“Hasta la vista” është romani i parë i shkrimtarit, Petro Marko, botuar në vitin 1958 në përvjetorin e njëzetë të Luftës Civile në Spanjë. Ky libër konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Në vitin 1936, Petro Marko ndërpreu studimet në Paris për të marrë pjesë në Luftën Civile në Spanjë kundër regjimit të Frankos, së bashku me bashkëatdhetarë si Asim Vokshi, Skënder Luarasi, Mehmet Shehu, Qamil Sherifi, Ramiz Varvarica, Sabri Lumani etj. Pjesëmarrja në këtë Luftë ishte një etapë e rëndësishme në jetën e tij, ku ai konsolidoi edhe më tej pikëpamjet e tij antifashiste, të cilat më vonë do të reflektonin një ndikim të madh në krijimtarinë e tij letrare. “Nisja për në Spanjë është poema jote më e bukur” ishin fjalët e Migjenit, të cilat do të rezononin si lajtmotiv gjatë gjithë kohës në brendinë e Petro Markos.
Gjatë qëndrimit në Spanjë, ai pati mundësi të njihte shkrimtarë të njohur si Ernest Heminguej, i cili menjëherë pas kthimit nga Spanja shkroi dhe publikoi librin “Për kë bie këmbana” dhe idhullin e tij Federiko Garsia Lorka si dhe shumë poetë me emër të letërsisë europiane, me të cilët mbajti miqësi dhe letërkëmbim.
Së bashku me Skënder Luarasin, botoi në Madrid revistën njëzet-faqëshe “Vullnetari i Lirisë”, në gjuhën shqipe, që doli në dy numra dhe u shpërnda ilegalisht edhe në Shqipëri.
Vullnetarët që shkuan në Spanjë për të luftuar kundër fashizmit u quajtën nga vetë populli spanjoll: “Vullnetarë të Lirisë”. Janë rreth 35 vullnetarë shqiptarë nga të gjitha trojet, mes tyre dhe një vajzë e re, Justina Shkupi (shoqe e ngushtë Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës); nga këta vullnetarë shqiptarë: Asim Vokshi, Ramiz Varvarica, Musa Fratari, Zef Hoti, Thimio Gogozoto, Teni Konomi dhanë edhe jetën në mbrojtje të idealeve të tyre dhe aspiratave për demokraci dhe liri të popullit spanjoll.
Ambasada spanjolle, në 9 nëntor 2007, nën kujdesin e Ambasadorit Manuel Montobbio, organizoi një aktivitet në kujtim të figurës së Petro Markos, veprës së tij “Hasta la Vista” dhe kujtimit të vullnetarëve shqiptarë gjatë luftës civile spanjolle.
Romani “Hasta la vista” përshkruan me realizëm e ndjenjë ngjarjet e Luftës Civile në Spanjë, duke bashkuar dramën e luftës me ndjenjat njerëzore të dashurisë, sakrificës dhe shpresës. Ai është ndërtimi i tabllosë së gjallë dhe i atmosferës në Spanjë gjatë viteve të luftës dhe i situatës që përjetohej atje dhe në të njëjtën kohë, përshkruan luftën me traumat dhe pasojat që ajo shkaktoi në jetën dhe vetëdijen e popullit spanjoll dhe pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë në të.
Libri është përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe është ribotuar dhjetëra herë në Shqipëri dhe Kosovë, duke mbetur një nga veprat më të çmuara të Petro Markos dhe të letërsisë shqiptare si dhe një dëshmi dokumentare se Spanja dhe Shqipëria kanë disa pika të forta takimi në rrjedhat e tyre të historisë.
© Ermir Nika, “Fillimet e modernitetit në prozën romanore shqipe”, Onufri, 2020, f. 133-153
Çdo vit në Tiranë, por dhe me shtrirje në qytete të ndryshme të Shqipërisë, me nismën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit: “Shqipëria mikpret botën”, zhvillohen aktivitete në kuadër të Javës Kulturore Spanjolle. Këtë vit, kjo javë është përcaktuar në periudhën 3 – 7 nëntor 2025.
https://www.facebook.com/share/p/1YefA1sV5q/
