Më pushton frika se mos ata që më njohin kështu si jam gjithmonë zbulojnë edhe atë Anën e mirë dhe të bukur. Kam frikë nga përqeshja e tyre, kam frikë se do më vënë në lojë dhe do më marrin me gjithë mend. Jam mësuar të mos më marrin me gjithë mend, por Anën “e përciptë” ama, atë “të thellën” përkundrazi jo. Kur arrij ta nxjerr jashtë Anën e mirë për një çerek ore, ajo tërhiqet si një lule mos më prek sapo don të hapë gojën dhe shumë shpejt ia lë fjalën Anës nr.2. Kështu, para se unë të përmendem, ajo është zhdukur.
Në shoqëri rne të tjerët Ana e mirë nuk është shfaqur kurrë, as edhe një herë të vetme, ndërsa kur jam vetëm ajo del në sipërfaqe. E di shumë mirë sesi do të doja të isha dhe si jam…brenda, por mjerisht jam e mirë vetëm në vetvete, së brendshmi. Dhe ndoshta ky është motivi, jo ndoshta por sigurisht ky është motivi që unë them se kam një natyrë të brendshme të ndërlikuar, kurse të tjerët ngulin këmbë që unë jam një vajzë e përciptë, pa kokëçarje që gjithmone zbardh dhëmbët. Ana e mirë e brendshme më rrëfen rrugën, jashtë nuk jam gjë tjetër veçse një harrakate e lehtë që përpiqet të jetë e lirë. Siç po të thosha, çdo gjë e ndiej ndryshe nga sa e shpreh, prandaj më quajnë vajzë që gjuan djem, bibë, shitmendëse dhe lexuese romancash. Ana e gëzuar qesh, përgjigjet pa e menduar dy herë, mbledh shtapullat pa e çarë kokën, sillet sikur në këtë botë është vetëm ajo, kurse Ana e thellë ndryshon si dita me natën. Që të jem deri në fund e çiltër, duhet të pohoj që më vjen shumë keq, që përpiqem shumë të ndryshoj, por që ndeshem gjithmonë me një mur më të fortë se veten.
Psherëtij me veten: Pa shihe pak veten, them, të shohin me sy të keq, të qësëndisin e të ironizojnë, u dukesh antipatike dhe kjo ndodh sepse ti nuk dëgjon këshillat e mira që të jep ana jotë e mirë. Oh, sa do të doja t’i dëgjoja, por nuk mundem, kur jam e heshtur dhe serioze të gjithëve u shkon mendja që po tallem e më duket t’ja këpus ndonjë batute të fortë, për të mos përmendur të afërmit e mi të cilëve u shkon mendja shpejt-shpejt se jam sëmurë, më japin ilaçe kolle dhe qetësues, më venë dorën në ballë dhe më kontrollojnë fytin, më venë në dukje që jam dobësuar dhe kritikojnë humorin tim të keq. Nuk duroj dot kur merren kaq shumë me mua, atëhere po që bëhem në fillim e pacipë, pastaj e trishtuar dhe më në fund përmbyset çdo gjë, unë nxjerr jashtë Anën e keqe e rras thellë atë të mirën e kërkoj me çdo kusht të bëhem si do të doja të isha dhe si mund të isha nëse…në botë do të isha vetëm unë e vetme.
E jotja, Ana M Frank
Këto janë fjalët e fundit që Ana Frank shkroi në ditarin e saj, më 1 gusht 1944. Të gjithë personat që fshiheshin në godinë u zbuluan, u arrestuan dhe u dërguan në kampet e vdekjes. Ana vdiq në mars të vitit 1945. Babai i Anës, Oto Frank, i vetmi anëtar i familjes që i mbijetoi Holokaustit, vendosi ta botojë ditarin si një dëshmi se vajza e tij jetoi, dashuroi dhe shpresoi. Ana u shndërrua në zërin e gjashtë milionë hebrenjve, viktima të holokaustit.
* 27 janari Dita ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të Holokaustit.
#27january #InternationalHolocaustRemembranceDay #AnneFrankDiary
