Më 23 shkurt 1848, #sisot, në Napoli, nga shtypshkronja Trani, doli në dritë numri i parë “i më së parës fletore” të shtypit tonë periodik, gazeta “Shqiptari i Italisë” – me titullin origjinal “L’Albanese d’Italia”. Po cili ishte programi i kësaj fletoreje politike dhe letrare?
Mjafton të përmendet titulli i gazetës dhe emri i themeluesit dhe drejtorit të saj Jeronim de Rada, për të kuptuar edhe qëllimin e këtij organi shtypi. Shkrimtarja dhe publicistja Elena Gjika, që mbante lidhje të ngushta me De Radën dhe shumë veprimtarë e atdhetarë të njohur të kohës, në përpjekje të përbashkëta për çështjen shqiptare, e ka quajtur fletoren “Shqiptari i Italisë” si paralajmëtare të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Viti 1948, është viti kur jo vetëm në Italinë e Jugut, por dhe në vendet e tjera të Europës si Gjermani, Austri, Francë kishin shpërthyer revolucione kundër qeverisjeve despotike. Ishte aspirata për liri e këtyre revolucioneve që frymëzoi De Radën të niste botimin e kësaj gazete, për nxitjen e ndërgjegjes atdhetare të shqiptarëve.
Në gazetë zinin vend shkrime nga jeta kulturore e shoqërore e arbëreshëve, në rubrika të veçanta mund të mësoje histori të këtij komuniteti, lajme mbi ngjarjet politike në Itali, u botuan shqip pjesë nga poema e vetë De Radës “Këngët e Serafina Topisë”, pjesë nga poema “Vallja e haresë së madhe” e Anton Santorit etj.
Gazeta dilte rregullisht dy herë në javë: të mërkurë dhe të shtunë, me një format të vogël e me katër faqe, me një tirazh, në fillim, prej 500 kopjesh e me pas prej rreth 1000 kopjesh. Ajo u botua për gjithsej 28 numra, plus tre suplemente, nga 23 shkurti deri më 7 qershor 1848.
De Rada e botonte me shumë vështirësi këte organ, por, megjithatë ai nuk u tërhoq. Atij iu desh ta mbajë gazetën me një bashkëpunëtor të vetëm, me Nikolla Kastanjën, një student abrucez, i cili, si vetë De Rada, dha ndihmën e tij për atdheun e tij, pa kërkuar kurrfarë shpërblimi, veç lirisë së popullit. De Radën e mbante qëllimi i lartë fisnik e patriotik i tij, por edhe entuziazmi i lexuesve arbëreshë. Mjaft lexues, nëpërmjet letrave dërguar atij shprehnin urimet për mbarëvajtjen e fletores në fjalë. Fjalë prekëse i shkruante dhe shkrimtari arbëresh Anton Santori, më 3 mars 1848: “Mora dy numrat e gazetës “Shqiptari i Italisë”. Më lejo të shpreh admirimin tim për këtë gazetë, ku me lot ndër sy shoh emrin e saj me titull që i përgjigjet qëllimit tonë të përbashkët.”
Kështu, gazeta “Shqiptari i Italisë” bëri jehonë në lexuesit arbëreshë si një tribunë e parë, e cila do t’i hapte rrugën autorit të saj për të nxjerrë, më voně, më 1883, revistën “Flamuri i Arbërit”, një nga organet e shtypit të Rilindjes sonë Kombëtare dhe që, ashtu si gazeta “Shqiptari i Italisë”, njihet si revista e parë në historinë e shtypit shqiptar.
Burimi:
© Jeronim De Rada: jeta dhe veprat / Jup Kastrati, Tiranë: “8 Nëntori”, 1979
