Pleqtë, në kohët e para, u thonin fëmijëve të tyre, të cilët ishin në moshë, se është sevap ta shëtisësh qytetin tënd një herë në vit në të gjitha rrugët, për t’i njohur ato më mirë dhe për të ditur se për çfarë ka nevojë për t’u përmirësuar e për t’u zbukuruar. Këto shëtitje ishin me qëllime të mira, për të bërë ndonjë pus a çesmë, për të përmirësuar ndonjë pjesë rrugë, për të stolisur ndonjë xhami e të tjera si këto.
* Shkëputur nga: Aleks Vini – “Tradita zakonore në qytetin e Elbasanit”
Ky libër, ka ardhur si rezultat i punës së palodhur dhe të shkëlqyer të studiuesve të trashëgimisë kulturore Kreshnik Belegu dhe Ortenca Dakli, të dy njohës shumë të mirë të veprimtarisë së Leksit, këtij grumbulluesi të këngëve, përrallave, gojëdhënave, traditës zakonore të Elbasanit; të cilët kanë nxjerrë në dritë shënimet e tij duke i renditur, klasifikuar dhe plotësuar ato për t’i ndërtuar në formën e një libri. Duhet thënë, se ky libër dhe të tjera shënime të Leksit, shënime të cilat Leksi i shkruante nëpër fletore e copa letre nga vëzhgimet e tij të hollësishme, janë një dëshmi e dokumentuar e riteve, besimeve dhe traditave të Elbasanit. Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore ka arritur të botojë dy vëllime nga masa e madhe me dorëshkrime e Aleks Vinit: një prej të cilave “Anekdota, gojëdhëna e përralla” dhe materialin mbi “Traditat zakonore në qytetin e Elbasanit”.
#historia_e_Elbasanit #zakone
