Misioni “Kujtesë për Vazhdimësi“, në edicionin e tij të tetë, erdhi me një sërë aktivitetesh disa ditore në qytet, me logon “Margaritarët e fjalës”. Pjesë e programit të tij, ishte dhe ndalesa në bibliotekë, ku në sallën e mbushur plot me miq dhe dashamirës të librit dhe kulturës, u promovuan pesë tituj të rinj librash me vlerë jo vetëm lokale por edhe kombëtare. Tituj si:
Margarita Xhepa, mikja dhe zëri i poetëve e përgatitur nga Iliriana Sulkuqi;
Përflakje i autores Shqipe Bytyqi;
Ditë të nxehta i Mimoza Leskajt;
Kjo botë shpirtnore vajzash e grash – antologji poetike;
Iliriana Sulkuqi dhe lirika e saj – biografi për autoren elbasanase e autores Emrije Krosi, mbajtën gjallë interesin e të pranishmëve si dhe i dhanë ngjyra takimit.
Misioni “Kujtesë për Vazhdimësi“, i pari dhe i vetmi në Shqipëri, është një organizëm që vlerëson dhe ngre lart figurat e qytetit tonë duke na kujtuar të gjithëve se duhet t’u jemi mirënjohës atyre që punojnë me devotshmëri dhe pasion për kulturën, arsimin dhe edukimin në vend. Në fund të takimit, u dhuruan një sasi titujsh të rinj nga shtëpia botuese M&B, të cilën e falënderojmë për këtë vlerësim të vazhdueshëm ndaj bibliotekës sonë.
