Elbasani dhe trevat e tij ruajnë shumë vlera të mëdha antropologjike, folklorike, etnografike, gjuhësore etj. Kjo ka bërë, që për to të rrëmojnë thellë të mëdhenjtë: Kristoforidhi, Xhuvani, apo dhe të apasionuarit, si Nosi, Shuteriqi, Kolea, Haxhihasani, të cilët të gjithë së bashku jo vetëm që nxorrën në dritë këtë vlerë të trevës së tyre, por punuan për ta ruajtur të pastër dhe pasuruar akoma më shumë gjuhën dhe të folurën shqipe. Në gjurmët e tyre, mësuesi i apasionuar elbasanas, Shpëtim Haxhihyseni, për më shumë 40 vjet, kërkoi dhe mblodhi fjalë të rralla, fjalë të urta, njësi frazeologjike, urime, mallkime, nofka dhe fjalë fyese, histori të krijimit të disa fjalëve të urta etj, të gjitha këto “…të dala nga goja e kukurakut, darzezasit, tërvolakut të Gramshit, seferakut, belshakut dhe elbasanasit të moshuar…” dhe i solli në një botim interesant me titull “Gur i rândë n’vend të vet”.
Tetorin e këtij viti, Ministria e Kulturës e ka cilësuar si #muajiiletërsisë , nën moton LEXO SHQIP -FOL SHQIP. Për këtë, po sjellim disa fjalë të rralla, shkëputur nga libri i Shpëtim Haxhihysenit.
Beribât = shkretë, pa kujdes pa mbikqyrje. E lanë beribât.
Bero(n)jë = femër me trup të hollë, të zhdërvjellët. E ka nâna bero(n)jë.
Blana – blana = njolla – njolla. I ishte bâ trupi blana – blana.
Bruz = plot, plot e përplot. Âsht bruz me pare.
Bubit dhe bubis = luaj mendsh, shkalloj. Thashë se bubita!
Bymkë = grua e ngathët, e pazonja. S’turbullohet fare bymka.
Çeçít = njeri krejt i veçantë nga të tjerët, lloj, mostër. Nga doli ky çeçít!
Dedé = 1. qëndrim i fëmijës për herë të parë në këmbë. U ngrit dedé. 2. Bisedor – i padjallëzur. Âsht dedé!
Dijét = mundim, lodhje, djersë, hak. I shkoi dijéti kot.
Dërrni = dhunë, forcë. E morën me dërrni.
Dokërr = troç, haptas. Thuaja dokërr!
Éb/e = grua e moshuar që pret fëmijën në lindje; mamí e pashkolluar, gjeshtare. Gocën ma priti ébja.
Fërrli = përnjëherësh, fërr me të shpejtë. I nxorrën fërrli.
Fitmaxhi = quhen njerëzit që fusin fitme, kalla: thumbonjës, shporues. Âsht fitmaxhi i madh.
Fok = mbush, mbledh, mërzit. M’u fok shpirti.
Garramet = mundim, lodhje. Ballakumet kanë garramet në të bâmet.
Gargí = i drejtë, i bukur, i papërkulur. E ka trupin gargí.
Gogolé ose gurgulé = zhurmë, fjalë, potére. Bâni gogolén.
Gojush/e = fjalëshumë por fjalëmbël. Gojushi nânës!
Gorr = dorështrënguar, shpirtngushtë. O gorre, ç’u bâne?!
Gjasme = gjoja, sikur. Gjasme âsht i sëmun.
Gjat(ë)nemótit = gjatë gjithë vitit, tërëmotit. Bâfshi gjatnemotit fulí!
Gjóngël – shpirt, sinqeritet, përzemërsi. E ka me gjóngël.
Haragopem – luaj jasht mase, bëhem i tërbuar. Ta shofish si haragopet.
Hasëll – hasëll = më saktësisht, në të vërtetë, më drejt. Hasëll – hasëll s’i takon.
Hórthi = përqark, vërdallë, rrotull, vjen përqark kot. Na pru hórthi
Katalí = shqetësim, gjendje shpirtërore jo e qetë, mërzitje. Ma hoqe kët katalí.
Kërrpic = plot e përplot, mbushur. Kumbulla u mbush kërrpic.
Kobariq = turp, poshtërsi, paturpësi, punë e keqe. Vetëm kobariqe di të bâsh!
Kuvét = shëndet, fuqi, forcë. E byri me kuvét.
Mëtí = i heshtur, naiv më tepër se ç’duhet, i mefshtë. S’duhet të jesh aq mëtí!
Mshel = mbyll, kyç, pushoj. E msheli gojën. = s’u ndie fare.
Nâqi – nâqi = dalë nga dalë, shumë ngadalë. Ecën nâqi – nâqi.
Njef = arrij, mund, gëzoj. Shyqyr që njefe! = Shyqyr që arrite!
Pirrak = dorështrënguar, koprac, saraf. Sikur të jep shpirtin pirraku!
Prof = mirë, dobi, hajër. S’i bân prof.
Pupushâle = pupulake, topolake. Vajzë e vogël e shëndetshme. Ta hash thatë kët pupushâle!
Qírde = gati, drejt, pranë për të zbatuar çdo urdhër apo për të marrë porosira nga dikush. I rri qírde.
Rrëmýth = kur kryen një veprim në të cilin mungon sinqeriteti. Ja rrëmýtha. = ia hodha; e bëra sa për të kaluar radhën.
Shýbe = dyshim, droje, një farë frike dhe përmbajtje. Kam si shýbe.
Tarâks = pushoj, ndaloj, pushon së rëni. Shiu tarâksi.
Vecnue = ngacmonjës, grindavec, që s’rri pa trazuar apo pa bërë belegjí. Ka qenë shumë i vecnue.
Xhíbël = lojëra, finte, dredhat, spërdredhat, pelivanllëqet. Mos m’i bân mu kto xhibla!
Ýfq = pasion, vrull, dëshirë. E ka marrë me ýfqe të mëdhenj.
