a nuk e kishin themeluar mbi respektin e pafund, që çdo njeri, i denjë për këtë emër, duhet të ketë drithërimën e shpirtit të tij? Ato e tepronin, ndërsa parimi i parë i mendjemëdhenjve që donin t’imitonin dukën Richelieu rreth 1760, ishte të mos dukeshin të mallëngjyer për asgjë. Parimi anglez, që kopjohet tani në Napoli, duke bërë si mendjemëdhenjtë francezë, a nuk ishte për t’iu përngjarë të gjithëve, të mërziteshe nga të gjithë dhe të ishe mbi të gjithë?
Kështu pasioni italian nuk shihet më qysh prej një shekulli, në shoqërinë e mirë të këtij vendi. Për të më ngjallur ndonjë ide të këtij pasioni italian, për të cilin romancierët tanë flasin me kaq siguri, kam qënë i detyruar t’i drejtohem historisë: dhe më tepër historisë bërë prej shumë burrave të talentuar dhe shpesh shumë madhështorë, po nuk thotë pothuaj asgjë për këto hollësira. Ajo nuk denjon as të mbajë shënim të marrëzive, qofshin këto të bëra nga mbretër ose nga princër. Kam shfletuar historinë e veçantë të çdo qyteti dhe kam qënë i tmerruar me tepricën e materialeve. Ky qytet i vogël iu prezanton me krenari historinë e tij në tre-katër vëllime (4 të botuar) dhe në shtatë-tetë vëllime në dorëshkrime këto të palexueshme, shkarravitur me shkurtime, duke u dhënë gërmave një formë të veçantë, dhe, në pikat më interesante, mbushur me dialekt të vendit, po të pakuptimta 20 lega më larg. Sepse në këtë Itali të bukur ku dashuria ka hedhur farën e kaq ngjarjeve tragjike, tre qytete vetëm Firence, Siena dhe Roma flasin pothuaj ashtu si shkruajnë: kudo gjetkë gjuha e shkruar është larg 100 lega nga gjuha e folur.
Atë që ne e quajmë pasion italian, d.m.th.. pasioni që kërkon të vetkënaqet, dhe jo për t’i dhënë fqinjit një ide të shkëlqyeshme për veten tonë, fillon me rilindjen e shoqërisë, në shekullin e dymbëdhjetë, dhe shuhet në kompaninë e mirë rreth vitit 1734. Në këtë kohë, erdhën të mbretërojnë në Napoli, me personin e Don Karlos, bir i një Farnese, martuar në dasmën e dytë me Filipin e pestë, ky nip fatkeq i Louisit XIV, kaq trim në mes të gjyleve, kaq i mërzitshëm dhe kaq i pasionuar pas muzikës. Dihet se gjatë 24 vjetëve, i tredhuri i shquar Farinelli i këndoj në të gjithë ditët, tri këngët që pëlqente, gjithmonë po ato.
Një mendjeje filozofike do t’i duken të çuditshme hollësitë e një pasioni që ndjehet në Romë ose në Napoli; po do të pohoja se asgjë nuk më ngjan më absurde që iu japin emra italianë personazheve të tyre. A nuk jemi të një mendje që pasionet ndryshojnë sa herë largohemi njëqind lega drejt veriut? Dashuria a është e njëjtë në Marsejë si në Paris? Sidoqoftë a mund të themi se vendi i nënshtruar për një kohë të gjatë të të njëjtit lloj qeverisjeje na jep në zakonet shoqërore një ngjashmëri të jashtme.
Peisazhet, si pasionet, si muzika ndryshojnë sapo përparojmë 3 gradë drejt veriut. Një pejsazh napolitan do të dukej absurd në Venetik, në qoftë se nuk jemi të bindur, qofshim edhe në Itali, se admirojmë natyrën e bukur të Napolit. Në Paris ne bëjmë më mirë, ne besojmë se pamja e pyjeve të fushave të kultivuara është domosdomërisht si në Napol dhe në Venecia, dhe do të dëshëronim që Kanaleto, për shembull të kishte pa tjetër të njëjtën ngjyrë si Salvator Roza.
Qesharake, a nuk është një grua engleze, e pajisur me të gjitha përsosmëritë e Ishullit, po vështrojeni si kalon jashtë vehtes kur pikturon urrejtjen dhe dashurinë, po në këtë ishull: Zonja Anne Radcliffe, duke dhënë emra italiane dhe pasione të mëdha personazheve të romanit të famshëm: “Rrëfimi i të penduarve zezakë.” Nuk kërkoj të marr në shqyrtim anën e thjeshtësisë, ashpërsisë ndonjëherë të bezdisshme të tregimit tepër të vërtetë, të cilën ia nënshtroj zemërbutësisë së lexuesit; për shembull përkthenj përgjigjen e dykesës de Palliano, shfaqjes së dashurisë të kushëririt të saj Marcel Kapecce. Kjo monografi e një familjeje gjendet, nuk e di përse, në fund të vëllimit të dytë, të një historie, dorëshkrim të Palermos, mbi të cilën nuk mund të japë asnjë hollësi.
Këtë tregim që po e shkurtoj shumë, për fat të keq timin (po heq një mizëri rrethanash karakteristike si dhe aventurat e fundit të familjes fatkeqe Karafa, më mirë se historinë interesante të një pasioni të vetëm. Mburrja letrare më thotë se ndoshta nuk do më ish e pamundur të shtoj interesin e shumë situatave, duke zhvilluar më shumë, d.m.th. duke shpikur e duke treguar lexuesit, me hollësi atë që ndjenin personazhet. Po mua, francez i ri, lindur në veri të Parisit, a jam krejt i sigurt të marr me mend atë që ndjejnë këto shpirtra italiane të vitit 1559? Mund pak a shumë të marr me mend atë që duket elegant dhe pikant lexuesit francez të 1838.
Kjo mënyrë e pasionuar e të ndjerit që mbretëronte në Itali rreth 1559 donte veprime dhe jo fjalë. Do të gjenden pra pakë bashkëbisedime në tregimet e mëposhtme. Eshtë diçka që nuk shkon në këtë përkthim, siç jemi mësuar me dialogjet e gjata të romaneve tonë; për ata një bashkëbisedim është një betejë. Historia, për të cilën kërkoj shpirtbutësinë e lexuesit, tregon për një rregull të veçantë, futur prej spanjollëve në zakonet e Italisë. Nuk kam dalë aspak nga roli i përkthyesit. Kalku besnik i huqeve të të ndjerit të shekullit të 16, i cili, sipas çfarëdolloj dukjeje ishte një njeri i mirë që i përkiste dykesës De Palliano, që përbën meritën kryesore të kësaj historie tragjike, po sido të jetë ka merita.
Etiketa spanjolle më e rreptë mbretëronte në oborrin e dykut De Palliano. Eshtë për t’u shënuar që çdo kardinal, që çdo princ roman kishte një oborr të ngjashëm dhe ju do të mundeni të krijoni një ide të spektaklit që shfaqte më 1559 në qytetërimin e Romës.
Mos harroni se ishte koha, kur mbreti Filipi i II-të, duke patur nevojë për votat e tyre të dy kardinalëve, jepte për secilin dy qind mijë livra t’ardhura për bamirësi kishtare. Roma, megjithëse pa ushtëri të fortë, ishte kryeqyteti i botës. Parisi, më 1559, ishte një qytet prej barbarësh mjaft të njerëzishëm.
© Stendhal, Vanina Vanini: (novela), përkthyer nga Selam H. Shtylla, Tiranë: Medaur, 2000.
