Në sallën e bibliotekës, të mbushur plot me miq, dashamirës të librit e familjarë, u promovua libri më i ri i autores Irena Dragoti. “Gruaja që endej hijeve” është një dekalog tregimesh të cilat sjellin ngjarje reale ku në qendër është figura e femrës dhe pozita e saj në shoqërinë shqiptare. Ky është libri i parë i autores në prozë, pasi më herët Irena ka shkruar poezi, ese dhe publicistikë. Në takim, ishin të pranishëm drejtuesit e shtëpisë botuese M&B, dhe z. Karoshi, në mungesë të prezencës së redaktorit të librit, z. Kliton Nesturi, lexoi fjalën e tij përshëndetëse. Poeti Alban Bala dhe prozatori Andon Andoni, ardhur enkas në bibliotekë për promovimin, në fjalën e tyre përgëzuan autoren për librin e saj duke e nxitur të krijojë përsëri pasi proza e saj është risi në shkrimin bashkëkohor shqiptar. Prof. as. Dr. Ardian Tana, Dr. Rudina Uruçi, redaktorja e librave me poezi të Irenës, znj. Bruna Ibërshimi, miku i bibliotekës, z. Bardhi Toda dhe specialistja e bibliotekës Beneta Dhima kishin përgatitur analiza të imtësishme të tregimeve, gjë që shtoi kuriozitetin mes pjesëmarrësve për librin. Poezitë e Irenës, të recituara me mjeshtëri nga nxënësi Eglis Toska krijuan një atmosferë të këndshme në sallë. Në fund të takimit, autorja dhuroi libra për të gjithë të pranishmit në sallë dhe për bibliotekën.
E falënderojmë autoren duke i uruar krijimtari të begatë me shpresën që të ritakohemi së shpejti në promovime të tjera.
