Në tetorin e 61 viteve më parë, 10 tetor 1964, u mbajtën për herë të parë në Tokio të Japonisë, Lojërat Olimpike Verore. Tokio e kishte fituar dhe më herët të drejtën e vendit organizator më 1940, por për shkak të pushtimit të Kinës nga Japonia, kjo e drejtë iu kalua Helsinkit, përpara se të anulohej përfundimisht si pasojë e Luftës së Dytë Botërore.
Lojërat Olimpike Verore të 1964, të njohura zakonisht si “Tokio 1964”, ishin një ngjarje ndërkombëtare që përfshinin shumë disiplina sportive dhe u zhvilluan nga 10 deri më 24 tetor 1964. Mbajtës i pishtarit, u zgjodh atleti amator, 19 vjeçari Yoshinori Sakai, sepse ai kishte lindur më 6 gusht 1945, ditën kur shpërtheu bomba atomike në Hiroshima. Vrapimi i tij në çeljen e Lojërave ishte një manifest për paqen në botë dhe shërbeu si homazh për viktimat.
Lojërat e 1964 ishin të parat të mbajtura në Azi dhe shënuan herën e parë që Afrika e Jugut u përjashtua për shkak të përdorimit të sistemit të saj të aparteidit në sport. Deri në vitin 1960, Afrika e Jugut kishte vendosur ekipe të ndara, në përputhje me klasifikimet racore të vendit; por për Lojërat e vitit 1964, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kërkoi me detyrim që të dërgohej një delegacion gjithëpërfshirës. Afrika e Jugut e refuzoi kërkesën e Komitetit, duke u përjashtuar nga pjesëmarrja në Lojëra.
“Tokio 1964” ishin gjithashtu të parat Lojëra Olimpike që u transmetuan në televizionet ndërkombëtare pa pasur nevojë kështu që kasetat e regjistrimeve të “fluturonin” jashtë shtetit, siç bëhej në vitet më parë. Lojërat u transmetuan në Shtetet e Bashkuara duke përdorur Syncom 3, satelitin e parë të komunikimit gjeostacionar, dhe prej andej në Evropë duke përdorur Relay 1 (satelitët amerikanë). Megjithëse pjesërisht, këto ishin gjithashtu të parat Lojëra që patën transmetime me ngjyra. Disa ngjarje të tilla si ndeshjet e mundjes sumo dhe xhudos, sporte të njohura në Japoni, u provuan duke përdorur sistemin e ri të transmetimit të ngjyrave të Toshiba-s, por vetëm për tregun vendas. I gjithë aktiviteti sportiv “Lojërat Olimpike të 1964” u përshkrua në filmin dokumentar të 1965-ës “Tokio Olimpiad”, me regji të Kon Ichikawa.
Lojërat e planifikuara për t’u zhvilluar në verë, u shtynë në muajin tetor duke shmangur nxehtësinë dhe lagështinë e verës si dhe sezonin e tajfunit të shtatorit, për më tepër që edhe lojërat e mëparshme “Romë 1960”, u zhvilluan në fund të gushtit në një mot të nxehtë aspak favorizues për sportistët dhe pistat e vrapimit. “Tokio 1964” ishin të fundit që përdorën një pistë tradicionale me material karboni duke e zëvendësuar me një pistë sintetike, e përshtatshmë për të gjitha stinët. Lojërat e Tokios ishin, gjithashtu, rasti i fundit që koha e garuesve matej me kronometër dore. Shtetet e Bashkuara fituan më shumë medalje të arta, ndërsa Bashkimi Sovjetik fitoi më shumë medalje në të gjitha displinat.
Tokio priti sërisht më 2020 Lojërat Olimpike Verore, duke e bërë atë qytetin e parë në Azi që pret dy herë Lojërat Olimpike Verore. Japonia ka qenë dy herë vendi organizator për Lojërat Olimpike Dimërore me “Sapporo 1972” dhe “Nagano 1998”.
Lojërat Olimpike Verore të vitit 1964 në Tokio festuan përparimin dhe rishfaqjen e Japonisë në skenën botërore. Japonia e re nuk ishte më një armik i kohës së luftës, por një vend paqësor që nuk kërcënonte askënd dhe ky transformim u realizua në më pak se 20 vjet.
Burimi: https://www.joc.or.jp/english/historyjapan/tokyo1964.html
Çdo vit në Tiranë, por dhe me shtrirje në qytete të ndryshme të Shqipërisë, me nismën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit: “Shqipëria mikpret botën”, zhvillohen aktivitete në kuadër të Javës Kulturore Japoneze. Këtë vit, kjo javë është përcaktuar në periudhën 12-18 tetor 2025.
