Kanë qenë një sërë autorësh të huaj të cilët janë inspiruar nga historia dhe bëmat e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, dhe një ndër to, është poeti amerikan me një veprimtari të gjerë letrare, Henry Wadsworth Longfellow. Sipas një letërkëmbimi të Dora d’Istrias me De Radën, thuhet se Longfellow u frymëzua nga përshkrimet e saj rreth figurës së Skënderbeut për të krijuar poemën me të njëjtin titull në veprën “Historitë e një hani pranë udhës”. Kjo poemë, erdhi në shqip nga përkthimi brilant i Fan Nolit i shoqëruar me shënime kritike e historike.
Më poshtë, gjeni parathënien e Nolit dhe poemën “Skënderbeu”*.
Parathënie
Vjershëtori amerikan Henry Wadsworth Longfellow lindi në Portland, Me., më 1807 dhe vdiq në Cambridge, Mass., më 1882. Pasi mbaroi studimet e tij universitare, shërbeu disa vjet si profesor i gjuhëve të gjalla në Bowdoin College, në Brusnwick, Maine dhe pastaj që më 1836 – 1854 në Harvard University. Veprat e tij më të dëgjuara janë Evangeline, Hiawatha, Tales of a wayside Inn dhe një kthim i bukur i Komedisë Divine të vjershëtorit italian Dante.
Skënderbeu ndodhet në veprën “Historira të një Hani Afër Udhës” (Tales of Wayside Inn). Në këtë vepër vjershëtori na tregon një vjershëtor, nje theollog, një student, një muzikant, një Çifut nga Spanja dhe një italian nga Siçilia, që janë mbledhur në një han dhe që rrëfejnë cilido nga një histori për të shkuar kohën gjer sa të vijë ora e gjumit. Historinë e Skënderbeut e rrëfen Çifuti i Spanjës. Vjershëtori amerikan zgjodhi episodin më dramatik të jetës së Skënderbeut si subjekt dhe na dha një vjershë, e cila bashkon të gjitha cilësitë që i duhen një kryevepre. Ikja e Skënderbeut pas luftës së Nishit, vrasja e Qatipit, kthimi i tij në Shqipëri, hyrja e tij në Krujë, zaptimi i fortesës me fermanin e rremë që i mori me pahir Qatipit, ngritja e flamurit kombëtar dhe gëzimi i popullit për çlirimin e atdheut nga zgjedha e huaj përshkruhen me një mjeshtëri, me një gjallësi, me një sulmë, me një zjarr dhe me një brohori që të rrëmbejnë zemrën dhe mëndjen.
Kthimi i një vjershe nga një gjuhë tjetër është një gjë e zorshme, në mos e pamundëshme. Nga frika pra se mos e shqipërova liksht «Skënderbenë» e vjershëtorit amerikan, u jap këndonjësve dhe tekstın inglisht. Ata që s’dinë tjetër gjuhë do të kënaqen duke marrë nga shqipërimi im një ide pak a shumë të larkme të bukurisë me të cilën e këndoi trimin tonë kombëtar vjershëtori Longfellow. Kam një shpresë të vogël që lulja që mora nga kopshti i tij nukë e humbi fare as erën as ngjyrën, as freskësinë, duke u mbjellur në gradinën e Shipërisë. Këndonjësit do të gjykojnë më mirë.
HISTORIRA TË NJË HANI AFËR UDHËS
HISTORI E DYTË E ÇIFUTIT SPANJOLL
SKËNDERBEU
Shkruar më 4 shkurt, 1873
Lëfton luftën dhe fiton,
Mbreti Ladisllav gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret
Ditën e Rushajevet.
Dhe nga fush’ e kuqe gjak
Ikën, rend përpara tij
E Muratit ushtëri,
Që shpëtoj e s’ra në lak.
Kur u ngrys dhe kur u err,
Skënderbeu, nder, lavdi,
I asqerit Osmanlli,
Me turq bashkë krismën merr,
Si lëfton dhe si humbet
Ditën e Rushajevet;
Mbet e vdekur prapa tij
E Muratit ushtëri,
Kryerojtja udhën hap
Praparojtja rent me vrap
Dhe armiku gjakësor
Si me drapër grin e kor.
Po kujdes ay s’të ka
As për Bej as për Pasha,
Edhe natën tek po shkon
Yjt’ e fatit po shikon
Që i ndritnin n’udhëtim;
Edhe kalit tij i ra,
Nënëqeshi edhe tha:
«Eshtë koha për gëzim».
Mez’ i natës kur afroi,
Ikja e rreptë kur pushoi,
Një Qatip na vjen i Mbretit
Me myhyrin e Dovletit
Edhe tha me zëmërim:
«Njoll’ e parë t’u vu sot
N’emër, o Gjergi Kastriot!
Pse kështu? Oh, mjerë ne!
Ushtërinë pse e le
Therrur fushës për vajtim?»
U përgjegj Skënderi e tha:
«Dergjen mbytur nëpër gjak,
Thëmbr’ e kalit i ka prek,
Po kështu e shkruar qe
Nga i Madhi Zot atje
Q’urdhëron çdo ushtëri.
Dhe ku kemi ne fuqi
Kur ngre dorën kundër nesh
Dhe na grryen si rrebesh?»
«Lidheni, tha, me litar
Shkronjësin me kallamar!»
Dhe Qatipi tha: «po ç’faj
Paskam bërë që Pashaj
M’a bën mua këtë gjë?»
U përgjegj Skënderi e tha:
«Faj s’ke bërë asnonjë,
Po që të mos na shpëtosh
E të fshihesh e të shkosh,
Përandaj ta bënj këtë..»
Tani shkruamë një shkrim
– Dhe për fis e paç bekim! –
Me myhyrin e Dovletit
Për Mytesarifn’ e Mbretit,
Që mban Krujen një qytet
Rreth me mur e me hendek,
Të m’a kthenjë gjën’ e atit
N’emrin e Sulltan Muratit;
Se çdo urdhër që të japë
Kurrë nukë merret prapë.
Dhe Qatipi u krrus prej tmerrit
Dhe kështu i tha Skënderit:
«O Allah i madh, i naltë
Që të jemi hi e baltë!
Qysh t’i shkruanj këto shkrime
Kur e di që kokën time
Po m’a pret ay Dovlet?»
Shpejt ahere, si nje yll
Që këputet lark nga qjelli,
Çpallet nga i arti myll
Një hanxhar me rreze dielli
Dhe gjëmon Skënderi: «Shkruaj!»
Dhe Qatipi i tmeruar
Shkroi në dritën e drithmuar
Afër zjarrit, i dërmuar,
Flokë-bardhë, kokë-ngrirë,
Nga e ftohta i merdhire,
Zëmër-prerë, vdekje-grire.
Dhe Skënderi prapë tha:
«Tani eja pas me mua
Se të mbetesh këtu s’dua,
Do t’të kem si mik e vlla,
Gjithënjë do t’të nderonj
Me kujdes do t’të rrethonj
Sa te rrosh ne këtë botë.»
U përgjeq Qatipi e thotë:
«Udha jonë këtu ndahet,
Shoqëria jonë s’mbahet.»
Pa mbaruar këtë fjalë
Një hanxhar i rëndë ra,
Kur s’ish afër anjë tjatër,
Dhe Qatipi po përmbyset
Si një gur që rrugulliset
Në liqen të zi dhe shket
Tatëpjetë dhe humbet;
Edhe rreth në qetësi
Asnjë pipëtim s’u ndi
Përveç kalit Skënderbeut
Që përpjet u hodh prej dheut …
Pastaj sulet si shigjeta
Me triqind pothua veta
Nëpër lum’ e pyll e gardh
Përmi malet Argjendar;
Dhe me zëmrën plot gëzim
Kapërxeu lumin Drin
Dhe u gdhi e n’agullim
Pa Kështjellën Ak-Hissar,
Krujën, ah atë qytet
Rreth me mur e me hendek,
Tek u lint e tek u rrit –
Yll mëngjezi mi të ndrit.
Dhe ahere trumbetarët
Brirëve t’argjentë u bien
Edhe togje rreth i mblidhen
Turqit bashkë me Shqiptarët
Që dëgjuan atë thirrje.
Dhe kremtoi me miqt’ e tij
Dhe u ngrohnë me dolli.
Dhe u thotë: «Miqt’ e mi,
Shihni fati ç’na dërgon,
Perëndia ç’na bekon!
Mbret Murati urdhëron
Mall’ i gjerë i tim-eti,
Vënd i tërë dhe qyteti
Të më jipen nga Dovleti.»
Dhe pastaj me salltanet.
Veshur armët si një mbret,
Shkon kaluar në Kështjellë
Edhe hyn nga port’ e gjerë
Dhe Pashajt që urdhëron
Përmi Kruj’ i dorëzon
Urdhërin e Murat Mbretit
Me myhyrin e Dovletit.
Dhe Pashaj, si heshti, tha:
«Lavdi pastë Perëndia,
Ja ku hiqem nga fuqia.
Merre vëndin dhe qytetin;
Kush lëfton dot me kësmetin?»
Nga kështjella shpejt ka rënë
Flamuri me gjysmë hënë
Edhe populli shikon
Që në vënt të tij valon
Flamur’ i Skënderit n’erë,
Shkab’ e zezë me dy krerë.
Dhe një thirrje lart u-ngrit,
Se çdo zëmër e çdo shpirt
U mërzit nga Turku i lik,
Që e bëri atë Krujë
Zi, murtajë dhe rrëmujë,
Ay zë me gas me bujë,
Q’oshëtin nga brek në brek,
Eshtë: «Rrofsh, o Skanderbeg!»
Ja, kështu Skënderi trim
Mori Krujën me rrëmbim;
Edhe lajma u përhap
Si një flagë, si një zjarr
Q’i fryn era në behar
Edhe vendi u ngrit me vrap
Dhe qytetet afër e lark,
Thotë Ben Isa Ben Miri
Në Qitap të tij fakiri
«Binin m’atë lehtësi
Që zë burri veshn’ e tij.»
* © Skënderbeu, Henri Uadzvërth Longfello, Tiranë, 1962
Në lidhjen e mëposhtme mund të lexoni variantin në origjinal (anglisht):
Tales of a wayside inn – The Spanish jew’s second tale : Scander, by Longfellow, Henry Wadsworth.
