Në shumicën e vendeve të qytetërimit perëndimor, historia e shkrimit të gjuhëve amtare të tyre zë fill me përkthimin e Shkrimit të Shenjtë. Po kështu edhe të dhënat e para të shqipes së shkruar lidhen më Shkrimin e Shenjtë, duke nisur me “Formulën e Pagëzimit” te Meshari i Buzukut për të vijuar më vonë me përkthimet e Kristoforidhit e shumë e shumë të tjerë pas tij. Kostandin Kristoforidhi, është një figurë e shquar e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i cili me punën e tij çeli një etapë të re kulturore dhe gjuhësore në gjithë rrafshin shqipfolës e shqipshkrues. Rëndësia e punës së tij, qëndron në faktin se ai përktheu dhe shkroi për herë të parë në dy dialektet e shqipes duke dëshmuar se dialektet e shqipes nuk kishin dallime të mëdha, duke u përpjekur në këtë mënyrë për unifikimin e tyre. Natyrisht, domosdoshmëri në punën e tij doli hartimi i abetares shqipe, të cilën dhe këtë e përpiloi në dy dialekte, një punë madhore kjo sa dhe specifike, pasi për më tepër, ai ishte i pari që përdori alfabetin latin në to, duke hapur kështu rrugën për themelimin e gjuhës letrare kombëtare. I mbështetur dhe financuar nga Shoqëria Biblike e Londrës, Kristoforidhi realizoi përkthimin e parë gegërisht të “Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve” (1866) dhe vijoi për shumë vjet përkthimet, si: “Psallmet” (1868 toskërisht, 1869 gegërisht), “Dhjata e re” (gegërisht 1869, toskërisht 1879), “Të bërët dhe të dalët” (toskërisht 1880), “Nomi i dytë” (toskërisht 1882), “Fjalët e urta të Solomonit dhe Bibla e Isaisë” (toskërisht 1884).
∗ Në foton ilustruese janë librat e Kristoforidhit fotografuar në Ekspozitën e Biblave, organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, dhjetor 2025.
