Radioja, e shpikur në fund të shekullit të 19-të, revolucionarizoi komunikimin global duke transmetuar tingullin nëpërmjet valëve elektromagnetike, një koncept që rrjedh nga “radio” (radius, latinisht për rreze). Sinjali i parë u realizua në vitin 1895, kur Gulielm Marconi, një shkencëtar italian, realizoi sinjalin e parë radio gjë që ndryshoi njëherë e përgjithmonë komunikimin e njerëzve në distancë. Radioja u lejoi njerëzve të dëgjonin muzikë, lajme dhe histori me njëri-tjetrin në një mënyrë që nuk kishte qenë e mundur kurrë më parë. Kjo ishte hera e parë që njerëzit mund të ndanin idetë dhe përvojat e tyre me një grup të madh njerëzish, kudo dhe përnjëherë, prandaj u quajt mediumi i parë masiv dhe mbetet forma më e vjetër e komunikimit elektronik.
Debutimi i radiove të makinave zë fill në vitin 1930, kohë kur shfaqen dhe reklamat e para në radio, që i përkasin asaj që më vonë do të bëhej firma inxhinierike Motorola. Interesant është fakti se në vitin 1932 astronomët zbuluan se objektet qiellore lëshojnë valë radioje, madje NASA ka stacionin e vet radiofonik, Third Rock Radio.
Vitet 1920 – 1950 njihen në histori si Vitet e Arta të radios, për nga shtrirja e përdorimit, shfrytëzimi për dhënie dhe marrje informacioni dhe si gati-gati i vetmi mjet argëtimi dhe informimi i përhapur në të gjithë globin.
Transmetimi i parë radiofonik në Shqipëri nisi më 28 Nëntor 1938, me inagurimin e Radio Tiranës nga Mbreti Zog, e cila shënoi një moment historik për median shqiptare. Ky stacion transmetonte me një fuqi prej 3 kW në valë të shkurtra dhe synonte të përcillte lajme e muzikë, duke u bërë zëri i parë zyrtar i Shqipërisë në radio.
* 13 shkurti, prej 25 vitesh tashmë, është shpallur nga UNESCO si Dita Botërore e Radios në mënyrë që, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme në këtë ditë anembanë botës, të kremtohet Radio si mediumi më i përhapur në botë i cili luan rol të rëndësishëm në promovimin e dialogut demokratik, diversitetit dhe lirisë së shprehjes.
Në linkun e mëposhtëm do të mund të dëgjoni nga kantautori i mirënjohur shqiptar Piro Çako, një këngë himn që përcjell qartë mesazhin se çfarë përfaqson radioja në jetën e secilit prej nesh.
