Skip to content Skip to footer

Dy elbasanasit – mbledhës të folklorit

Në sallën e bibliotekës është hapur një ekspozitë simbolike për t’i kujtuar me krijimtarinë e tyre, në ditët e tyrë të lindjes, mbledhësit e folklorit, elbasanasit ALEKS VINI dhe QEMAL HAXHIHASANI.
Qemal HAXHIHASANI (1916-1992). Personalitet shkencor në folkloristikën shqiptare. Veçohet për studimet në fushën e kulturës popullore, me botimin e një vargu të gjatë monografish, studimesh, artikujsh shkencorë, tekstesh mësimore për shkollat e larta etj. Bibliografia e botimeve të tij arrin shifrën 275 tituj apo zëra brenda periudhës 1938-1991. Ka meritën e botimit të Korpusit të Folklorit Shqiptar, sipas gjinive. Gjatë një harku kohor 55 – vjeçar bëri një punë kolosale në dobi të krijimtarisë popullore. Në studimet e botimet e tij janë shkrirë në një të vetme folkloristi, etnologu, bibliografi e mësuesi. Në ekspeditat që ndërmori në terren, në mbarë Shqipërinë, mblodhi një material të gjerë folklorik, leksikor, dialektologjik te cilin e ka sistemuar sipas krahinave. Ato përmbajnë: këngë kreshnikësh, historike, lirike, përralla, legjenda, gjëagjëza, fjalë të urta, fjalë të rralla, toponime, të dhëna për figurat mitologjike etj. Qemal Haxhihasani shpëtoi nga harresa këtë potencial të madh të kulturës kombëtare.
Punimet e tij janë vlerësuar nga studiues e albanologë të njohur si; M. Lamberc, R.V. Brendnili i Universitetit të Gëtingenit, sllavisti i njohur i Universitetit të Filadelfias A. Lord, gjermania H. Stein, danezi S.B. Jansen, studiusit shqiptarë të Kosovës A. Çeta, A. Berisha etj. Punimet dhe studimet e Qemalit janë asete të çmuara dhe kanë lënë gjurmë të thella në fushën e folkloristikës shqiptare.
Aleks VINI (1903-1974). Kompozitor popullor, mbledhës i folklorit. Që në moshë të vogël thur këngë me temë patriotike dhe dashurie. Nga vitet 1928-1940 punoi në shtypshkronjën e parë të qytetit “Afërdita”. Për një periudhë të gjatë kohe mblodhi me përkushtim folklorin e Elbasanit dhe të trevave të tij. Mblodhi rreth 360 këngë të vjetra dhe rreth 600 përralla, prej të cilave me interes janë 20 këngë dasme të Elbasanit për zonën e Zaranikë. Disa këngë të kompozuara prej tij janë të njohura dhe këndohen edhe sot…
Në muzeun etnografik të qytetit tonë ka me mijëra faqe nga trashëgimia e dëshmia e vyer e Leksi Vinit, dhe falë punës plot pasion e përkushtim të dy punonjësve të këtij institucioni, Kreshnik Belegu dhe Ortenca Dakli, këto fletë u konkretizuan në dy libra: “Anekdota, gojëdhëna, përralla” dhe “Tradita zakonore në qytetin e Elbasanit”. Të dy librat përbëjnë një gur të rëndë themeli në memorien e qytetit të Elbasanit.

Leave a Reply