Kujtojmë sot një shkrimtar të madh, por mbi të gjitha, një dëshmitar të jashtëzakonshëm të kohës së tij, Curzio Malaparte, një nga kronikanët dhe poetët më kontrovers të kohës së tij, një gazetar dhe shkrimtar intelektualisht të lirë. Malaparte, emri i vërtetë i të cilit ishte Kurt Erick Suckert, ishte një personalitet i kulturuar, inteligjent dhe i paepur; themeloi lëvizje dhe revista letrare, shkroi libra të shumtë me fuqi të madhe evokuese dhe revolucionare, por edhe me analiza të thella politike dhe shoqërore.
Curzio Malaparte shpesh ndërronte mendje dhe lundronte midis rrymave të ndryshme ideologjike gjatë gjithë jetës së tij. Ai ishte anarkist dhe fashist, komunist dhe antikomunist, besimtar dhe urrejtës i priftërinjve…
Që fëmijë, ai shfaqi një imagjinatë të shfrenuar dhe një mospëlqim për rregullat. I shkëlqyer dhe i zgjuar, ai kishte një karakter të vështirë që ndonjëherë i “sfidonte” mësuesit e tij.
Në moshën 16 vjeçare, u rekrutua dhe shërbeu në Luftën e Parë Botërore në frontin francez dhe më pas u transferua në ushtrinë italiane. Udhëhoqi Seksionin e 94-të të Flakedhësve dhe u dekorua me Kryqin Francez për trimërinë e tij. Malaparte ishte anëtar i partisë fashiste italiane, por sulmi i tij ndaj totalitarizmit, me librin “Teknika e grushtit të shtetit: teknika e revolucionit” (1931) e zemëroi Musolinin dhe Malaparte u internua në ishullin e Liparit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Malaparte punoi si korrespondent për Corriere della Sera dhe u transferua në Paris pas luftës, pasi pikëpamjet e tij politike u zhvendosën majtas, duke përfshirë aspekte të komunizmit dhe maoizmit.
Librat e tij më të famshëm “Kaput” (1946) dhe “Lëkura” (1952) janë portrete të sakta dhe rrëqethëse të luftës dhe çlirimit. Suksesi dhe fama që fitoi me romanet i lejoi të udhëtonte nëpër botë dhe madje të ndërtonte një vilë të bukur në një nga shkëmbinjtë më të pjerrët të Caprit.
Vlen për t’u përmendur dhe fakti që, në librat e tij, ai ka sjellë fakte interesante edhe për Arbëreshët e Italisë, të ardhur nga krahina e Moresë, që nga fundi i shek. XIV, sipas tij. Këto të dhëna i paraqet në Volume 5 of Malaparte: 1940-1941.
Si ateist i vetëshpallur, gjatë jetës së tij publike, politike dhe letrare, vetëm pak para se të ndërronte jetë, në shtratin e vdekjes, kërkoi dhe u konvertua në kristian katolik.
Pas një jete të shkurtër, por të trazuar, të mbushur jo vetëm me letërsi, por edhe me kinema (në vitin 1951 ai drejtoi filmin The Forbidden Christ, mbi të cilin kishte punuar pothuajse tërësisht i vetëm), ai ndërroi jetë në Romë më 19 korrik 1957.
Në lidhjen më poshtë mund të shihni një material të shkurtër mbi jetën e Curzio Malaparte:
Malaparte, italiani i mallkuar – (dokumentar nga RAI Storia)
