Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Një Don Kishot i pandryshueshëm

Pjesa e parë e kryeveprës së Miguel de Cervantesit, Don Kishoti, u botua në Spanjë, #sisot më 16 janar 1605, me titullin El Ingenioso Hidalgo Don Quijote de la Mancha (“Fisniku i zgjuar Don Kishoti i La Mançës”). Don Kishoti njihet përgjithësisht si romani i parë modern. Vendi dhe koha kur zhvillohen ngjarjet si dhe skenat e dialogut e dallojnë atë nga rrëfimet e mëparshme, më pak komplekse.

Në lidhje me jetën e Servantesit ka ende boshllëqe dhe pyetje. Dihet që Servantesi ishte ushtar, u kap rob dhe shpërblimi për lirimin u ble nga familja e tij. Më vonë ai punoi si mbledhës taksash për Armatën Spanjolle, punë kjo që e futi në telashe dhe u burgos dy herë për “mospërputhje në kontabilitetin e tij”.

Në parathënien e tij për Don Kishotin, Servantesi thotë se ideja për librin i erdhi ndërsa ishte në burg. Qëllimi i tij ishte të tregonte një histori për jetën reale në Spanjën rurale dhe të përdorte zërin autentik të spanjishtes së përditshme, në vend të diksionit të zakonshëm letrar, si një mënyrë për të satirizuar romancat kalorësiake të nivelit të lartë.

Botimi u prit dhe njohu popullaritet të gjerë duke krijuar si pasojë një numër imituesish që shkruan libra të tjerë të cilët përdornin historinë dhe personazhet e Servantesit. Për t’i bërë ballë kësaj tendence, Servantesi, edhe pse nuk e kish planifikuar, botoi një Pjesë të Dytë të Don Kishotit në vitin 1615.

Personazhi kryesor i librit, i ka dhënë gjuhës së sotme emrin donkishot, që do të thotë një njeri i shkëputur nga jeta e gjallë, që rron me ëndrra, lufton më kot për ideale e qëllime të paarritshme sa bëhët qesharak e për të ardhur keq, si dhe idiomën të luftosh me mullinjtë e erës. Betejat iluzionare dhe mashtruese të Don Kishotit, bashkë me shokun e tij besnik Sanço Pançën, dhe disfatat mizore që ai pëson e kanë bërë atë një personazh jashtëzakonisht popullor deri më sot. Historia e tij është mbajtur gjallë gjatë viteve në balete, opera, shfaqje teatrale dhe sigurisht në muzikalin e Broadway-t, “Njeriu i La Mançës”.

Edhe sot, Don Kishoti mbetet një ndër librat më të përkthyer e më të shitur anembanë botës.

Burimi: https://booknormblog.wordpress.com/2019/01/16/today-in-literary-history-january-16-1605-part-one-of-don-quixote-is-published-2/

Leave a Reply