#Sisot, më 11 korrik 1960 u botua për herë të parë romani “To Kill a Mockingbird” (sjellë në shqip me titullin “Të vrasësh zogun përqeshës”) i autores amerikane Harper Lee. Romani pati sukses të menjëhershëm dhe një vit pas publikimit, u vlerësua me çmimin Pulitzer.
“Të vrasësh zogun përqeshës” është tashmë një klasik i letërsisë moderne amerikane; bazuar në histori të vërtetë edhe pse merret me çështjet serioze të përdhunimit dhe pabarazisë racore, romani është i njohur për ngrohtësinë dhe humorin e tij. Romani është rrëfim i një vajzë 9 vjeçare, por nuk i përket kësaj moshe, përkundrazi paraqet probleme sociale të shoqërisë, si përdhunimi, përbuzja, racizmi, izolimi, thashethemet dhe njëherazi lartëson cilësitë që nuk të mposhtin kurrë por që mundësojnë një jetë dhe ndërgjegje të qetë, të bëjnë të ecësh me kokën lart dhe pa frikën që të shikosh drejt në sy çdokënd. Libri lexohet gjerësisht sot nga nxënësit e shkollave në Amerikë dhe është vlerësuar prej tyre si libri më i mirë i shekullit të njëzetë.