Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli në vitin 2018 datën 24 janar si Ditën Ndërkombëtare* të Arsimit. Deklarata u miratua në përgjigje të sfidave të vazhdueshme globale në arsim, duke përfshirë aksesin e pabarabartë në shkollim, analfabetizmin e përhapur dhe barrierat strukturore që prekin vajzat, refugjatët dhe popullatat e margjinalizuara.
Dita Ndërkombëtare e Arsimit u festua për herë të parë në vitin 2019, pas afirmimit nga Asambleja e Përgjithshme të arsimit si një e drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi publike.
Çdo vit, kjo ditë festohet anembanë botës me aktivitete të cilat i mëshojnë rëndësisë së arsimit, domosdoshmërisë për qasje të barabartë në dije si dhe gjithpërfshirjes në këtë proces. Këtë vit, tematika e kësaj dite është të nxjerrë në pah fuqinë e të rinjve si bashkëkrijues të arsimit.
Të rinjtë nën moshën 30 vjeç përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë globale. Ata janë një forcë kyçe për zhvillim të qëndrueshëm, inovacion dhe transformim shoqëror, por vazhdojnë të preken në mënyrë disproporcionale nga varfëria, pabarazia dhe mungesa e aksesit në arsim cilësor dhe punësim të denjë.
Për këtë arsye, përfshirja kuptimplote e të rinjve në bashkëkrijimin e arsimit është thelbësore, veçanërisht në kohën e ndryshimeve të shpejta teknologjike. Ky angazhim është në përputhje me Axhendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, e cila i njeh të rinjtë si agjentë ndryshimi për arsim gjithëpërfshirës dhe shoqëri të drejta. Kjo axhendë synon të “sigurojë arsim cilësor gjithëpërfshirës dhe të barabartë dhe të promovojë mundësi të të nxënit gjatë gjithë jetës për të gjithë” deri në vitin 2030.
Arsimi është një e drejtë njerëzore, një e mirë publike dhe një përgjegjësi publike.
*Ditët ndërkombëtare janë raste për të edukuar publikun e gjerë mbi çështjet shqetësuese, për të mobilizuar vullnetin politik dhe burimet në zgjidhjen e problemeve globale, si dhe për të festuar dhe përforcuar arritjet e njerëzimit.
Burimi: https://www.unesco.org/en/days/education
Në foto, posteri prezantues i UNESCO-s për vitin 2026 në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit.
