Në një atmosferë të ngrohtë mes miqsh, studiuesish, kolegësh dhe bashkëpunëtorësh, u promovua në sallën e bibliotekës libri “Rrugëtimi i abetares dhe gjuhës shqipe ndër vite” i autoreve Manjola Hatellari dhe Kozeta Grykshi. Konceptuar si një bibliografi tematike ky libër përfshin shkrimet e fondit libror albano-balkanologjik të bibliotekës sonë, të cilët kanë trajtuar alfabetin dhe gramatikën e gjuhës shqipe në një periudhë kohe prej 1821 e deri më 1984. Në pjesën e parë të librit, paraqiten kronologjikisht abetaret e gjuhës shqipe duke filluar me Alfabetin e Todrit e deri në abetaren e vitit 1968, botuar në Prishtinë. Në pjesën e dytë, janë renditur alfabetikisht autorë vendas dhe albanologë të cilët treguan interes dhe thelluan studimet e tyre për gjuhën shqipe dhe gramatikën e saj.
Redaktorja e librit, ish-mësuesja Xhuljeta Stringa në fjalën e saj përgëzoi autoret për përgatitjen e kësaj bibliografie, e cila do t’u shërbejë në vazhdim studiuesve të gjuhës shqipe dhe e konsideron këtë botim të denjë për t’u konsideruar një studim serioz dhe shterues. Të njëjtin mendim ndau dhe drejtoresha e gjimnazit “Dhaskal Todri”, znj. Merita Balliçi, e cila, pas një vëzhgimi të imtësishëm të librit, e gjen atë me vlera, duke e quajtur një udhërrefyes për studentët e gjuhës shqipe dhe njëherazi si një tregues të qartë të pasurisë së fondit të bibliotekës.
Për të përshëndetur autoret e morën fjalën ish drejtuesja znj. Drita Cankja, klasifikatorja Beneta Dhima, miku i bibliotekës z. Bardhi Toda, mësuesja Manjola Tahiraj, poetja Ildije Xhemali, specialistja e bibliotekës së fëmijëve Liljana Xhafa e të tjerë. Në fund të takimit, mes emocionesh, Kozeta dhe Manola u shprehën se e kanë punuar me shumë dashuri këtë bibliografi e cila dashur pa dashur me përmbajtjen e saj cilësore i ka kaluar muret e bibliotekës dhe gjendet në tryezën e punës të çdo studiuesi të gjuhës shqipe.
Më poshtë gjeni fjalën e Dr. Merita Balliçi, Msc. Drita Cankja, Msc. Beneta Dhima, z. Bardhul Toda, znj. Manjola Tahiraj dhe znj. Ildije Xhemali.
Recension: “Rrugëtimi i abetares dhe gjuhës shqipe ndër vite; Bibliografi tematike 1821-1984”, Manjola Hatellari dhe Kozeta Grykshi.
Nga: Dr. Merita Balliçi
Bibliografia tematike “Rrugëtimi i abetares dhe gjuhës shqipe ndër vite; Bibliografi tematike 1821-1984” i autoreve Manjola Hatellari dhe Kozeta Grykshi, botim i shtëpisë botuese “PENK Print”, Elbasan 2025, paraqet një përmbledhje të strukturuar të abetareve dhe studimeve rreth gjuhës shqipe që gjenden në fondin e vyer të albanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli”, Elbasan. Punimi bibliografik nuk është i pari i këtij lloji hartuar nga biblioteka “Qemal Baholli” apo nga vetë autoret. Përpjekja e parë (nga sa pasqyrohet në faqen digjitale të bibliotekës) i takon vitit 2009 me botimin “Bibliografi e botimeve të viteve 1500-1800” nga autoret Myrvet Dhono, Manjola Hatellari e Drita Cankja; të tjetra punime janë: “Kontributi i atdhetarëve elbasanas në shtypin e kohës (Bibliografi shqipe e anotuar e periodikut të viteve 1883-1944)”, botim i bibliotekës “Qemal Baholli”, i autoreve Drita Cankja dhe Manjola Hatellari, viti 2012; “Kongresi i Elbasanit dhe Shkolla Normale në historinë e arsimit dhe kulturës shqiptare (Bibliografi shqipe e anotuar 1909-2009)”, viti 2012, autore Manjola Hatellari, botim me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe “Bibliografi tematike e librave të fondit të bibliotekës “Qemal Baholli” që trajtojnë epokën e Skënderbeut”, viti 2023, autore Kozeta Grykshi dhe Ariana Liçi.
Bibliografia tematike “Rrugëtimi i abetares dhe gjuhës shqipe ndër vite” paraprihet nga një parathënie ku tregohet rëndësia e gjuhës shqipe dhe e shkrimit të saj, roli dhe kontributi i bibliotekës “Qemal Baholli” në këtë fushë, mënyra si është strukturuar libri dhe një përmbajtje e shkurtër e punimit.
Bibliografia tematike “Rrugëtimi i abetares dhe gjuhës shqipe ndër vite” është libër i strukturuar në dy pjesë: në pjesën e parë, në 35 zëra, janë paraqitur të gjitha abetaret që ndodhen në fondin e albanologjisë së bibliotekës “Qemal Baholli”, Elbasan, ndërsa në pjesën e dytë, në 77 zëra, paraqiten vepra të autorëve vendës dhe të huaj, pjesë e fondit të bibliotekës, që trajtojnë çështje të gjuhës shqipe; të dyja pjesët paraprihen nga një paraqitje e shkurtër e përmbajtjes.
Pjesa e parë vjen në renditje kronologjike dhe nis me Alfabetin e Todrit, që biblioteka e posedon si një dorëshkrim të skanuar nga një fletore shënimesh të Simon Shuteriqit dhe, menjëherë pas tij, renditet Abetarja e parë e gjuhës shqipe, hartuar nga Naum Veqilharxhi në vitin 1844; autoret përmendin faktin që në bibliotekën e Elbasanit gjendet vetëm fotokopje e saj.
Abetarja e Kostandin Kristoforidhit paraqitet në botim në dy variantet e saj, në toskërisht, botim i vitit 1867 dhe në gegërisht; gjendet në bibliotekën e Elbasanit botimi i vitit 1872, i cili është ribotim i vitit 1866. Lidhur me rëndësinë e veçantë të një tjetër abetareje, Abetares shqip të Daut Boriçit, e cila gjeti një përdorim të gjerë në Veri, autoret kanë sjellë një citim të Sh. Osmanit dhe Nj. Kazazit, që e paraqet Abetaren e Boriçit po kaq të rëndësishme sa ajo e Veqilharxhit dhe Kristoforidhit.
Paraqitja e tri zërave të lartpërmendur, që patën një rëndësi të veçantë dhe përdorim të gjerë në Veri, Jug dhe në Shqipëri të Mesme, është një tjetër tregues i fondit të pasur të albanalogjisë në bibliotekën e Elbasanit.
Zëra të tjerë të rëndësishëm, pjesë e fondit të çmuar janë: Albanesische Alphabet nga albanologu gjerman Johan Georg Hahn (zëri 3), pjesë e librit “Studime shqiptare”, që njihet si një nga punimet shkencore më me vlerë, shkruar nga të huajt, për historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare (Rrugëtimi i abetares dhe gjuhës shqipe ndër vite f, 9); Abetarja e Parashqevi Qiriazit, e cila botohet fill pas Kongresit të Manastirit, më 1909, dhe ribotimi i saj, i vitit 1911 etj.
Përgjithësisht, secili prej zërave në pjesën e parë vjen me këto të dhëna:
- Të dhëna bibliografike: titulli i librit, autori, vendi dhe viti i botimit etj.
- Për disa prej autorëve të abetareve jepen të dhëna për kohën kur jetuan, veprimtarinë dhe kontributin e tyre në çështje të gjuhës shqipe, si p.sh.: për Luigj Gurakuqin, zëri 9, Sami Frashërin, zëri 11, Simon Shuteriqin, zëri 15 etj.).
- Citime nga studiues të tjerë ose nga vetë vepra, si dhe rëndësia e veprës.
- Lloji i alfabetit apo i shkronjave (si p.sh.: në zërin 6 “Abetare shqip”, me shkronja arabo-turke ku veçohen: nga 37 shkronja, 28 janë të alfabetit arab, 2 nga osmanishtja dhe 7 janë krijuar nga autori, nga Daut Boriçi; zëri 9 “Abetar i vogël shcyp” mas Abevet t’Bashkimit e t’Stambollit, nga Lek Gruda, pseudonim i L. Gurakuqit etj.).
- Përshkrimi i veprës, çfarë gjen lexuesi në të (në disa prej tyre).
- Si posedohet libri (kopje, origjinal, skanim, ribotim etj.).
- Pozicioni i librit (sipas skemës së klasifikimit të fondit të librave), një e dhënë që mbyll secilin prej zërave.
Nga sa paraqitëm më lart, mund të themi se autoret nuk sjellin thjesht një paraqitje bibliografike të abetareve, por edhe një përmbledhje, përshkrim dhe vlerësim të tyre.
Pjesa e dytë e punimit paraprihet nga një hyrje e shkurtër ku autoret paraqesin çfarë përmban kjo pjesë, interesin e studiuesve dhe autorëve shqiptarë për domosdoshmërinë e ruajtjes së shqipes, si dhe interesin e albanologëve të huaj për çështje të gjuhës shqipe, të cilët, në disa raste, e shohin dhe në plan krahasimor me gjuhë të tjera. 77 zërat, renditur në rend alfabetik, më së shumti janë vepra me autorë (kur autorët mungojnë, renditja vjen sipas titullit). Çështjet që trajtohen në këto zëra, janë të larmishme dhe prekin fusha të ndryshme të studimit të gjuhës, si: dialektologji, sintaksë, etimologji, leksikografi, morfologji, fonetikë, drejtshkrim, gramatikë, sociolinguistikë, gjuhësi krahasuese, çështje të kulturës së gjuhës apo të origjinës së saj. Ndonëse shumica e studimeve është në gjuhën shqipe, nuk mungojnë dhe botime në gjuhën italiane, gjermane dhe franceze.
Pjesa e dytë e bibliografisë tematike nis me veprën “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit”, botim i vitit 1972, ku autoret krahas strukturimit dhe përmbajtjes së librit, japin dhe vlerësimin për ngjarjen me rëndësi historike, Kongresin e Manastirit. Gjithashtu, ka zëra ku autoret japin fragmente të parathënieve apo parathënie të veprave, si p.sh. në zërin e katërt, “Analyse de la Lingue Albanaise” nga Louis Benloew, 1879, ku shtrohen çështje dhe arrihen konkluzione të rëndësishme për shqiptatët dhe gjuhën shqipe, në plan krahasues edhe me gjuhë të tjera, lidhur me ekzistencën e hershme të tyre, si dhe problematikat që sjell mospërdorimi i një alfabeti të njëjtë nga të gjithë. Vihet re në parathënie tërë zelli dhe dëshira e autorit (Louis Benloew) për të shtyrë shqiptarë të ndritur e albanologë të zgjidhin problematika të kohës të gjuhës shqipe, të lidhura sa me drejtshkrimin, aq edhe me gramatikën.
Mund të themi se citimet janë përzgjedhur me shumë kujdes nga autoret dhe na zbulojnë jo vetëm vlerën e librit, por edhe problematika të kohës, lidhur me gjuhën shqipe. Nuk mungojnë në zërat e paraqitur edhe vlerësime vetjake me mjaft vlerë rreth autorëve apo veprës së tyre, bërë nga autoret e librit.
Ashtu si kemi përmendur në pjesën e parë, edhe në pjesën e dytë gjejmë po ato të dhëna bibliografike për zërat, por duhet thënë se në këtë pjesë shpesh autoret përmendin dhe tituj të veprave të tjera të autorëve në fjalë, duke dhënë një informacion të rëndësishëm për të gjithë të interesuarit lidhur me tematikën apo veprimtarinë e autorit.
Nisur nga gjerësia e informacionit që përcjell botimi “Rrugëtimi i abetares dhe gjuhës shqipe ndër vite”, mund ta cilësojmë këtë libër një bibliografi tematike të anotuar.
Disa sugjerime:
- Biblioteka e Elbasanit posedon dhe ribotimin e Abetares së Veqilharxhit, ribotim i vitit 1845, “Fare i ri Evëtar shqip për djelm nismëtorë”, me Pozicion A 491.983 V 49, të cilin e konsiderojmë të udhës të pasqyrohet në punim, në rast të ribotimit të kësaj bibliografie.
- Për të pasur të njëjtën paraqitje për të gjitha zërat, sugjerojmë që zëri 72 të vijë më i plotë: libri i K. Xhumarit “Shkrimi Skript”, me titullin e tij të plotë “Shkrimi Skript: Udhëzime për mësimin e shkrimit” prezantohet vetëm nga një fragment parathënieje dhe mendojmë se duhet qartësuar më tej, që të dalë në pah lloji i librit, si një tekst udhëzues, didaktik i kaligrafisë.
- Shumica e zërave shoqërohen me foto të kopertinës së librit dhe mendojmë se ky duhet të jetë standard për të gjithë zërat.
- Gjithashtu, do të sugjeronim të rishihet përfshirja e zërit 22 të pjesës së parë, “Stërvitore: për rreshtin e dytë”. Duke qenë se është një libër me pjesë këndimi për të ushtruar të lexuarit, sikurse zëri 13 në pjesën e dytë me 30 pjesë këndimi, shkruar në elbasanishte apo si zërat 33, 34, 35 etj., mendojmë të listohet në pjesën e dytë të punimit.
Si përfundim, bibliografia tematike “Rrugëtimi i abetares dhe gjuhës shqipe ndër vite; Bibliografi tematike 1821-1984” i autoreve Manjola Hatellari dhe Kozeta Grykshi dëshmon jo vetëm për punë të kujdesshme, përkushtim e dashuri për të nxjerrë në pah tërë fondin e çmuar të albanologjisë së bibliotekës “Qemal Baholli”, të cilin autoret e njohin shumë mirë (duke qenë pjesë e stafit të bibliotekës për shumë vite), por edhe profesionalizëm e saktësi në paraqitjen e zërave bibliografikë, me të gjitha të dhënat e tyre, strukturim tematik që e bën bibliografinë funksionale dhe më të lehtë në përdorim, si dhe herë pas here dhe vlerësime vetjake me shumë interes.
Ky punim është një burim i çmuar për çdo lexues dhe për çdo nxënës a studiues që ka në interes të fushës së tij të studimit çështje të gjuhës shqipe; gjithashtu, një tregues i qartë i pasurisë së fondit të albanologjisë të bibliotekës “Qemal Baholli” të qytetit të Elbasanit.
Dr. Merita Balliçi
Drejtoresha e gjimnazit “Dhaskal Todri”
Biblioteka publike “Qemal Baholli”
Elbasan, e mërkurë, 18 mars 2026, ora16.30.
______________________________________
Manola dhe Kozeta, një rrugëtim miqësie dhe bashkëpunimi ndër vite
Nga: Msc. Beneta Dhima
Ky libër që promovojmë sot, nuk është e para bashkautorësi mes këtyre dy kolegeve, Manolës dhe Kozetës. Të diktuara ndoshta dhe nga natyra e tyre e punës, që e kishin thuajse të përbashkët për mbi 10 vjet, ndarja e përgjegjësive, puna zinxhir me njëra-tjetrën, gjë që u duk sikur fillimisht favorizonte Kozetën si punonjëse më të re në profesion, në fakt rezultoi një bashkim perfekt i dy natyrave aq të ndryshme në pamje por që gjenin shumë pika takimi në thelb.
Me një natyrë të ftohtë dhe të tërhequr, Kozeta të surprizon se sa e gatshme, e shpejtë, e saktë dhe produktive është në punën që i caktohet. Gati-gati, ti nuk e sheh asnjëherë Kozetën duke punuar, vetëm kur befas ja sheh emrin të poshtëshënuar mbi ndonjë bibliografi me tematika nga më të ndryshmet: biografike, historike e deri te ato me problematika sociale.
Nga ana tjetër, vjen Manola, sa introverte në dukje por shumë e gjerë dhe e thellë në shpirt, gjithmonë ajo kolegia që ka një ide brilante në kokë, në momente të vështira, kur ndonjëherë të duhet të veprosh aty për aty apo dhe kur këto ide pasoheshin me punë të gjata, të stërgjata që i kalonin dhe oraret e punës. Kështu ishte dhe është Manola; “e merrte punën dhe hallin në kurriz” dhe ti gjithmonë e gjeje diku duke bërë një punë, që as vetë ajo s’e dinte se “kur do ta nxirrte nga duart”, pasi sa më shumë shfletonte për një gjë duke menduar se “po i nxirrte fundin”, ndërkohë ajo kish gjetur fillimin e një pune të re.
Është një listë e stërgjatë e punimeve të Manolës, duke filluar nga bibliografitë tematike, si ajo për Elbasanin, për bibliotekën, për koleksionet më të vjetra të bibliotekës, për firmëtarët e pavarësisë, për kontributin e patriotëve elbasanas, për Lef Nosin, për Skënderbeun, për Kongresin e Elbasanit, për shkollën Normale, për Filip Papajanin, për komunitetin rom e shumë e shumë të tjera, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre është bashkautorësi me Kozetën dhe me ish-drejtuesen e bibliotekës, znj. Drita Cankja si dhe ish-punonjësen znj. Myrvet Dhono. Duhet të them se, Manola pati fatin, që asnjëra nga ne që jemi tashmë në bibliotekë nuk e kemi, të punojë e të bashkëpunojë me prof. Kujtimin, i cili jo vetëm të mësonte sekretet e bibliotekonomisë, por të ndihmonte që të të formësohej një vetëbesim dhe integritet profesional që pakkush e ka të natyrshëm.
Manola erdhi direkt nga auditoret e universitetit dhe filloi punë në bibliotekë; ajo u rrit këtu, ndau me shoqet hallet dhe gëzimet familjare, ato u bënë tashmë motrat e munguara për të, mësoi nga më të mirat që gjeti këtu dhe e transmetoi dijen tek ne që erdhëm më pas. Të gjitha ne që jemi këtu, e kemi patur derën e Manolës të parën ku kemi trokitur për çdo paqartësi, dyshim, e kemi kërkuar ndihmë profesionale. Dhe kjo ndihmë vinte me butësi, e qartë, pa sekrete e nënkuptime. Manjola dinte të ishte mikja e të gjithëve, armiqtë e saj ose nuk egzistojnë ose janë armiqtë e vetes, këtu e përtej këtyre mureve. Manola ka lënë gjurmë, shenja orientuese, modele pune kudo në bibliotekë, mund të shëtisësh kudo në fond, dhe me bindje e them se 1 në tre tituj mbajnë shkrimin e saj, ai ka kaluar në duart e saj që duken sikur i jep jetë kur i shfleton. Shënimet e saj, të lëna ngado, nëpër faqe libri, nëpër skeda të papërfundura, kartonë të zverdhur e fletë fletoreje të shkëputura, janë aksioma që unë i rikthehem sa herë jam mëdyshtas në punën time. Dhe as e diskutoj më të kërkoj përgjigje tjetërkund. Mund të flas pa fund për Manolën, edhe pse emocionet më shuajnë zërin… Për librin folën studiueset e nderuara gjithsesi mua më pëlqen ta quaj këtë bibliografi një bibliotekë lëvizëse që do qëndrojnë në duart dhe tavolinën e punës së çdo studiuesi të gjuhës shqipe…
E, në fund, dua ta mbyll duke thënë: Kozeta, të kam zili që e ke patur Manolën më gjatë pranë vetes sesa ne. Dhe kam bindjen që bashkëpunimi mes ju të dyjave do vazhdojë, sepse duhet të vazhdojë….
Ju faleminderit!
Msc. Beneta Dhima
Biblioteka publike “Qemal Baholli”, Elbasan
Elbasan, e mërkurë, 18 mars 2026, ora16.30.
_____________________________________
Nga: Bardhul Toda
Të nderuar të gjithë të pranishëm!
E nderuar Drejtore e Bibliotekës Publike “Qemal Baholli” Elbasan, zj. Elisa Janku!
Të nderuara punonjëse të kësaj Biblioteke!
E nderuar Manjola Hatellari dhe Kozeta Grykshi, bashkë-autore të studimit “Rrugëtimi i abetares dhe gjuhës shqipe ndër vite” Bibliografi tematike 1821 – 1984, për të cilin jemi bërë të gjithë bashkë sot, në këtë sallë të Tempullit të Dijes që krenon Elbasanin dhe Kombin tonë!
Është në nderin tim, të jem mes Jush në këtë promovim vlerash studimore, dhe, Ju falënderoj që më bëtë pjesë të këtij takimi të veçantë!
E dimë të gjithë vështirësinë dhe mbijetesën që ka kaluar gjuha shqipe ndër shekuj, sikundër dimë edhe forcën e mbinatyrshme të të gjithë atyre që u përpoqën deri në vetëmohim, për ta mbrojtur dhe ruajtur gjuhën tonë me të gjitha format, edhe pse në shumë raste përtej mundësive të kohës.
Sakrifica e tyre historikisht na ka bërë krenarë, por ndërkohë kjo krenari jo gjithkënd e ka bërë të përgjegjshëm, për të vazhduar një rrugëtim të pastër të gjuhës shqipe në kohën e sotme, që aq shumë e dëshirojmë dhe mbi të gjitha, e kemi detyrim!
Por, përmes kësaj rrëmuje që fatkeqësisht përjeton gjuha jonë sidomos në të shkruar, në këtë kohë të zhvillimeve të shumanshme dhe kryesisht atyre të teknologjisë elektronike, dy zonja të denja që janë krenari për Elbasanin, me përkushtim dhe ndërgjegje na sjellin këtë studim kaq domethënës, të lindjes, rritjes dhe ecurisë në kohëra mes ngjarjeve të ndryshme të abetares shqipe nga autorë dhe atdhetarë të ndryshëm, dhe të atyre që i kanë studiuar ato.
Ky studim me përmbajtje të pasur, veç të tjerave, na sjell në vëmendje se abetarja nuk ka qenë dhe nuk është vetëm një mjet mësimor, por në thelb është edhe një nga elementet më të rëndësishëm për ndërtimin e vetëdijes kombëtare dhe ruajtjen e gjuhës amtare.
“Rrugëtimi i abetares dhe gjuhës shqipe ndër vite”, të paktën në këndvështrimin tim, është një përmbledhje e vlefshme, e cila jo vetëm ka vlera të rralla për vetë veprën, por e shndërron atë në një thesar të çmuar nga ana studimore e shkencore për të ardhmen, pasi ky ATLAS ABETARIK, lehtëson ndjeshëm punën e studiuesve të ardhshëm, më së paku në kursimin e kohës që është aq e çmuar.
Veç të tjerave, ky vëllim, na sjell në vëmendje të ndërgjegjes, jo vetëm rrugëtimin përmes vështirësive të shumta të ABC-së sonë, por në të njëjtën kohë, ky vëllim është një tregues i jashtëzakonshëm i vullnetit, sakrificës e triumfit, të cilat të gjitha bashkë, formojnë atë që quhet karakter, identitet dhe kulturë kombëtare.
Ajo sakrificë e kohërave, për bashkë-autoret e këtij studimi, u kthye në një sakrificë të re, duke gjurmuar, kërkuar, hulumtuar e shfletuar në qindra faqe nga materiale të ndryshme, i pasuar me një sistemin dhe renditje prej amvisash të rralla, që me pak fjalë janë 160 vjet historik i abetares sonë, duke e bërë këtë studim një kështjellë të re dhe të fortë të vlerave historike kombëtare, dhe në të njëjtën kohë, kjo vepër është edhe një homazh kaq domethënës për njerëzit tanë të kombit, në rrugëtimin e vështirë të gjuhës shqipe.
Sot, falë këtyre studiueseve, nuk kemi thjesht një libër më shumë në rafte të bibliotekës, por kemi një vepër që ka pasuruar më shumë vetë materialet studimore shkencore të së ardhmes, dhe nuk ngurroj të pohoj se ky vëllim, tashmë renditet me dinjitet në radhët e veprave studimore bashkëkohore.
Përpara kësaj pune kolosale dhe kaq skrupuloze, ka vetëm përulje dhe mirënjohje të thellë!
Të nderuara Manjola dhe Kozeta, si elbasanas dhe si shqiptar ju them i përmbushur në shpirt: Shumë, shumë faleminderit për këtë dhuratë që i bëtë Elbasanit, Kombit dhe Shkencës!
Të nderuar të gjithë të pranishëm, Ju falënderoj të gjithëve një për një, për vëmendjen!
Bardhul Toda
Biblioteka Publike “Qemal Baholli”
Elbasan, e mërkurë, 18 mars 2026, ora16.30.
_____________________________________
Nga: Manjola Tahiraj
“Rrugëtimi i abetares dhe gjuhës shqipe ndër vite” përfaqson një studim dokumentues me rëndësi të veçantëpër historinë e arsimit dhe të gjuhës shqipe. Ajo ndërton një korpus bibliografik të strukturuar, duke sistemuar burime parësore dhe dytësore që lidhen me Abetaren si tekst bazë i shkrim-leximit. Nëprmjet një qasjeje kronologjike dhe tematike, vepra ndjek evolucionin e praktikave didaktike dhe të përmbajtjes gjuhësore nga fillimet e shek. XIX deri në fund të shek. XX.
Libri shërben si intrument referencial për studime gjuhësore, pedagogjike dhe historike, duke lehtësuar kërkimin shkencor dhe analizën krahasuese. Në këtë kuadër, Abetraja trajtohet jo vetëm si mjet mësimor por edhe si faktor formues i identitetit gjuhësor e kulturor. Rëndësia e veprës qëndron në kontributin e saj për ruajtjen e kujtesës arsimore dhe në afrimin e një baze të qëndrueshme për studime të mëtejshme akademike.
Një dimesnion i veçantë i kësaj vepre është evidentimi i interesit të vazhdueshmë të studiuesve të huaj, të cilët e kanë analizuar Abetaren shqipe në kontekstin e albanologjisë, pedagogjisë krahasuese dhe historisë së edukimit. Vepra shërben si instrument referencial për studime të avancuara dhe si bazë metodologjike në kërkike të reja në nivel ndërkombëtar.
Respekti për Abetaren është respekt për dijen, për gjuhën dhe për vetë të ardhmen tonë. Studimi, përmirësimi dhe ruajtja e saj është detyrë e përbashkët e arsimtarëve,, studiuesve dhe e shoqërisë në tërësi.
E nderuara, e respektuara Manjolë, e përmbushi misionin e saj duke na orientuar drejt themeleve të dijes.
Manjola Tahiraj
Biblioteka Publike “Qemal Baholli”
Elbasan, e mërkurë, 18 mars 2026, ora16.30.
______________________________________
Nga: Ildije Xhemali
Kam ardhur sot këtu me një dëshirë të veçantë në zemër, me një ndjesi që rrallë e përjeton njeriu. Znj. Manjolën e njoha në bibliotekë, jo si një drejtoreshë hijerëndë që të krijon distancë, por si një grua te dashur, që të pret me respekt dhe të dëgjon me vëmendje, sikur fjala jote ka vërtet peshë. Dhe kjo është një dhuratë e rrallë.
Elbasani për mua është vendi i dijes, një truall që frymon kulturë. Më ngjan me rrapet e dikurshme — të shumtë, madhështorë, që nuk jepnin vetëm hije, por edhe freski shpirti, sepse pranë tyre buronte ujë. Ashtu është edhe Elbasani: një vend që të jep dritë dhe jetë njëkohësisht.
Por unë do ta quaja edhe “Rrap-Lis” — i fortë në rrënjë, i gjallë në degë, dhe i pasur në fryte. Sepse nga rrënjët e tij ka lulëzuar dituria, një dituri që është përcjellë me dashuri nga brezi në brez.
Dje këtë dritë e mbanin bijtë e tij. Sot, kjo dritë është bërë edhe më e bukur, sepse e mbajnë dhe e shpërndajnë me përkushtim edhe bijat e Elbasanit. Gratë dhe vajzat, përveçse mbajnë mbi supe familjen, po lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturë dhe dije. Dhe kjo është një pasuri e madhe, një krenari që nuk matet.
Prandaj çdo promovim libri nga gratë dhe vajzat e Elbasanit nuk është thjesht një aktivitet – është një festë e shpirtit, një festë e dijes, një festë e së ardhmes.
Nga zemra u uroj suksese zonjave Manjola Hatellari dhe Kozeta Grykshi për librin e tyre të parë. Uroj që ky të jetë vetëm fillimi i një rruge të gjatë e të ndritur.
Znj. Manjola Hatellari pastë shëndet dhe forcë për të vazhduar të krijojë, për të mbjelle fjalë që do të mbijne në mendjet dhe zemrat e brezave që vijnë.
Dhe mbi te gjitha, ju uroj sa më shume gëzime në jetë dhe në familje — sepse aty buron forca më e madhe për çdo krijim.
Ildije Xhemali
Biblioteka Publike “Qemal Baholli”
Elbasan, e mërkurë, 18 mars 2026, ora16.30.
__________________________________
