Në sallën e Bibliotekës sonë, në një atmosferë të ngrohtë mes miqsh, u promovua libri më i fundit i autorit elbasanas Petrit Qoku, me titull “Rrugëhënën mat me sy”. Ky është libri i pestë i tij, i cili përbëhet nga dy pjesë, poezi dhe aforizma, dy gjini letrare të lëvruara edhe më herët nga autori. E veçanta e këtij libri është se pjesën më të madhe të poezive ia dedikon familjarëve dhe njerëzve më të shtrenjtë të tij, tregues i një bote shpirtërore të ndjerë. Ai zgjedh me kujdes vargun, ritmin dhe rimën dhe nuk e ka drojën të formojë fjalë të reja, risi e tij kjo, që është e pranishme në çdo poezi të këtij libri. Gjithashtu dhe aforizmat mbartin të njëjtën ngarkesë emocionale dhe artistike, si tek poezia.
Për të evidentuar më në detaje stilin e tij artistik, në takim, e morën fjalën autori i parathënies dhe miku i bibliotekës, Bardhul Toda, poetët znj. Meri Myftari, z. Isa Muça, z. Arif Rama dhe znj. Beneta Dhima. Edhe redaktori i librave të tij të mëparshëm, z. Rakip Zhguni, në pamundësi për të qenë në takim, përshëndeti me një mesazh autorin dhe të pranishmit. Në fund, autori dhuroi libra për bibliotekën dhe miqtë e tij, të cilët e inkurajuan të sjellë sërish krijime të tjera e pse jo, të provojë të shkruajë dhe në gjini të tjera.
Më poshtë, gjeni fjalën e poetes Meri Myftari, znj Beneta Dhima, z. Bardhul Toda, z, Isa Hoxha dhe z. Rakip Zhguni.
_________________
Analizë e librit “Rrugëhënën mat me sy”, (Aforizma dhe Poezi)
Nga: Meri Myftari Qosja
Autori Petrit Qoku është një krijues me një zë të veçantë në letërsinë bashkëkohore shqiptare, i njohur për aforizmat e tij të mprehta dhe poezitë që reflektojnë sensin e ekzistencës. Libri “Rrugëhënën mat me sy”, përbën një udhëtim midis mendimit dhe ndjesisë, duke sfiduar lexuesin për të shqyrtuar thellë botën e brendshme të fjalës. Në këtë analizë do të shqyrtojmë qasjen e autorit, temat qendrore, stilet e shprehjes dhe ndikimin e kësaj vepre tek lexues. Libri “Rrugëhënën mat me sy” i Petrit Qokut, është një libër hibrid letrar, që qëndron në kufirin mes aforizmës filozofike dhe poezisë reflektive.
Çfarë lloj libri është konkretisht? Eshtë një libër i ndërthurur midis:
Libër aforizmash filozofike
Në thelb, vepra mbështetet te aforizma: fjali të shkurtra, të ngjeshura me kuptim, që përdorin paradoksin, ironinë dhe kthesën mendore. Ato nuk japin përgjigje, por hapin pyetje mbi kohën, njeriun, paratë, jetën dhe vetëdijen.
Libër poezie me varg të lirë dhe te rimuar
Poezitë nuk janë narrative klasike, por poezi mendimi dhe ndjesie, ku fjala është e kursyer dhe simbolike. Ato lidhen natyrshëm me aforizmat, duke i zgjeruar emocionalisht idetë e tyre.
Libër reflektiv–ekzistencial
Tema qendrore është ekzistenca njerëzore: koha, dështimi, ëndrra, gjumi, plakja, vdekja, njeriu përballë vetes dhe shoqërisë. Është një libër që flet për njeriun modern, të lodhur, ironik dhe kërkues.
Libër introspektiv dhe kritik shoqëror
Autori vështron brendësinë e individit, por edhe marrëdhëniet shoqërore (leku, borxhi, hipokrizia, dhimbja e butë). Kritika është e heshtur, pa moralizim të drejtpërdrejtë.
Vemendje!!! Ky libër: -Nuk lexohet me një frymë, por me ndalesa, ku lexuesi kthehet shpesh te e njëjta fjali
Është libër që lexohet dhe mendohet, jo vetëm shijohet.
Lind pyetja: për kë është ky libër?
-Për lexues që pëlqejnë letërsinë e mendimit
-Për ata që gjejnë veten te fjalitë e shkurtra me peshë
-Për dashamirës të aforizmës, poezisë së lirë dhe reflektimit filozofik
Më poshtë kam përzgjedhur disa aforizma që më kanë mbetur në mendje të cilat, kanë ngarkesë filozofike, paradoks dhe ironi të qetë.
- “Koha skadencën e ka te dështimi”
Një aforizëm i fortë ekzistencial. Koha këtu nuk shihet si rrjedhë natyrore, por si mundësi që mbaron kur njeriu dorëzohet. Dështimi nuk është moment, por pikë ndalese, ku koha humbet kuptimin. Sugjeron se koha jeton vetëm për sa kohë ka përpjekje.
- “Të gjithë janë të vegjël për të qenë të mëdhenj”
Paradoks i pastër njerëzor. Madhështia paraqitet si barrë që pak kush e përballon. Aforizma kritikon ambicien boshe dhe iluzionin e madhështisë, duke nënkuptuar se shumica mbeten të vegjël nga frika, egoja ose mungesa e përgjegjësisë morale.
- “Leku të konsumon, jo ti atë”
Kthesë ironike e marrëdhënies njeri–para. Leku shfaqet si subjekt aktiv, njeriu si objekt. Aforizma godet skllavërinë moderne, ku njeriu mendon se zotëron paranë, por në të vërtetë shpenzohet prej saj: shpirtërisht, etikisht, emocionalisht.
- “Më jep ca lekë borxh, të mos m’i kërkosh”
Ironi sociale dhe psikologjike. Në dukje humor, në thelb kritikë e marrëdhënieve të interesit. Borxhi këtu nuk është financiar, por moral: njeriu kërkon ndihmë, por jo detyrim. Zbulon frikën nga varësia dhe presioni shoqëror.
- “Po të rrahën me pambuk, dhimbja zgjat më shumë”
Aforizëm me urtësi të hidhur. Dhuna e butë, hipokrizia, mëshira e rreme dëmton më shumë se goditja e drejtpërdrejtë. Dhimbja e pambukut është e padukshme, por e vazhdueshme. Kritikë ndaj kompromisit të rremë dhe fjalëve të ëmbla pa sinqeritet.
- “Që të mos shoh, gjumi m’i mbyll sytë”
Gjumi si akt mbrojtës. Nuk është lodhje, por refuzim i realitetit. Syri mbyllet për të mos parë të vërtetën, dhimbjen apo zhgënjimin. Aforizëm intim, me nuanca psikologjike.
- “Ndonjëherë koha s’ka kohë të merret me mua”
Ironi e hollë ekzistenciale. Njeriu ndjehet i lënë pas dore nga vetë koha. Sugjeron vetmi ontologjike, ndjesinë se jeta ecën pa e pritur individin. Loja me fjalën “kohë” e bën aforizmën elegante dhe të thellë.
- “Me gjumin takohem përditë, por s’e kam parë asnjëherë”
Aforizëm poetik-filozofik mbi të padukshmen që sundon jetën. Gjumi është i domosdoshëm, por i pakapshëm, si shumë gjëra thelbësore: paqe, qetësi, harresë. Jep ndjesinë e një takimi pa fytyrë. Me pak fjale duke e permbledhur: Këto aforizma, mbështeten te paradoksi dhe metafora. Kanë një ton ekzistencial, ironik dhe intim. Lëvizin mes filozofisë së jetës, kritikës sociale dhe introspeksionit Janë aforizma që nuk përfundojnë me leximin,, por vazhdojnë të punojnë në mendjen e lexuesit.
Poezia: “Malli pret” (leximi dhe interpretimi i poezise faqe 68)
Që në titull poeti bën një zgjedhje shumë të fortë: malli nuk ikën, nuk shuhet, nuk vdes, ai pret.
Pret njeriun, kohën, vetëdijen. nuk është thjesht nostalgji, por një filozofi e durimit dhe e pashmangshmërisë së ndjenjës.
Analizë në vija të përgjithshme
Subjekti lirik kujton një të kaluar ku dy njerëz ishin të bashkuar, pastaj përjeton ndarjen, humbjen e drejtimit dhe boshllëkun emocional. Megjithatë, poezia nuk mbyllet në dëshpërim, por në durim dhe shpresë.
Përmbledhje:
Poezia flet për ndarjen, por më shumë për jetën pas ndarjes
Gjuha është e ngjeshur, herë-herë e vështirë, por emocionalisht e saktë.
Nuk është poezi naive dashurie.
Është poezi pjekurie emocionale.
Vërehet, përdorimi i gjerë i metaforave dhe ndjenjes, kërkon lexues të duruar, si malli vetë.
p.sh – Strofa e parë:
“Kur lodronim lumturisht harejash,
Ishim një, të ndarë dy gjysma çift.
Muzgut mbirë ziliqarë rrëfenjash,
Mbjellë fjalëkotave me kazik-gisht.”
Këtu kemi unitetin fillestar: dy njerëz që ishin “një”, por tashmë janë dy gjysma të ndara. Kjo ndarje nuk është vetëm fizike, është emocionale dhe ekzistenciale.
Gjuha bëhet metaforike dhe pak e errët.
- Muzgu = fundi i diçkaje, kalimi
- ziliqarë rrëfenjash – kujtime që xhelozojnë të tashmen
- fjalëkota – fjalë të thata, pa kuptim, që zëvendësuan ndjenjën
Në vargun final: “Mallit përvëlak t’i thotë të presë”. është edhe thelbi i poezisë. Malli është i përvëluar, djeg, por prapë di të presë. Jo çdo ndjenjë kërkon zgjidhje, disa kërkojnë vetëm kohë.
Figurat letrare kryesore të përdoruara janë si: metafora, personifikimi, simbolika, antiteza.
Metafora:
“Malli pret” – malli paraqitet si qenie e gjallë që di të presë
“Gjysmëhëna”, “rreze drite”, “terr” – gjendje shpirtërore (shpresë / dëshpërim).
Personifikimi: Malli që “pret”, Shpresa që “ndricon”, Terri që “s’duhet të vdesë”
Këto i japin ndjenjës jetë dhe veprim, jo pasivitet.
Simbolika: Muzgu – fundi i një etape, ndarja. Drita / rrezja – shpresa. Terri – vetmia, dhimbja.
Antiteza: Dritë – terr; Bashkim – ndarje; Shpresë – dhimbje.
Kjo përforcon konfliktin e brendshëm të subjektit lirik. Malli është i dhimbshëm, por nuk duhet ta shkatërrojë njeriun. Edhe pas ndarjes, shpresa dhe durimi nuk duhet të vdesin. Jo çdo dashuri përfundon me bashkim, por çdo mall kërkon kohë. Autori na thotë se: “të presësh nuk është dobësi, por forcë emocionale”
Përfundime:
Ky libër me aforizma dhe poezi lë mbresa të veçanta, sepse bashkon mençurinë e përqendruar me ndjeshmërinë krijuese. Nuk është thjesht një libër që lexohet, por një libër që ndalet, mendohet dhe ndjehet.
- Nxit, zgjimin e mendimit – aforizmat godasin shkurt, por thellë; të detyrojnë të reflektosh edhe pasi faqja është mbyllur.
- Përjetim emocional – poezitë hapin hapësira intime, ku lexuesi gjen veten, dhimbjet, dashuritë dhe pyetjet e tij.
- Ndjesi afërsie – lexuesi ndjen sikur autori i flet drejtpërdrejt, pa zbukurime të panevojshme.
- Qetësi dhe trazim njëkohësisht – qetësi nga e vërteta e thënë bukur, trazim sepse ajo e vërtetë nuk është gjithmonë e rehatshme.
Përse duhet të lexohet ky libër?
-sepse respekton kohën e lexuesit: pak fjalë, shumë kuptim.
-sepse është libër që hapet kudo dhe lexohet në çdo gjendje shpirtërore.
-sepse nxit vetëreflektim dhe dialog të brendshëm, jo konsum pasiv.
-Sepse aforizmat mbeten në mendje, ndërsa poezitë mbeten në zemër.
Dhe për ta përmbyllur në thelb, ky libër nuk kërkon thjesht lexues, por bashkëudhëtarë mendimi.
Ju faleminderit!
Përgatiti: Meri MYFTARI/QOSJA
Elbasan, më 10 shkurt 2026
********************
Petrit Qoku, një fjalë e urtë në një varg
Nga: Beneta Dhima
Përgjatë historisë gati shekullore të egzistencës së bibliotekës sonë, ajo që të bie në sy në rrugëtimin e saj, është pasurimi dhe shtimi i fondit nga librat e dhuruar kryesisht nga autorët elbasanas. Midis tyre, nuk mund të dallosh njërin apo njërën prej tyre, pasi nuk ka matës që të ndihmon në këtë proces që më shumë është ndjesor sesa sasior.
Në radhët e krijuesve-dhurues elbasanas, jo më shumë se para dy vjetësh, rashë në kontakt me krijimet simpatike të Petrit Qokut, një emër thuajse i panjohur për mua, e ku, të them të drejtën më ngjalli kërshëri mbiemri pasi ishte i njëjtë me atë të mikut tim të vjetër, Agimit. Nëse krijimtarinë dhe punën serioze e kërkimore të Agimit e njihja tashmë, atë të Petritit m’u desh ta shfletoja për herë të parë me kuriozitetin tim të vazhdueshëm, sa herë has një krijues të ri, që të zbuloj se çfarë e nxit të shkruajë apo cila është e veçanta e tij apo saj.
Dy librat e parë të Petritit, të cilët i promovoi në atë kohë në po këtë sallë të mbushur si sot me miq, shokë e familjarë, ishin “Rrënjë nën gur” dhe “Aforizma”. Për lehtësi leximi, të parin që shfletova ishte ai me aforizma, ndoshta sepse dhe vetë, në bisedat e përditshme, më pëlqen të citoj thënie, vargje apo fragmente librash e batutash të autorëve të mirënjohur.
Ajo që më habiti vërtet, ishte se, aforizmat nuk ishin të thëna nga njerëz të famshëm e të mbledhura prej Petritit, ato ishin kryekëput krijim i tiji. Dhe çfarë aforizmash se!!! i përpiva të gjitha në më pak se një orë! Madje, më duhet të them, se dhe parathënien e mjeshtrit të parathënieve, mikut tonë Rakip Zhguni, e lashë ta lexoja në fund, pasi doja të mos ndikohesha në lexim.
[Fjala aforizëm vjen nga greqishtja e vjetër “aphorismos” që do të thotë: thënie e shkurtër përgjithësuese dhe shumë shkrimtarë kanë sjellë përkufizime të ndryshme të saj. Kështu, Tolstoi e ka quajtur aforizmën: “mënçuri e vërtetë pa shumë fjalë”. Ndërsa një tjetër thotë: “Aforizma është shprehja e kursyer më e zgjedhur e një mendimi.”Aforizmat, në përdorimin e tyre të vazhdueshëm, shpesh e humbin autorësinë e qëndrojnë më vete si pronë e të gjithëve, madje disa prej tyre citohen thjesht “populli” ose i nënvizojmë “siç thotë një fjalë e urtë…’]
Aforizmat e Petritit përshkohen nga një mendim filozofik, i hollë dhe serioz, një pjesë tjetër nga ironia, sarkazma dhe humori, elementë këto tipike të këtij zhanri të të shkruari. Por ajo që e bën Petritin unik, sipas meje, është natyraliteti, origjinaliteti në të shprehur si dhe larmia e fushave dhe problematikave që ai prek në to.
Me citimet e tij, Petriti shfaqet si një filozof rishtar, që sheh gjthçka rreth e rrotull vetes, depërton tek tjetri, luan indiferentin, bën autoironi, luan me fjalën, përdor dialogun, lakonizmën, retorikën, metaforën, tezën dhe antitezën, zbulon, mbulon, vesh, zhvesh, flet dhe dëgjon, bërtet dhe hesht, pyet dhe përgjigjet në mënyrën më modeste të mundshme, me përgjigje që i vijnë nga përvoja dhe marëdhëniet njerëzore në përditshmëri.
Aforizmat e Petritit janë fjalia e parë dhe e fundit të ditës së secilit prej nesh. Në thënie të tilla si: “Kur e shoh rrugën pa krye, s’më bëjnë këmbët”, “Kur prek të tashmen, hap sytë”, “Puthja të zhvesh”, “Kur them të paça, s’të kam” e shumë të tjera, gjithkush do të mund të gjejë lajtmotivin e asaj që ka kalur apo po kalon në jetën e tij. Petriti, në pozicionin e krijuesit nuk dikton, ai përgjithëson, madje herë herës ai duket sikur i belbëzon apo flet me vete opinione apo qëndrime të tilla. Petriti tashmë e ka thënë fjalën e tij. Na mbetet neve, t’i japim përjetësinë fjalës së çmuar të tij.
Dua të shtoj dhe diçka në mbyllje, që ka të bëjë me impaktin kur më pas, e entuziasmuar nga aforizmat e Petritit, i hyra leximit të poezive të tij. Besoj se secilit prej nesh, kur takon dikë për herë të parë, truri i sjell në mëndje të ngjashmin e tij, në veprime, gjeste, siluetë apo ndjesi. Poezia dhe profili i Petritit, mua më solli ndër mend një poezi të Agollit të cilën dua ta ndaj me ju, pasi mendoj se e portretizon më së miri atë:
Lisi bleron vonë
Blerojnë gjith pemët e tjera në fusha e kreshta
Dhe në fund bleron lisi e vesh male
Pastaj ikën pranvera e vera e vjeshta
Pemët zhvishen, po lisi zhvishet ngadalë.
Ai i shëmbëllen atij që dashuron vonë
Po zjarrin e dashurisë e mban të ndezur si furrë…
Dhe njerëzit tundin kokën e thonë:
– i çuditshëm, s’u plak kurrë!
Ja, ky është Petriti; poeti që ka moshën e krijimtarisë së tij.
Beneta Dhima
Biblioteka Publike “Qemal Baholli”
Elbasan, 10 shkurt 2026
********************
Nga: Bardhul Toda
E nderuar Drejtore e Bibliotekës Publike “Qemal Baholli” Elbasan, zj. Elisa Janku!
Të nderuar miq të bibliotekës, miq të librit, miq të Petritit dhe njëherësh miq të përbashkët, që pa ngurrim e them se në të njëjtën kohë jeni edhe miq të dashuruar pas fjalës së shkruar bukur!
Kjo pasdite na bëri pranë njëri – tjetrit, për të kaluar minuta kënaqësie dhe këmbime mendimesh rreth librit “Rrugëhënën mat me sy”, të autorit Petrit Qoku.
Ky takim edhe pse në sipërfaqe është një prezantim libri, në thelb është një bashkim për reflektim, është një tryezë ku me anë të fjalës do të bashkëbisedojmë me fjalën dhe me fjalët e qilimit të thurur bukur nga Petrit Qoku.
Krijimtaria e Petrit Qokut nuk na vjen thjeshtë nga frymëzime të çastit që përshkojnë autorin, por ajo vjen nga thellësia e ndjesisë shpirtërore të tij, gërshetuar me vëmendjen ndaj çdo detaji jetësor.
Kapërcimet nga poezia tek aforizmi dhe anasjelltas, mënyra e trajtimit të vargut dhe, shija e të menduarit gjatë, pas leximit, janë rruga që të çon në atë pjesë të zemrës së autorit ku nis zanafilla e ngacmimit, dhe në të njëjtën kohë, janë rruga që kalojnë përmes mendjes së tij për në libër.
Këtë rrugë po ta vendosja në nivel krahasues, nuk do të ndryshoja asgjë nga ajo që kam përmendur në parathënien e këtij libri si një udhëtim të gjatë detar: “nga Deti Mesdhe, përmes Ngushticës së Gjibraltarit, drejt Atlantikut të paanë – një hapësirë e gjerë ku mendimi thellohet dhe poezia merr frymë lirshëm.”
Edhe pse Petrit Qoku nuk është hera e parë që shfaqet me aforizma në krijimtarinë e tij, ai sërish arrin të krijojë një pështjellim çudibërës që të ngërthen dhe të lë pa fjalë.
Labirintet e mendimit, hapësira dhe shtrirja e tematikave, bëjnë që të themi qetë, saktë dhe pastër, se autori Petrit Qoku, në çdo krijim dhe vëllim të botuar, është gjithmonë vetvetja.
Në këtë këndvështrim, e them pa asnjë dyshim që ky autor, është edhe krijues me baza referimi dhe motivimi.
Mes valëve të fjalëve të autorit Petrit Qoku, ku ironia e veshur artistikisht ka qëndruar dhe vazhdon të qëndrojë e fortë, nuk është thjesht mjet shprehës, por një filtër i hollë përmes të cilit realiteti lexohet, zhvishet nga sipërfaqja dhe i ofrohet lexuesit në formën e një reflektimi të kthjellët e goditës.
Në këtë mënyrë, fjala e autorit nuk mbetet vetëm estetikë, por shndërrohet në përvojë mendore dhe emocionale, duke e ftuar lexuesin të ndalet, të mendojë dhe të bashkëbisedojë me tekstin.
Pas këtij përshkrimi të shkurtër, për efekt kohe dhe në nderin tuaj, i them autorit dhe mikut tonë Petrit Qoku: Faleminderit që të kemi! Shëndet dhe suksese të reja në vazhdim!
Bardhul Toda
Biblioteka Publike “Qemal Baholli”
Elbasan, 10 shkurt 2026.
********************
Dy fjalë për krijimtarinë e Petrit Qokut
Nga: Rakip Zhguni
Përshëndetje të gjithëve. Falënderim Bibliotekës së qytetit tonë që ka marrë rolin e propaganduesit të librave e të autorëve jo vetëm të qytetit, por edhe më gjerë. Falënderim organizatorëve të këtij takimi. Në pamundësi për të qenë i pranishëm fizikisht, po shpreh disa mendime për krijimtarinë e Petrit Qokut.
Me krijimtarinë e Petrit Qokut ka vite që njihem. Kemi një bashkëpunim disavjeçar dhe për rrjedhojë ai i është paraqitur lexuesit me mjaft libra, kryesisht poetikë. Më i fundit libër është dhe ky që diskutojmë sot. Një analizë të hollësishme e domethënëse për librin “Rrugëhënën mat me sy” ka bërë i nderuari Bardhul Toda. Megjithatë do të them edhe unë dy-tri fjalë. Ky libër është konceptuar ne dy pjesë: aforizma dhe poezi. Ajo që i bashkon të dyja këto është pasqyrimi i realitetit në vendin e shoqërinë tonë. Në aforizmat e Petritit vihet re trajtimi me finesë i mjaft dukurive sa natyrore, po aq edhe shoqërore. Ato me të drejtë mund t’i quajmë fjalurtësi që dalin nga fjalurti Petrit.
Sa për poezitë, pa qenë nevoja të ndalemi hollësisht, ajo që bie në sy, sipas gjykimit tim, është mënyra lakonike e trajtimit të dukurive shoqërore, duke mbajtur edhe qëndrim kritik ndaj të metave e veseve të ulëta. Petriti shkruan shkurt, saktë e qartë, madje edhe në nënyrë filozofike. Që nga botimi i parë e deri te ky i fundit vihet re rritje e mjeshtërisë së të shkruarit. Lexuesi nuk e ka të vështirë ta dallojë këtë, sapo lexon poezinë e parë.
Duhet vlerësuar Petriti edhe për figuracionin e pasur e të larmishëm, që i japin vargut hijeshinë e duhur, që të bën ta ndiesh thellë në shpirt botën e brendshme të unit poetik. Veç kësaj poeti shquhet edhe për kompozimin e fjalëve, bazuar në gjuhën popullore. Megjithatë në të ardhmen të mos përdoren aq shpesh, sepse kthehet në mani. Sidoqoftë, Petriti është në rugë të mbarë. Uroj me gjithë shpirt që së shpejti ai të dalë me një libër të ri.
Faleminderit të gjithëve!
Rakip Zhguni
Biblioteka Publike “Qemal Baholli”
Elbasan, 10 shkurt 2026.
*********************
Në promovimin e librit të z. Petrit Qoku
Nga: Isa Muça
Libri me titull “Rrugëhënën mat me sy” më la përshtypjen e një libri mistiko-filozofik. Pasi e lexova, kuptova se kisha të bëja me aforizmat e bukura filozofike-popullore-petritjane. Me fjalë zemre, Petriti ka kompozuar simfoni aforizmash. Ato trajtojnë probleme të mprehta shoqërore, familjare, të jetës, të moralit, të dashurisë, të respektit e të sjelljes. Ato janë të pasura me figura letrare si alegoria, metafora, krahasimi etj. Si rrjedhojë e njohjes së thellë të realitetit dhe finesës së hollë, Petriti ka arritur të na japë një libër me shumë vlera filozofike. Veçori e aforizmave të Petritit është lakonizmi dhe kalimi nga një gjëndje në tjetrën dhe nga një këndvështrim në tjetrin. Po përmend dy aforizma: “Për të takuar arin, duhet të kalosh rrugën e bronxit”. “E keqja ka vend për të mirën, e mira ia mbyll derën së keqes”.
Në këtë libër, Petriti kalon nga aforizmat në krijimet poetike, aty shpërthen talenti i tij për gdhëndjen e vargjeve ku të bën përshtypje brendia filozofike e vargjeve lakonike. Kur lexon këtë libër, e sheh veten të mbushur me kënaqësi, ato të “gudulisin” trurin dhe zemrën sepse në to shprehet shpirti i poetit. Në ato gjen reflektim ndaj ngjarjeve dhe ngashërim malli për vendlindjen dhe familjen.
I uroj Petritit shëndet e jetëgjatësi që të na shkruajë sa më shumë poezi!
Isa Muça
Elbasan, 10 shkurt 2026
